Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e KPK-së, institucion i cili e konfirmoi në detyrë prokuroren Enkeleda Osmani (Xhengo).
KP i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që të riçelë hetimin gjyqësor për prokuroren dhe, të vendosë shkarkimin nga detyra të saj.
Në një njoftim në faqen zyrtare, Komisioneri Publik thotë se “subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë, pasi, referuar gjendjes së fakteve dhe provave, vendimi është i cenueshëm në tërësinë e tij”.
NJOFTIMI
Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 275, datë 20.7.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Enkeleda Osmani (Xhengo), me funksion prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Durrës.
Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin nr. 275, datë 20.7.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë, pasi, referuar gjendjes së fakteve dhe provave, vendimi është i cenueshëm në tërësinë e tij.
Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që të riçelë hetimin gjyqësor dhe, në përfundim të shqyrtimit të çështjes, në seancë publike, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 275, datë 20.7.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Enkeleda Osmani (Xhengo).
g.kosovari