Pezullohet nga detyra polici Lek Marku, i kapur në flagrancë nga emisioni “Fiks Fare” duke lëshuar vërtetim për azil, në këmbim të 200 eurove.
Përmes një njoftimi për shtyp, Policia e Tiranës thekson se drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako, ka urdhëruar pezullimin nga detyra të punonjësit të Policisë, pas denoncimit në media.
Ndërkohë, Drejtoria e Standarteve Profesionale, ka nisur hetimin disiplinor “për shkelje të rëndë”.
Po në lidhje me këtë ngjarje, edhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe për të provuar nëse ka apo jo elementë të veprës penale.
Policia e Shtetit falënderon median dhe i fton ato dhe qytetarët të denoncojnë çdo rast abuziv të punonjësve të Policisë me detyrën, duke garantuar se do të veprohet me shpejtësi dhe ashpërsinë e ligjit./a.m.










