Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, i cili ishte një nga të penalizuarit e marrëveshjes politike të 18 majit, thotë se karriera e tij mori një lloj cenimi, por me rëndësi është se produkti final i zgjedhjeve ishte pozitiv.
I ftuar në ‘Tonight Ilva Tare’, Biba thotë se për herë të parë patëm një fushatë të qetë, jo shumë të kushtueshme dhe një rezultat final të gjithëpranuar.
“Në dorëheqjen time, ndonjëherë njeriu duhet të cedojë pak në atë tendencën ose udhëtimin e tij të karrierës për qëllime më të mëdha sesa karriera e tij e vogël ose interesat e tij të vogla personale. Në këtë aspekt, pa rënë në ato klishetë ‘fitoi atdheu’, mjafton që ‘zgjedhje të lira dhe të ndershme’, natyrisht që karriera ime mori një lloj cënimi. Por jam fare i lirë në këtë pikë, kështu që nuk kam ndonjë shqetësim. Nga ana tjetër pati produktet pozitive”, tha ai.
Nder te tjera, Biba foli edhe për procesin zgjedhir që sipas tij është permiresuar.
“Në gjykimin tim absolutisht po. Të gjithë jemi dakord që marrëveshja politike solli një fushatë shumë më të qetë, besoj edhe më pak të kushtueshme sesa të gjithë fushatat e tjera. Relativisht rezultati është i pakontestuar nga pothuajse të gjithë aktorët kryesorë, që nuk ka ndodhur. Në prag të rezultateve paraprake të gjitha palët dilnin dhe thoshin ne fituam. Përveç teknikave për të motivuar numëruesit, por këtë radhë as kjo nuk ndodhi”, tha Biba.