Jemi në gusht dhe një pjesë e konsiderueshme e njësive akomoduese në Shqipëri i kanë mbyllur rezervimet që më herët. Shqipëria jonë e bukur, e bekuar me klimë mesdhetare, ka pritur deri më tani jo pak turistë të huaj. Shifrat e qershorit sipas INSTAT tregonin për një rritje prej 27% të hyrjeve të turistëve këtë muaj, krahasuar me një vit më parë. E vërteta është se Shqipëria i ka të gjithë “letrat” për të tërhequr të gjithë vëmendjen e mundshme nga turistët. Po çfarë thuhet në portalin Tripadvisor për gamën e aseteve turistike që ne ofruam?
Në Tripadvisor, një nga portalet amerikane më të famshme të turizmit në botë për Shqipërinë, gjen aktualisht 131 mijë komente dhe opinione. Si destinacionet më popullore vijojnë të sugjerohen Tirana, Saranda, Durrësi, Vlora, Shkodra, por edhe të tjera. Në sytë e të huajve, Shqipëria po maturohet si vend turistik, teksa ndër vite janë shtuar artikujt e mediave prestigjioze që flasin për bukuritë natyrore, plazhet apo të tjera atraksione në vendin tonë. Rekomandimet janë shtuar, por edhe ‘tërheqjet’ e veshit për problematika që lidhen kryesisht me infrastrukturën e dobët rrugore, shërbim i munguar në restorante apo hotele etj.
Tirana, hotele dhe restorante më cilësore
Nuk ka asnjë dyshim që të huajt e vlerësojnë kryeqytetin shqiptar për cilësinë e lartë të hoteleve dhe restoranteve. Një pjesë e tyre rekomandohen në mënyrë të veçantë nga portali i Tripadvisor. Më të vlerësuar janë hotelet në afërsi të qendrës së Tiranës. Elementet që merren në konsideratë janë: mirëmbajtja e dhomave, pastërtia e tualetit, hapësira, komoditeti i shtretërve, shërbimi i internetit.
Një turiste nga Spanja, Hulia, thotë se Tirana në vetvete është një qytet i gjallë dhe me dinamikë. “Më pëlqen të vizitoj Galerinë Kombëtare të Arteve dhe Muzeun, që të dyja janë afër sheshit qendror ‘Skënderbej’. Ekziston edhe një Teatër Opere, i cila organizon disa shfaqje dhe koncerte në varësi të kohës së vitit. Restoranti im i preferuar është një piceri e quajtur ‘Juvenilja’, ata shërbejnë për një përzgjedhje të mirë të pizzave, pastave, sallatave, mishit, ëmbëlsirave, birrës, kafesë etj. Blloku është një vend i mrekullueshëm për të shkuar në mbrëmje, pasi ka shumë bare trendy, restorante afër nga njëri-tjetri. Zona ishte dikur shtëpia e Enver Hoxhës, udhëheqësit komunist dhe partisë së tij, dhe ishte e mbyllur për masën e njerëzve”, – thotë ajo.
Por, këtë vit, në mesin e komentuesve, vihen re një numër i konsiderueshëm i të huajve që duan të jetojnë në Shqipëri. “Po marr në konsideratë të shkoj në Tiranë me vajzën time për të jetuar, ndërsa burri im punon në Britani të Madhe. Me çmimet e shtëpive dhe me qira gjithmonë në rritje këtu dhe kujdesi për fëmijët është shumë i shtrenjtë, ne po e mendojmë këtë si një mjet të përkohshëm për të kursyer para. Unë kam qenë në Shqipëri disa herë, e njoh shumë mirë gjuhën. A ka dikush që mund të më këshillojë se cila do të ishte mundësia e nisjes së një pune me orar të pjesshëm….”, – thotë Lucy nga Anglia.
Saranda dhe Vlora, destinacione me çmime të larta
Një nga destinacionet më të pëlqyera dhe të këshilluara nga të huajt, jo vetëm se është lehtësisht i arritshëm nga Korfuzi, por edhe sepse u bë vite tashmë që frekuentohet dhe reklamohet nga të gjithë pushuesit, është Saranda. Sipas një sërë komentuesish në forum, për Sarandën thuhet se ofron një sërë atraksionesh, si: detin, brigjet ranore e shkëmbore, por edhe kulturën, traditën e arkeologjinë. Ata që komentojnë për Sarandën, e këshillojnë si një destinacion “must”, dhe pjesa më e madhe e atyre që vihen re në Tripadvisor, janë nga Britania e Madhe. Ata shtojnë se akomodimi në natë kushton mesatarisht 40 euro, ndërsa në përgjithësi, çmimet i vlerësojnë si të larta për standardet shqiptare.
Edhe Vlora komentohet për çmimet e larta që ofron, ndërsa për ushqimin, të gjitha pjatat e detit kanë marrë 5 yje nga komentuesit. Për ushqimin në Sarandë, të huajt shprehen me nota pozitive, vlerësojnë freskinë dhe pjatat e servirura me kujdes, por kjo nuk vlen gjithmonë për shërbimin. Disa komentues shkruanin që shërbimi jo në të gjitha rastet çalonte, megjithatë shpeshherë merrnin pjata që nuk i kishin porositur aspak dhe se kamerierët nuk dinin anglisht.
Shkodra dhe Kruja, duan traditën
Nga turistët e huaj, vlerësimet për këto dy qytete i shkojnë kryesisht traditës. I pëlqejnë lokacionet, ushqimet, veshjet e këtyre dy qyteteve, sikurse edhe akomodimet modeste, kryesisht nën 4 yje. Por, ka edhe ankesa. Të shumtë kanë qenë turistët e huaj që janë ankuar për cilësinë e akomodimit në të gjitha qytetet e vogla të Shqipërisë, duke iu referuar si “bujtina të ngrata” dhe pa kontroll nga autoritetet.
Pazari i Krujës dhe Pedonalja e Shkodrës kanë tërhequr vëmendje të madhe këtë vit, duke vijuar me përshtypjet pozitive për historinë e vendit tonë, që udhëhiqeshin kryesisht nga qytete-muze si Gjirokastra, Berati etj.
Diskutimet
3041 tematika diskutohen për Shqipërinë nga të huajt (deri në fund të korrikut 2019), një komunitet brenda Tripadivsor, që ngrenë pyetje dhe japim përshtypjet e tyre për turizmin në këtë vend. Dy janë pyetjet kryesore që drejtojnë të interesuarit që të vizitojnë Shqipërinë: 1. A është vend i sigurt 2. Kur është koha më e përshtatshme për ta vizituar Shqipërinë?
Arthur, nga Britania e Madhe, I nis me kritika përshtypjet e tij për Shqipërinë. “Doja të shkruaja një përmbledhje të kohës sime të parë në Shqipëri. Së pari, dua të theksoj se kam takuar disa shqiptarë të mirë dhe mikpritës dhe nuk dua t’i fyej. Sidoqoftë … në pikëpamjen time personale nuk mendoj që Tirana ka vlera të vizitohet. Rrugët janë të mbushura me njerëz kaotikë dhe shpesh, shoferët janë shumë të rrezikshëm, edhe kur kaloj në dritë jeshile.
Gjithashtu kam pasur një aksident duke rënë poshtë në një nga pusetat e hapura të shumta të Tiranës dhe jam plagosur. Hoteli ishte i tmerrshëm. Nuk kishte as edhe një kosh plehrash, ikte uji vazhdimisht. Dhe kam paguar 30 euro natën. Muzeu Kombëtar dhe BunkArt ishin mjaft zhgënjyese. Natën nuk flini mirë nga zhurma e vazhdueshme e makinave. Nuk pranojnë karta krediti, masivisht”, -përfundon ai.
Por panorama nuk është vetëm bardhezi.
“Jorik i Albania2Go krijoi një turne mahnitës për ne. I gjithë Ballkani: Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi dhe Sllovenia. Ne ishim një grup shokësh që udhëtonin nga Sri Lanka që dëshironim të vizitonim vendet e Ballkanit dhe të kishim shumë fleksibilitet gjatë gjithë udhëtimit. Agjencia nuk na zhgënjeu në asnjë aspekt. Udhëtuam në shumë vende të cilat janë më pak të njohura. Jemi mrekulluar me Alpet Shqiptare. Faleminderit nga të gjithë ne”,- shkruan Monique këtë korrik.
Një tjetër turist shkruan me superlativa. “Kalova vetëm 15 ditë në Tiranë dhe e dashurova. Jam ende në veri të Shqipërisë tani. Tirana më ka befasuar në një mënyrë të bukur. Më pëlqente të pija kafe në qendër. Ju mund të shihni se shumë përpjekje ka bërë ky qytet që të largohej nga ditët e komunizmit. Kam gjetur shumë gjëra interesante për të bërë. Më pëlqeu Muzeu Kombëtar. Shqipëria më ka befasuar”- thotë Pat nga ishujt Kanarie, Spanjë.
Në mesin e diskutimeve, sheh shpesh edhe komente që pyesin mbi pasuritë e paluajtshme në Shqipëri. Sogaard nga Suedia thotë se po planifikon udhëtimin familjarisht në tetor të këtij viti dhe kanë dëshirë që të blejnë një apartament në Sarandë.
“Ne do të vizitojmë Shqipërinë në tetor dhe po planifikojmë të gjejmë një apartament të këndshëm për të blerë. Aktualisht po shikojmë Sarandën, por jemi të hapur për sugjerime. Si është Saranda për një familje që dëshiron të notojë, të shijojë diellin në plazh, të eksplorojë vendin e bukur. A hahet ushqim i mirë? Ne nuk jemi në kërkim të një qendre turistike, as të jemi në mes të askundit. Sa i përket procesit të blerjes, ne kemi biseduar tashmë me një kompani Real Estate dhe do të flasim kur të vijmë në Shqipëri.”-përfundon ai.
Një ndër përgjigjet që spikat është ajo e një italiani i cili thotë se në Shqipëri ka probleme me pronësinë. “Shumë ndërtesa në Shqipëri nuk janë 100% ligjore. Letrat duhet të kontrollohen shumë mirë. Situata më e zakonshme është një ndërtesë pa leje, e ndërtuar mbi tokën e dikujt tjetër, e ndërtuar pa respektuar distancat minimale në krahasim me planin origjinal (të aprovuar)…”- thotë Fiori nga Mestre, Itali.
Një tjetër komentues, nga Afrika e Jugut, Deon shkruan këtë korrik: “Ne jemi përpjekur të kontaktojmë me agjentët e pasurive në Sarandë, pasi ne jemi të interesuar për të blerë një pronë atje për të marrë leje qëndrimin. Gruaja ime dhe unë jemi nga Afrika e Jugut e cila nuk është një vend i BE. Me të përmendur vendin tonë të origjinës, më thanë se nuk është e mundur. A mund të më ndihmojë dikush me rregullat e shtetit? Ne po planifikojmë që të udhëtojmë në Shqipëri në gusht për të përfunduar blerjen.”/Monitor