Prokuroria për Krime të Rënda dërgon për gjykim kërkesën ndaj shtetasve Ilir Kupa dhe Fatos Sulaj, të akuzuar për veprat penale të “vrasësit të punonjësit të policisë”, të mbetur në tentativë; “largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “prodhimi dhe mbajtja e armëve pa leje”; “krijimi i grupit të strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprimeve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.
Veprat për të cilat akuzohen këta dy shtetas i referohen ngjarjeve të nisura në 22.03.2013, kur janë arratisur në mënyrë të organizuar, në bashkëpunim me të burgosur të tjerë, nga burgu i Trikala (Greqi). Dy të pandehurit, si edhe të burgosur të tjerë në burgun e Trikalas, kanë thyer perimetrin e sigurisë dhe kanë dalë nga burgu, të ndihmuar dhe në bashkëpunim me persona të tjerë nga jashtë rrethimit të burgut, të cilët ishin të armatosur.
Grupi i personave u përball me armë me forcat e policisë për rreth 30 minuta, nga e cila mbetën të plagosur rëndë dy punonjës policie. Ndërkohë, në këtë përplasje të armatosur, ka mbetur i vdekur edhe një shtetas shqiptar, i burgosur në këtë burg, gjatë tentativës për arratisje.
Pas largimit nga burgu, dy të pandehurit nuk janë kthyer më në burg dhe autoritetet greke ndaj tyre kanë ngritur disa akuza për ngjarjen e ndodhur në burgun e Trikalas. Në kuadër të marrëveshjeve ndërkombëtare mbi transferimin e procedimeve penale, autoritetet greke kanë përcjellë në Shqipëri dokumentacionin mbi të cilat kanë krijuar dyshimet për veprimtarinë kriminale të këtyre dy personave.
Prokuroria për Krime të Rënda, në bazë të akteve të përcjella nga autoritetet gjyqësore greke, zhvilloi hetime dhe në përfundim formuloi akuzat ndaj shtetasve Ilir Kupa dhe Fatos Sulja, si edhe dërgoi kërkesën për gjykim.