Hungaria ka vendosur nën mbrojtje ushtarake tubacionin e gazit që kalon në kufirin me Serbinë, njoftoi kryeministri Viktor Orbán, ndërsa vendi përballet me tensione politike përpara zgjedhjeve të rëndësishme të fundjavës dhe një vizite zyrtare nga zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance.
Orbán udhëtoi të hënën drejt kufirit jugor me Serbinë, një ditë pasi autoritetet serbe deklaruan se kishin zbuluar “eksplozivë me fuqi shkatërruese” pranë tubacionit që transporton gaz natyror rus drejt Hungarisë dhe më tej në Evropë.
Zhvillimi vjen vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve, ku sipas sondazheve, Orbán rezulton pas rivalëve të tij, duke nxitur reagime nga opozita. Kandidati kryesor opozitar ka hedhur dyshime për një operacion të mundshëm “me flamur të rremë”, që sipas tij mund të synojë ndikimin e votuesve.
Kryeministri hungarez ka theksuar rëndësinë strategjike të tubacionit. “Ky tubacion është i rëndësishëm, është shpëtimi ynë. Forcat mbrojtëse hungareze janë të afta ta vendosin nën mbrojtje ushtarake dhe, nëse është e nevojshme, ta mbrojnë atë”, u shpreh Orbán në një deklaratë në rrjetet sociale.
Situata ka rritur tensionet në Hungari, ndërsa Orbán përpiqet të bindë elektoratin për rrezikun që vjen nga lufta në Ukrainë dhe të paraqesë veten dhe partinë e tij Fidesz si faktor stabiliteti.











