Kryeministri Edi Rama ka inspektuar rrugën provizore të aksit Librazhd-Prrenjas, e cila u hap pasi juglindja kishte mbetur e bllokuar prej 11 ditësh.
Segmenti provizor prej 200-300 metrash dhe i paasfaltuar ndodhet në vendin e quajtur Arrat e Rrugës.
Ai kalon përmes rrugës së vjetër të shembur e trasesë ku po punohej për Korridorin VIII dhe funksionon me sinjalistikë kantieri.
ARRSH ka thënë se rruga do të shtrohet kur të arrihet stabiliteti i shtresave të tokës. Qarkullimi në këtë devijim provizor do të kryhet derisa të ndërtohet rruga alternative 1.3 km. Kjo e fundit kërkon minimalisht 2 muaj kohë.
Lëvizja, edhe pse e vështirë në këtë segment provizor, ofrohet si zgjidhje edhe për kamionët e transportit ndërkufitar që hyjnë dhe dalin nga dy pikat e kalimit kufitar, të Qafë-Thanës dhe Kapshticës. Pas situatës së krijuar me rrëshqitjet në aksin Librazhd-Prrenjas pritet të rishikohet dhe projekti i Korridorit VIII, nëse do të vijojë të ndërtohet në gjurmën ku kishte nisur puna apo do të ndryshojë.











