Turizmi po shërben si motor në nxitjen e sektorëve të tjerë mbështetës. Qytete si Durrësi dhe Vlora po shohin zgjerim të flotave të anijeve turistike, teksa po vihet re edhe lulëzimi i biznesit të makinave me qira. Bujqësia, e cila është e lidhur drejtpërdrejt me këtë sektor ende funksionon kuturu. Hallka mes hotelit dhe prodhuesit është furnitori ndërkohë që të tjerë kanë bërë lidhjen e shkurtër.
Kanë ngritur ferma për të furnizuar hotelin. Kantinat e verës, nga ana tjetër, falë tureve në rritje të turistëve pranë tyre, po orientohen drejt agroturizmit, kurse dyqanet e suvenireve po rrisin larminë e produkteve që ofrojnë. Agjencitë turistike, falë rritjes së interesit për Shqipërinë, po ofrojnë gjithmonë e më shumë paketa të larmishme, siç janë fermat e midhjes në Sarandë apo orientimi drejt Butrintit nga turistët elitarë njëditorë të jahteve.
Nga Nertila Maho
Çdo mëngjes, nga Mali i Robit, anija turistike “Happy Regina” nis lundrimin e saj në plazhet e Durrësit. Është anija e parë turistike që i shtohet bregdetit të këtij qyteti. Ajo erdhi në kushtet kur turizmi në këtë zonë po përjeton ditët më të mira me turistët nordikë në rritje, polakët dhe çekët që kanë disa vite që e frekuentojnë rregullisht dhe gjermanët, hungarezët apo rusët që po shtohen dita-ditës. Zhvillimi i industrisë detare është efekt zinxhir i rritjes së vëmendjes ndaj Shqipërisë si destinacion turistik.
Por, siç ndodh rëndom, nismat e sipërmarrjes hasin në ngërçin e kuadrit ligjor, indiferencës së pushtetit vendor por edhe investimeve konkrete që do ta mbështesnin zhvillimin e saj. Për shembull, një anije turistike në Durrës sot mund të ofrojë pak ndalesa deri tek Currilat afër Porto Romano, pasi cektësia dhe mungesa e investimeve për të krijuar stacione akostimi e kufizon zhvillimin. E gjitha kjo ndodh kur turet ditore me anije mund të përfshinin edhe zona të tjera interesante të Durrësit si Kepi i Rodonit apo më tej. Kur vjen puna te përgjegjësia, të gjithë ngrenë supet, ndërsa sipërmarrjes i duhet të sajohet me ato që ka.
“Ne morëm nismën për të futur anijen e parë turistike në Durrës, pasi e shihnim si një model që funksionon dhe aplikohet në qytete të tjera si Vlorë apo Sarandë. Durrësi ka një numër më të madh turistësh të huaj sesa qytetet e tjera të bregdetit shqiptar, ndaj u pa me vend që të ofrohet një alternativë më shumë për të kaluar një ditë ndryshe. Anija është 200 vendëshe, e pajisur me të gjitha kushtet që duhet të ketë një anije turistike pra bar, restorant, muzikë. Vlera që paguhet për turin është 1500 lekë. Turi nis nga Mali i Robit te Hotel Klajdi dhe vazhdon në Currila pa shkuar në Porto Romano.
I gjithë organizimi është rreth 3 orë. Turistët në përgjithësi kanë shfaqur interes për turin me anije turistike, si një alternativë e mirë për të kaluar një ditë ndryshe. Ideja është që, kur merr një anije të tillë, të kesh mundësinë të bësh edhe ndalesa, të bësh plazh diku, ndërkohë që kjo praktikisht është e pamundur, në kushtet kur s’kemi stacione që të ndalojmë anijen”, – nënvizon Rrahman Kasa nga Happy Tours, që ka dhe pronësinë e anijes.
Sipas tij, gjatë bregdetit të Durrësit, nuk ka mole dhe pavarësisht se ky është ngritur si problem në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, apo në Bashkinë e Durrësit, këto hallka kanë ngritur duart lart, kompetencat për të bërë këto ndërhyrje nuk i ka asnjë prej tyre. Është një çështje që duhet të marrë miratimin e Këshillit Kombëtar të Territorit.
Kasa nënvizon se mungesa e stacioneve të akostimit e ul disi pritshmërinë që kanë turistët. Për këtë është me vend që kjo të merret parasysh në vijim nga autoritetet, në mënyrë që përgjatë bregut të Durrësit të krijohen 5-6 stacione. Kjo do ta nxiste edhe më shumë biznesin që të avanconte në industrinë detare, duke e rritur flotën e anijeve për qëllime turistike.
Në Jug, situata paraqitet më mirë, sepse mund të improvizosh ngaqë bregu është i thellë, ndërsa në Durrës kjo është e pamundur. Por, cilët janë turistët që preferojnë këto lloj aktivitetesh? “Kemi pasur një reagim pozitiv nga të gjtihë turistët. Në bord vijnë shqiptarë, çekë, polakë, hungarezë dhe kosovarë. Të gjithë e shohin si një alternativë më shumë argëtimi për pushimet e tyre në qytetin e Durrësit”, – shprehet Kasa.
Vlora avancon më shumë, aktive 12 anije për aktivitetet turistike
Teksa Durrësi ka vetëm një anije që ofron ture turistike përgjatë bregdetit të tij, Vlora ka avancuar më shumë në këtë drejtim. Enrik Mehmeti, gazetar në këtë qytet, tha për “Monitor” se qartësimi i disa destinacioneve që preferohen nga turistët ka bërë rritur frekuentimin në ture me anije.
“Destinacioni më i preferuar është Gadishulli i Karaburunit dhe në vendin e dytë, ishulli i Sazanit.
Të dy përshkohen me anijet që nisen nga Porti i Vlorës. Ky bum në këtë lloj destinacioni ka nisur prej dy vitesh ndërsa këtë vit, numri i anijeve ka shkuar në 12 dhe janë të modeleve të ndryshme deri tek anija Trimaran në Shqipëri. Kjo do të thotë që në këtë sektor ka pasur investime të mëdha dhe serioze, për shkak të interesit që ka ky lloj destinacioni. Karaburuni zgjidhet kryesisht nga ata që duan plazhet e kristalta, t’i shpëtojnë trafikut, pasi atë shpenzim karburanti në trafik zgjedhin ta bëjnë më mirë në biletën për anije, kështu që në vend të stresit është kënaqësia”, shprehet Mehmeti.
Nxitet aktiviteti i makinave me qira, kompanitë rrisin flotat
Turistët që vizitojnë Shqipërinë e kanë bërë pjesë të axhendës marrjen e një makine me qira dhe eksplorimin në mënyrë të pavarur të disa destinacioneve. Tur-operatorët që merren me turizmin e organizuar kryesisht nordikët, polakët, çekët apo gjermanët, raportojnë se një pjesë e mirë e tyre preferojnë që të mos kalojnë çdo ditë në hotel dhe në plazh, por të ketë ditë më aktive. Disa zgjedhin turet e organizuara me autobus.
Të tjerë një makinë me qira dhe të jenë të pavarur. Shfaqja e kësaj tendence dhe rritja e frekuentimit të Shqipërisë si një destinacion turistik ka nxitur rritjen e flotave të kompanive që ofrojnë shërbimin e dhënies me qira të makinave. Eliana Bakiri, menaxhere operacionale në “Rend a Car in Albania” shprehet se aktualisht kompania është e rezervuar totalisht që nga marsi.
“Ne jemi një franchaise që ka të punësuar mbi 500 brokera dhe shtrirja jonë është në të gjithë Ballkanin, me një flotë prej 1100 mjetesh ku vetëm në Shqipëri janë 250. Mund të them se kërkesa është rritur dhe që nga marsi jemi plotësisht të rezervuar. Ajo që vëmë re është rritja e të huajve që duan të marrin një makinë me qira për të vizituar destinacione të ndryshme, por po shohim njëkohësisht që edhe shqiptarët kanë ndryshuar mentalitet. Dikur, për të shkuar diku, mund të merrje edhe makinën e të afërmve apo familjarëve. Sot, në zërin e shpenzimeve të pushimeve ka nisur të përfshihet edhe makina me qira”, – tregon Bakiri.
Lidhur me grupet e të huajve që preferojnë të marrin më shumë këtë lloj shërbimi, ajo thotë se listën e kryesojnë gjermanët, pasi i planifikojnë pushimet në mënyrë të tillë. Por nuk mungojnë austriakët e francezët. “Kemi konstatuar rritje të numrit të izraelitëve, për shkak të fluturimeve direkte dhe charter-ave që vijnë nga ky vend. E njëjta situatë ka ndodhur edhe me nordikët, numri i të cilëve është rritur dukshëm në vitet e fundit. Ajo që ne vëmë re është rritja e përgjithshme që vjen nga klientët e hoteleve që ne bashkëpunojmë, por edhe klientë të pavarur”, shprehet Bakiri.
Sipas saj, turistët e kanë të qartë atë që duan të bëjnë kur kërkojnë një makinë me qira. E kanë ndarë destinacionin që duan të vizitojnë. Përgjithësisht ose zgjedhin Veriun për hiking ose pjesën e Jugut, që e fillojnë me Beratin, Apoloninë në Fier, kalojnë në Gjirokastër dhe më pas shkojnë në Jug ose anasjelltas. “Ne kemi rritur flotën për shkak të kërkesës. Zakonisht, duke qenë një kompani me aktivitet në gjithë Ballkanin, ne mundohemi të rakordohemi me flotat në vendet fqinje.
Për shembull, aktualisht kur kërkesa është në kulmin e saj ne kemi marrë flotën e Kosovës këtu në Shqipëri. Në prill, kur u zgjidh ngërçi me emrin e Maqedonisë së Veriut, pati një “bum” kërkesash në këtë vend që vinin kryesisht nga biznesi dhe ne na u desh të çonim flotën e Shqipërisë aty”, – nënvizon menaxherja operacionale e “Rent a Car in Albania”.
Për shkak të rritjes së kërkesës, kompanitë e dhënies me qira të makinave kanë shtuar alternativat që ofrohen brenda flotës së mjeteve pra ato janë me kubikazh dhe elemente të ndryshme për t’ju përshtatur kërkesave të klientëve. Por, edhe në këtë sektor, ka një problem që raportohet nga operatorët e tregut dhe ka të bëjë me sistemin e gjobave.
“Ne hasim si problem mosraportimin e gjobave në kohë reale në sistemin e policisë. Nëse një turist ka marrë një mjet me qira për një ditë dhe ka kryer një shkelje rrugore, duke u ndëshkuar me gjobë, ajo del në sistem pas njëfarë kohe, çka bën që klienti i radhës që ka marrë mjetin të hasë probleme me policinë. Kemi pasur raste kur klientët janë zbritur në mes të rrugës, sepse ka pasur gjoba. Është i nevojshëm përmirësimi i kësaj infrastrukture dhe raportimi në kohë reale. Në shumë raste, na kanë shkuar makinat në pikë bllokimi dhe s’kemi mundur t’i shërbejmë klientit”, nënvizon Bakiri.
Modeli, si kanë integruar bizneset në një të vetëm turizmin dhe bujqësinë
Në vitin e parë, në 2016, kur nisën të aplikoheshin paketat “halfboard” dhe “all inclusive”, hotelet në zonën e Golemit u përballën me dy probleme. E para, nuk kishin të plotë listën e furnitorëve që do t’ju ofronin produktet e nevojshme për këtë shërbim.
E dyta nuk kishin një bazë të dhënash mbi sasinë që do t’ju duhet të ofronin si bufe. Problemi i parë u zgjidh gradualisht, falë edhe afërsisë me zonën e Lushnjës, ku hotelet e mëdha bënë lidhjet e shkurtra direkt me grumbulluesit, kurse i dyti arriti të zgjidhej vetëm në vitin 2018, kur polakët dhe çekët rralluan ankesat për sasinë e ushqimit që ju ofrohej.
Në vitet e para, komentet e tyre ishin që ushqimi ishte i pamjaftueshëm, kurse theksi së fundmi ka qenë tek larmishmëria, por përshtypja kryesisht ka qenë më pozitive. E teksa një pjesë e mirë kanë zgjidhur çdo gjë me furnitorët, ka nga ato biznese që portofolin e tyre e kanë të integruar. Duke kërkuar informacionin e përgjithshëm që marrim herë pas here nga hotelet në Golem për ecurinë e sezonit, hasëm edhe rastin e një miksi të tillë, ku hoteli siguron përmes fermës së vet produktet bujqësore që i nevojiten për konsumin ditor.
“Ne kemi një kapacitet akomodues prej 120 dhomash dhe kryesisht kemi polakë, çekë por edhe shqiptarë që na frekuentojnë rregullisht. Paketat që ne ofrojmë janë ‘halfboard’, ‘fullboard’ ose ‘bed and breakfast’. Tek Halfboard përfshihet mëngjesi, çadrat në plazh ose pishinë, si dhe darka kurse tek fullboard kemi edhe drekën. Në shërbim kemi edhe pijet që janë kryesisht lëngje frutash, ijë ose birrë më krikëll se atë preferojnë. Pjesën më të madhe të produkteve ne i sigurojmë nga ferma jonë, flas këtu për perimet që i sigurojmë të gjitha, kurse mishin deri diku”, na sqaron Jani Prifti, menaxher stafi pranë Klajdi Hotel në Durrës.
Sipas tij, në fermë arrijnë që të sigurohen perimet e stinës, zogj dhe qumësht. Janë edhe të paktën 6 kokë lopë, qumështi i të cilave është i dedikuar për hotelin. “Kemi edhe një serë dhe në dimër furnizohemi po nga e njëjta. Përballohen pa problem sallatat, pasi ferma është 3-4 dynymë dhe ka prodhim të mirë. Ky model ku hoteli ka fermën e vet, ku merr furnizimin, ka 20 vjet që funksionon. Fillimisht, ferma u krijua në funksion të restorantit, i cili vit pas viti u rrit dhe çoi deri në ndërtimin e hotelit. Mund të them që ferma na ka lehtësuar shumë nga njëra anë, pasi e kemi të sigurt produktin dhe vjelim aq sa na duhet.
Nga ana tjetër, na ka dhënë emër të mirë, pasi klienti e di se ku është siguruar ushqimi që po konsumon. Ne kemi vijuar të zgjerojmë hapësirat tona në hotel, duke konsoliduar shërbimet dhe kemi vijuar me ndërtimin e SpaCenter, pishinën e brendshme dhe jakuzzin. Të gjitha këto do të bëhen funksionale pak më vonë. Ne kemi rezervimet e fundit me turistë deri në fillim të tetorit. Nga përshtypjet që marrim deri tani për pushimet e tyre mund të them që janë të kënaqur”, nënvizon Prifti.
Turizmi po nxit kantinat e verës drejt agroturizmit, “lulëzojnë” paketat e winetesting
Shtatë vjet më parë, Blerimi do të eksperimentonte me WineTesting (shijimin e verës), një produkt që do ta ofronte në kantinën e tij. Fillimisht, gjërat do të ishin më të thjeshta, me grupe të vogla për të arritur tek lulëzimi i tre viteve më parë, kur kjo u masivizua edhe falë grupeve të organizuara të turistëve të vendosur në Golem. “Vitet e fundit janë hapur resorte të mëdha në Durrës.
Ndërkohë është rritur edhe frekuentimi nga nordikët, gjermanët, polakët, rusët, lituanezët, çka ka bërë që shpesh, tur-operatorët të përfshijnë edhe vizitat nëpër kantinat e verës si pjesë të tureve që ofrojnë” shprehet Blerim Kokomani, president i kompanisë “Kokomani Vineyard sh.p.k”.
Sipas tij, nordikët janë më tepër të interesuar për këtë lloj aktiviteti dhe aktualisht janë ture ditore. Rritja e interesit e ka nxitur të mendojë ta zgjerojë biznesin me strukturë akomoduese në mënyrë që turistët e interesuar për të qëndruar më gjatë edhe të flenë. Vit pas viti, ai thekson se ka rafinuar paketat që ofrohen nga kantina e tij dhe vreshtat 18 hektarëshe në kodrat e Eminas i Vogël dhe Hardhishtë.
“Sot, ne kemi tri paketa të ndryshme që ju ofrohen turistëve që na vizitojnë. Paketa 1000 lekë përfshin degustimin e tre llojeve të verës që kemi dhe një antipastë të thjeshtë. Kemi një menu tjetër me kosto 2000 lekë dhe një menu që shkon 30 euro, për ata që rrinë me orë të gjata dhe që përfshin gatime tradicionale, vizitë në vreshtë, drekë ose darkë, si dhe mundësohet shijimi i gjithë produkteve shqiptare të zonës, duke nisur nga pula e fshatit, mishi i kecit, qengjit, mishi i viçit.
Pjesa më e madhe zgjedhin verën dhe antipastën, por edhe paketa ‘all inclusive’ preferohet shumë dhe raportet janë 60 me 40%. Ne po punojmë për vitin që vjen për ngritjen e dhomave, shtimin e hapësirave ekstra si pishinat ku turistët mund të qëndrojnë një ditë aty ose një natë dhe të largohen të nesërmen”, shprehet Kokomani. Lidhur me lehtësitë për të nxitur prodhuesit vendas të verës, ai shprehet se vera vendase goditet për shkak se klasifikohet si produkt luksi, njëlloj siç janë cigaret apo pijet e shtrenjta.
“Ne flasim për agroturizëm, ndërkohë që ligjet ndryshe bëhen e ndryshe zbatohen. Ne nuk kemi mjaftueshëm stimuj për t’u zhvilluar. Ka modele të suksesshme si Italia apo Mali i Zi, ku kantinat trajtohen ndryshe dhe kjo ka dhënë rezultat shprehet ai.
Më herët për “Monitor”, edhe Sokol Hoxha i “Shkodra Travel” pohoi se ai ishte i gatshëm të furnizohej me verë nga prodhuesit e vegjël vendas. Por kjo po rezulton e pamundur, për shkak se ata nuk arrijnë që të pajisen me pullë fiskale dhe si rrjedhojë, nuk mund të shesin me fatura. “Monitor” foli me një prej prodhuesve, me kapacitet rreth 3-4 mijë litra verë në vit, i cili ka një vresht në zonën e Vorës, por nuk pranoi të identifikohej me emër. Ai na shprehu shqetësimin se ka tentuar të formalizohet dhe nuk është problem regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe marrja e një NIPT-i, por nuk arrin të blejë pullë fiskale. Pulla fiskale merret në doganë, por pas disa tentativave, pohon ai, i shpjeguan që procedurat ishin aq të vështira për sasi të vogla, sa nuk ia vlente fare mundimi.
Prodhuesi pohon se për këtë problem i është drejtuar me një shkresë dhe zv.kryeministrit Erjon Braçe, ministrit të Turizmit, Blendi Klosi, dhe ministres së Financave, Anila Denaj, por nuk ka marrë zgjidhje prej tyre. “Në Shqipëri, pjesa më e madhe e vreshtave janë 2-4 dynymë. Në këtë mënyrë, jo vetëm që nuk nxitet prodhimi vendas, por favorizohet importi dhe rritet informaliteti në vend”, pohon ai.
Mungojnë stimujt
“Ne flasim për agroturizëm, ndërkohë që ligjet ndryshe bëhen e ndryshe zbatohen. Ne nuk kemi mjaftueshëm stimuj për t’u zhvilluar. Ka modele të suksesshme si Italia apo Mali i Zi, ku kantinat trajtohen ndryshe dhe kjo ka dhënë rezultat shprehet ai.
Suveniret, italianët preferojnë simbolet tona kombëtare, polakët konjakun
Të gjithëve na ndodh që kur vizitojmë një vend të ndalojmë gjithmonë në një dyqan suveniresh, thjesht për të marrë një copëz kujtimi që aty apo për të bërë një dhuratë.
Turistët që vizitojnë Shqipërinë e respektojnë gjithashtu këtë traditë dhe kërkesa për suvenire është rritur paralelisht me numrin e vizitorëve. Nerada Kulla nga “Marigo Souvernirs” në Durrës sqaron se për këtë vit, pritshmëritë ishin më pozitive, por realiteti ka treguar se rritja edhe pse ka vazhduar, ka qenë më modeste.
“Kërkesa për suvenire ka qenë në një rritje të vogël në raport me një vit më parë, por sërish mbetet rritje. Mendoj që një lloj efekti e ka dhënë situata politike, e cila ka qenë e nderë në muajt e parë dhe në vazhdim me protestat, çka mund të ketë dhënë një lloj frenimi tek turistët”, shprehet ajo. Kur e pyesim për preferencat e të huajve, Nerada tregon se duhet të kemi parasysh si fillim ndarjen në disa kategori të suvenireve.
“Kemi disa grupe ku, së pari, e fillojmë me suvenire të thjeshtë siç janë gotat, magnetet apo suvenire stilolaps, pjata që të gjitha bëhen në Kinë me porosi. Mundohemi që, vit pas viti, të shtojmë elemente të reja në lidhje me suveniret dhe këtë vit, për shembull, kam shtuar ndarësen e librit që nuk ka qenë në treg. Larmia e suvenireve vijon me bizhuteri të punuara me dorë, blloqet me dru dhe foto. Një tjetër kategori është ajo e produkteve tipike shqiptare si raki, konjak, gliko. Konjaku është i kantinës Skënderbeu, verërat janë shqiptare nga Çobo dhe Kokomani, ndërsa disa produkte të tjera nga Rapsodia. Tek suveniret duhet të jesh shumë përzgjedhës pasi nuk duhet të zhgënjesh turistin, pasi kjo do të fliste keq edhe për vendin”, nënvizon Nerada.
Ajo tregon se në dyqan mund të gjesh edhe prodhime shqiptare handmade si qeleshe, çifteli apo punime me tezgjah. Blerja apo preferenca e turistëve varet shumë nga origjina e tyre. Lidhur me Durrësin, ajo thotë se preferenca e tyre është që të blejnë pamjet që i kanë parë gjatë vizitës siç mund të jetë Amfiteatri apo Torra. Pamjet e qytetit shiten më shumë. Ndikim domethënës, sipas saj, kanë dhënë edhe turistët që vijnë me kroçera. Por cilat janë preferencat e turistëve për suvenire?
“Polakët dhe bullgarët pëlqejnë suvenire të thjeshta, ato më tipiket, edhe pse të parët kanë dobësi edhe për konjakun ‘Skënderbeu’. Nordikët, nga ana tjetër, duan gjëra më të fisshme dhe janë më të kujdesshëm në zgjedhje.
Edhe turistët nga Kina janë frekuentues të rregullt të dyqaneve të suvenireve por janë shumë përzgjedhës, marrin çaje, por edhe punimet me dorë hyjnë në preferencat e tyre. Koha që kalojnë në përzgjedhjen e një suveniri është e gjatë dhe duan ta prekin dhe analizojnë mirë përpara se ta blejnë.
Gjermanët kanë dobësi për bunkerët dhe kjo lidhet me faktin se janë disa dokumentarë të prodhuar për Shqipërinë me këtë fokus dhe të transmetuar në Gjermani, çka grish gjithmonë kureshtjen e tyre për këtë periudhë të vendit tonë. Italianët, numri i të cilëve është rritur dukshëm nga viti në vit, duket se kanë dobësi për simbolet tona kombëtare. Preferojnë flamurin, bluza me flamurin shqiptar dhe magnet me flamurin shqiptar, kurse te pijet zgjedhin rakinë”, tregon Nerada.
Ajo nënvizon se përshtypjet që merr nga turistët janë pozitive, por ka nevojë për më shumë marketing dhe nisma që përmirësojnë shërbimin ndaj tyre, qoftë dhe informimin e turistëve për destinacionet.
Butrinti “tërheq” jahtet ditorë, fermat e midhjeve kthehen në trend
Ben Çipa, prej 30 vitesh punon në sektorin e turizmit dhe prej të paktën 19 vitesh operon si agjenci nën “Sipa Tours”. Duke parë rritjen e interesit për Shqipërinë në aspektin turistik, ai nënvizon se ka lindur nevoja që vit pas viti, paketat që ofrohen të jenë gjithmonë e më të veçanta.
“Numri i turistëve është rritur dhe kjo ka bërë që kudo nëpër Shqipëri të ofrohen paketa që e bëjnë përvojën e turistit sa më unike. Është rritur interesi për Jeep Safari, për udhëtime me anije dhe për organizime që ne i quajmë net shqiptare, ku fokusi vihet te tradita dhe trashëgimia. Po ofrohen gjithmonë e më shumë paketa, që nuk janë masive, por për grupe të veçanta.
Po marr si shembull Sarandën. Ne ofrojmë turin dhe eksplorimin e midhjes dhe ky është një tur specifik. Ka një pjesëmarrje të vogël dhe është i limituar. Organizohet në sezonin e prodhimit të midhjes nga maji në fund të qershorit dhe zhvillohet në liqenin e Butrintit me varkat e vogla të fermerëve të midhjes. Gjatë turit shpjegohet sesi funksionon midhja nga embrioni deri në momentin që e shijojmë të gjallë nga liqeni, shoqëruar me një gotë verë në liqen”, – sqaron Çipa.
Sipas tij, këtë tur e preferojnë kryesisht polakët dhe nordikët. Orientimi te Jeep Safari nuk është i rastësishëm. Ka një interes në rritje për këtë aktivitet dhe ai na tregon një paketë të gatshme në një Jeep Safari në Durrës. “E gjithë rruga bëhet me makina të larta dhe të hapura, në mënyrë që turisti të ndiejë atmosferën jashtë, të ndiejë diellin, jodin në breg, vreshtin. Trajektorja që përshkohet prek zonën rurale, pra fshatrat dhe turisti ka mundësi të shohë si duken ato, të shohë banorët e zonës, si sillen dhe flasin me të huajt, detaje që një turist ka dëshirë gjithmonë t’i prekë dhe t’i njohë kur shkon në një destinacion që nuk është i vendit të tij.
Ky tur përfshin edhe zonën e eksplorimit të bunkerëve dhe më pas, kur gjithçka ka mbaruar, vjen momenti i ofrimit të drekës në një nga kantinat e verës të zonës, ku mund të shohësh në çdo element kantinën, rrushin e mbledhur apo shijimin e verës. Pas kësaj, turistëve u jepet mundësia që të vizitojnë Spillenë, duke kaluar dy orë të plota në këtë breg dhe më pas kthehen në hotele në zonën e Golemit”, sqaron Çipa.
Por Jeep Safari nuk ofrohet vetëm në Durrës. Edhe në Jug të vendit ka një paketë tjetër të dedikuar. Ai organizohet duke kombinuar rivierën, ku turistët kanë mundësi të vizitojnë bregdetin si dhe të shkelin rrugët e paasfaltuara në fshatin Pilur, 900 metra mbi nivelin, si dhe më pas të vizitojnë si grup edhe shtëpinë e një bujku të zonës që në mënyrë tradicionale ofron gostitë e veta. Vizita vijon në varrezat e fshatit për të treguar simbolikën e përdorimit të kostumit popullor dhe më pas mundësia për të ofruar një drekë “bio” tek një vilë e zonës shoqëruar me polifoninë shqiptare.
Pas kësaj, nis zbritja në bregdet, duke shijuar plazhet e Himarës, si dhe vizita në Porto Palermo, duke bërë mbylljen e turit në Kalanë e Lëkurësit me perëndimin e diellit. Në darkë organizohet nata shqiptare me muzikë tradicionale shqiptare dhe polifoni. Është çdo gjë autentike nga Shqipëria për të mbetur në mendjen e turistit.
Sipas Çipës, rritje ka shënuar edhe turizmi i jahteve ditore që vijnë dhe vizitojnë Shqipërinë. Kjo është e dukshme sidomos në Sarandë.
“Butrinti është pjesa kryesore për ata që vijnë me jahte, pasi bëjnë një vizitë të shkurtër në këtë sajt që është pjesë e trashëgimisë botërore, kalojnë disa orë të mira në Sarandë dhe rikthehen andej nga kanë ardhur. Në shumë raste e përdorin Shqipërinë edhe për furnizimin me karburant”, – nënvizon ai.(MONITOR)