Zyrtarët e Doganës dhe policët kufitarë në Merdarë kanë gjetur brenda një hapësire të improvizuar të një furgoni një vlerë prej 1 milionë eurosh. Shuma e parave po tentohej ta kalohej nga Serbia drejt Kosovës.
Të dyshuar si persona të përfshirë në këtë ngjarje janë Aurel Kaziu, polic në radhët e Policisë së Shtetit, konkretisht në Komisariatin numër 5 në Tiranë, Ardit Laska dhe Etnik Ahmaxhokaj.
Të tre këta janë ndaluar fillimisht për një kontroll nga Dogana e Kosovës, pasi nga pajisjet dixhitale me rreze X janë dhënë disa shenja për para të fshehura brenda furgonit, në një hapësirë të modifikuar posaçërisht për këtë gjë.
Në anën tjetër, Dogana e Kosovës ka njoftuar se e ka ndaluar automjetin për kontroll të detajuar, në hyrje të territorit të Kosovës, bazuar në disa dyshime dhe procedurat standarde operative.
“Pas këtyre indikacioneve, Dogana e Kosovës ka kërkuar asistencë nga zyrtarët e Policisë Kufitare, të cilët kanë ofruar mbështetje teknike përmes pajisjes fibroskopike. Gjatë kontrollit të përbashkët, dyshimet e ngritura nga skaneri janë konfirmuar me zbulimin e mjeteve monetare të padeklaruara, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës të datës 24.02.2026.
Ndërkohë institucionet në Kosovë po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.











