Ministri i Brendshëm në detyrë deri në dekretimin e presidentit dhe votimin e Parlamentit, Besfort Lamallari, teksa u takua sot (11 shtator) me kryeministrin Edi Rama në godinën e ekzekutivit ku iu besua edhe detyra e re, falënderoi kreun e qeverisë për besimin e deritanishëm në funksione të larta në një dekadë.
Ai e cilësoi “kthim në shtëpi” detyrën e re, aty edhe “ku e nisi” karrierën.
Ai thotë se është përpjekur të mos e zhgënjejë kreun e qeverisë “kurrën e kurrës” dhe se do e vijojë këtë rrugëtim më tej.
Reagimi i Lamallarit:
“Faleminderit Kryeministër për të gjithë besimin e dhënë në këto 10 vite, ndjej që jam rritur jo vetëm profesionalisht, por edhe si njeri, për të kuptuar më mirë edhe njerëzit kur shprehin shqetësimet. Pastaj pjesa e kthimit në shtëpinë time, pasi aty nisi rrugëtimi, ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme. Ju falënderoj shumë dhe jam munduar që mos t’ju zhgënjej kurrën e kurrës. Absolutisht është kënaqësi dhe nder. Do ta vazhdoj rrugëtimin dhe të jem në krahun tuaj për të gjithë punët e mira që e presin Shqipërinë”.











