Nga Kastriot Kotoni
Tema e turizmit në Shqipëri në kohë të ndryshme të historisë tërheq vëmendje dhe me të drejtë është bërë trend i kohës në mediat shqiptare. Për herë të parë në kuptimin profesional për turizmin në vendin tonë kemi shkrime të viteve 1928-1940 Në shtypin e kohës. Ajo që bie në sy është këndvështrimi i studimeve të Institutit të Gjeologjisë së Milanos në vitin 1926. Me pak fjalë ky Institut kishte studiuar klimën, ujërat dhe rrugët e Shqipërisë dhe padyshim infrastrukturën e hotelerisë dhe numrin e shtretërve në perspektivë. Ata konsideronin si zonën më kreative e Veriut të Shqipërisë, nga Thethi e Boga drejt Razmës e Bunës së lundrueshme e deri në Velipojë si plazhe të së ardhmes. Ky territor me bukurinë mahnitëse të alpeve të egra dhe me klimën e shëndetshme ka një potencial të jashtëzakonshëm për thithjen e turizmit, sepse për një orë gjendesh në një tjetër panoramë fantastike në shëtitjen me anije drejt liqenit të Shkodrës, e hidhesh më tutje në ujërat e Adriatikut drejt bregdetit Dalmat. Jugu i Shqipërisë shihej ende me skeptiçizëm për arsye transporti dhe të një bregdeti të egër e shumë moçalor, mungesa e porteve dhe aeroporteve. Tirana e viteve 1930 jep shenjat e para të investimeve në hoteleri dhe gradualisht ky fenomen shtrihet edhe në zonat e Durrësit e të Korçës e Beratit. Tashmë zbulohet një Shqipëri jo vetëm romantike e ciklit të kreshnikëve dhe e kanunit, por siç do të thoshin turistët francez: -“Ju shqiptarët doni të visheni me veshje evropiane dhe natyrisht mirë e bëni, por keni kostumet tuaj popullore thesare që bota nuk i ka, ose janë zhdukur mos nguroni t’i vishni ato”. 700 turistët francez shëtisnin rrugëve të Tiranës me qeleshet shqiptare në kokë andej nga viti 1936, sipas gazetës “Minerva”. Turizmi shqiptar në kohën e diktaturës dihet ishte një turizëm i brendshëm për masat e popullit dhe shpesh si një organizim i emancipimit shoqëror e shpesh propogandistik me vendet e ish bllokut socialist. U shtuan kapacitetet e hoteleve dhe qendrave të pushimit dhe u investua në infrastrukturën rrugore. Si pjesë e propogandës së partisë në pushtet u krijua një shoqëri e “Alb-Turizmit Shqiptar”, e cila u lidh me kompanitë më të famshme në botë të turizmit. Ky lloj (turizmi politik), dilte padyshim me humbje, sepse ai bazohej në një lloj klientele që kishte për bazë opinionin e shoqatave të miqësisë me vendin tonë, dhe aprovimi i çdo individi për të vizituar jepej sipas opinonit të kryesisë së shoqatave në bashkëpunim me zyrën e Bashkëpunimit dhe marrëdhënieve me jashtë pranë Ministrisë së punëve të Jashtme. Po ashtu ky numër tejet i kufizuar i vizitorëve të huaj në Shqipëri i shtohej edhe mbikëqyrja e organeve të Sigurimit të Shtetit e cila kishte organikën e tij në Drejtorinë e Alb-Turizmit Shqiptar. Më shumë ndiqeshin nga Sigurimi i Shtetit antarë ose simpatizant të partive Marksist-Leniniste të cilët vizitonin Shqipërinë me kosto thuajse qesharake dhe ka pasur jo pak raste, kur pasi kanë parë me sytë e tyre realitetin shqiptar kanë shkruar artikuj në shtypin perëndimor. Një përshkrim tejet mbresëlënës nga koha e diktaturës ka lënë në kujtimet e tija historiani austriak Karl Kaser. Historiani Vjenez vjen në Shqipëri në moshën 33 vjeçare në bazë të një marrëveshjeje zyrtare mes Shqipërisë dhe Austrisë në vitin 1987 dhe ka ardhur sërish në Shqipëri thuajse për çdo vit. Karl Kaser shkruan, se Shqipërinë e kishte njohur nëpërmjet librave dhe transmetimeve televizive të ndeshjeve të futbollit, ku mund të shihej stadiumi “Qemal Stafa” dhe mali i Dajtit në sfond. Ky historian i Evropës Juglindore gjendej në Shqipëri për studimin e kulturës historike dhe asaj bashkëkohore të vendit tonë. Ai shkruan në paragrafin e parë të librit, se ”Kujtimet e mia duhet të lexohen, së pari nëpërmjet këndvështrimit tim “objektiv” si historian, por kjo nuk do të thotë se nuk kam bindjet e mia politike. Ai shkruan se ka qenë pjesë e kampit të majtë në Austri, më pas e gjeti veten tek Partia e Gjelbërt dhe siç thotë – kam qenë gjithmonë armik i socializmit të vërtetë, por edhe i demokracisë sociale. Kujtimet e austriakut Kaser mbështeten në dokumenta dhe në ditarin e tij personal. 12 NëNTOR, 1987: Kontakti im i parë me tokën shqiptare në aeroport. Aeroporti është i lezetshëm; miq dhe të afërm po presin udhëtarët në cep të pistës. U prita nga përfaqësuesi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, një shofer dhe një Fiat ngjyrë blu. Përshtypja ime e parë rrugës për në Tiranë: një vend shumë shumë i varfër, dhe një popull shumë shumë i varfër, mjetet kryesore të transportit janë kuajt dhe qetë. Më vendosin në geton e Hotel Tirana. Getoja e dytë për të huajt është Hotel Dajti. Dua të futem në ndonjë kafene publike, por njerzit më bëjnë të ditur se nuk jam i mirëpritur. I gjithë qyteti është zonë këmbësorësh; makinat pothuajse nuk ekzistojnë, dhe ka vetëm dy semaforë. Shëtis në kryeqytetin e Shqipërisë, që zor se ka ndonjë ngjasi me një metropol. Meqë kam ardhur nga Austria, kam ndjesinë se kam zbritur në tjetër planet. Karli vazhdon më tej, kur jep përshtypjet e një inxhinieri Italian i cili ka ardhur për punë në Shqipëri dhe është përgjegjës për përmisimin e linjës telefonike Tiranë- Shkodër. Çdo ditë italiani më tregon histori të reja mbi moralin e punës kolegëve shqiptarë. Për disiplinë nuk bëhet fjalë, madje edhe në momentet më kyçe të punës ata i fusin një pushim kafe konjak. Gjatë orarit të punës ata e kanë zakon të braktisin vendet e punës dhe të shkojnë për të bërë pazar ose gjëra të tjera personale. Vizita në qytetin e Krujës i le shije të keqe historianit Kaser. Përshtypje të tmerrshme: fëmijë të pisët këmbëzbathur dhe me të shkurtra; barinj delesh dhe burra të veshur me rroba të vjetra, pantallona dhe xhaketa të ngrëna si mos më keq, ulur mbi bordurat e ndyra të rrugës, gra të mbuluara; për më tepër, këpucët janë të paimagjinueshme. Në vizitën zyrtare në ekspozitën “Shqipëria Sot”, ai jep konkluzionet tija, për shpalljen e ateizmit sigurisht nuk është një arritje e madhe, zgjidhja që i dha Qemal Ataturku problemit të fesë ishte shumë më bindëse. E vërtetë që PPSH e nisi nga zero në 1944! Megjithatë, arritjet janë zhënjyese. E vetmja dukuri pozitive për mua shton ndër të tjera profesori : është fakti i dukshëm se Partia kërkon të gjejë mënyrën e saj për të tejkaluar mungesën e zhvillimit. Përshtypjet që kemi ne në perëndim për Shqipërinë komuniste janë plotësisht të gabuara dhe çorientuese. Betejat ideologjike, që PPSH ndërmerr kundër ”revizionistëve”, “eurokomunistëve”, etj japin përshtypjen se Shqipëria është një shtet socialist me zhvillim të lartë, madje edhe ideologjikisht. Këto janë gjepura! Ata që besojnë se shqiptarët përputhen me ideologjikisht me Partinë e tyre gabohen tmerrësisht. Mjafton të vizitosh fshatrat; aty nuk të mirëpret socializmi, por tradicionalizmi, më së shumti ai islamik. Përtej pallavrave ideologjike, mendoj se PPSH ka dy synime të vërteta: Të fitojë luftën kundër varfërisë….Socializmi primitivë nuk mund të fuksionojë në një shoqëri të zhvilluar, shkruan ndër të tjera historiani austriak, dhe vazhdon më tej. Sapo vendi të hapë dyert e tij për botën e jashtme, sistemi i bukur do të shkërmoqet. Në të njëjtën kohë izolimi do të kthehet në problemin më të madh të vendit. Një gjeneratë e tërë rritet e fokusuar totalisht mbi vendin e saj, pa asnjë ide mbi Evropën. Historiani në vijim të Ditarit të tij ka vizituar Muzeun Kombëtar dhe e quan humbje kohe pavionin e katitit të tretë kushtuar Luftës Nacional-Çlirimtare, Tirana për arsyje se i ka pallatet të gjitha njësoj, ai e ka të vështir të orientohet. Vizitat në Pogradec dhe në Shkodër e në Korçë duket se nuk kanë lënë mbresa, po ashtu edhe vizita në varrin e Enver Hoxhës nuk e bën entuziast, por duhet bër për hir të protokollit zyrtar. Një vit më vonë ai tashmë vjen në Shqipëri dhe akomodohet në Hotel Dajti, ku kushtet i duken shumë më mira. Ndihet i vëzhguar, por nuk i bënte përshtypje dhe kundron jetën e përditshme të shqiptarëve tashmë me syzet e një shkencëtari dhe klimatizohet me ndryshimet e viteve 1990 ndjek me vëmendje shkrimet e Dr. Ylli Popa në organin e ”Zërit të Popullit”. Për historianin austriak elita partiake në Shqipëri i trembet një reagimi të ngjashëm si në Rumani, revolta politike ka shumë gjasa të shkaktojë gjakderdhje si në Rumani, për shkak të kolapsit akut të ekonomisë dhe varfëria në rritje e një populli gjithmonë të varfër, diçka akoma më e qartë për një të huaj. Situata në zonat rurale është vështë veçanërisht dëshpëruese. Prodhimi industrial vazhdon të bjerë. Gjatë “Pranverës Shqiptare” shqiptarët nuk u ndaluan më të flisnin me të huajt. Ky përbënte një zbulim të ri për të dy palët, se siç e kishte zbuluar ai në vizitën e parë, ata që flisnin me të huajt rrezikonin deri në shtatë vjet burgim. Vazhdojnë fletët e ditarit të historianit të kalojnë në vitin 1991 kur ai i sheh me entuziazëm ndryshimet politke në Shqipëri. Në vitin 1992 vjen për herë të parë me makinën e tij në Shqipëri. Ritja e numrit të makinave, nga zero në disa mijëra, ka pasur të mirat dhe pasojat e saj. Tirana ka ndryshuar rrënjësisht…Një nga vendet më të qeta në planet është kthyer në një qytet të zhurmshëm dhe të pisët. Qyteti fillon të rritet, i papërmbajtur, pa kurrfarë kontrolli. “Ditari” me kujtimet e historianit austriak mbarojnë me udhëtimin e tij në zonën e Fterrës në Jugun e Shqipërisë në vitin 1998.