Ish-deputeti i PS Alfred Peza është shpallur i pafajshëm nga gjykata lidhur me akuzën për refuzimin e deklarimit të pasurisë.
Vendimi u mor një ditë më parë nga ana e Gjykatës së Tiranës. Kujtojmë se ndaj Pezës nisën hetimet në Maj të vitit 2017 pasi bashkëshortja e tij bleu aksione me vlerë 1 milionë dollarë në një bankë të nivelit të dytë.
Peza është marrë i pandehur me tre akuza nga Prokuroria, ‘fshehje të të ardhurave’, ‘pastrim parash’ dhe ‘Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje, ose deklarim i rremë i pasurisë’.
Më pas, ai u hetua vetëm për akuzën ‘Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje, ose deklarim i rremë i pasurisë’. Por, një ditë më parë gjykata e ka shpallur atë të pafajshëm edhe nga kjo akuzë.
Prej nisjes së hetimeve deputeti Alfred Peza ka mohuar akuzën duke deklaruar se procesi ndaj tij është i pabazuar në prova dhe është një sulm politik që i bëhet atij si gazetar dhe si politikan.
Ai nuk u bë pjesë e listave të kandidatëve të PS në zgjedhjet e vitit 2017, ndërkohë në mbledhjen e Asamblesë së kësaj force para pak ditësh, Alfred Peza është zgjedhur Sekretar për Median në Partinë Socialiste./a.m.











