Pas marrëveshjes politike mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, debati në Parlament është zhvilluar dje vetëm me një kundërshtar, kreun e LIBRA-s, Ben Blushi.
Si rrallë më parë, deputetët e opozitës nuk kanë thënë asnjë fjalë të keqe për qeverinë, e njëjta gjë edhe nga krahu i qeverisjes.
Madje, me nisjen e procesit të votimit, Edi Rama ka ironizuar me Salin Berishën, duke thënë se vota e tij pro qeverisë së tij ishte ëmbëlsira në fund të seancës.
Dakordësinë e fortë mes PS-së dhe PD-së e ka shfaqur dhe Ilir Meta me komentet e tij, duke thënë se atij i kishte mbetur vetëm Sali Berisha.
“Unë me atë e kam tani, këta të tjerët (PD-PS) e kanë me njëri-tjetrin. Unë e kam tani. Kur të iki unë bëni çfarë të doni ju të tjerët”, tha dje Meta.
Ben Blushi e ka quajtur si dasmë mes PS-së dhe PD-së seancën e djeshme, duke thënë se “Ju që nuk latë banditë, kriminelë dhe vrasës pa futur në Rilindje, ju kishte ngelur një pa futur, Sali Berisha. E futët edhe Saliun”.
Edi Rama i ka quajtur akuzat e Blushit si shpifje dhe se ai është mërzitur se nuk është pjesë e ndarjes së tepsisë së pushtetit. Sali Berisha ka dalë me një tjetër teori, duke thënë se Ben Blushi shfaqi simptoma xhelozie dhe këtë e kishte nga dashuria e pakëmbyer.
Blushi akuzoi Ramën se ka tradhtuar 21 janarin, por Rama ka lexuar një mesazh të xhaxhait të Aleks Nikës.
BATUTAT DHE REPLIKAT NË KUVEND
Oerd Bylykbashi: Komisionet e vetingut të jenë çështja e fundit për shqyrtim dhe miratim nga seanca sotme.
Gramoz Ruçi: Nuk e kuptoj këtë kërkesë. Unë do të doja të kundërtën, kjo seancë e jashtëzakonshme do të ishte në nderin e saj ta fillonte me vetingun. Këtu e kemi lënë, kjo duhet të na bashkojë. Nuk ka asnjë argument.
Ilir Meta: Unë them ta bëjmë siç e kemi rendin e ditës…
Gramoz Ruçi: Ngritja e kësaj çështjeje tregon një mungesë besimi. Që pa e filluar, ne shprehim mosbesim në rendin e ditës.
Ilir Meta: Mendoj të mos e ndryshojmë rendin e ditës.
Sali Berisha: Dakord! (ngre dorën)
Ilir Meta: Zoti Berisha dha dakordësinë e tij, besoj vazhdojmë tani. Unë me atë e kam tani, këta të tjerët (PD-PS) e kanë me njëri-tjetrin. Unë e kam tani. Kur të iki unë bëni çfarë të doni ju të tjerët.
Edi Paloka: Nuk është ajo që ka frikë Gramozi për mosbesim apo jo, por ka qenë pjesë e marrëveshjes. Ky vetingu i famshëm të jetë akti që mbyll seancën.
Edi Rama: Ëmbëlsira në fund është vota e Saliut për qeverinë time…
Ilir Meta: Nuk duhet të hyjmë në debat, vetingu nuk është as në fund dhe as në fillim, por është qendra e gravitetit.
Edi Rama: Vota pro e Saliut për qeverinë është e pikë e fundit, ëmbëlsira. (qesh) (Pas shkarkimit dhe emërimit të ministrave të rinj)
Ben Blushi: Do të ishte e papërshtatshme t’ua prishja sot dasmën. Të dyja palët keni ardhur në një dasmë sepse sapo keni votuar një qeveri të përbashkët. Cila është arsyeja që ju çoi në bashkëqeverisje. Është për të qeshur dhe për të qarë që pas 27 vjetësh sharje e kacafytjesh, Sali Berishën dhe Edi Ramën i kemi sot në një qeveri. Saliu qesh, e di që i pëlqen kjo gjë, ka kohë që do të jetë në qeveri me rilindjen. Më në fund e realizoi. U fut në çadër tre muaj si heronjtë e Republikës së re dhe si dolët nga çadra? Ca si elektricistë të OSHEE-ja, ca si drejtorë Burgjesh, ca si njerëz që shpërndajnë tapi në hipoteka. Këto i ndatë me Rilindjen. Dhe ju që nuk latë bandit edhe kriminel dhe vrasës pa fut në Rilindje, ju kishte ngelur një pa futur Sali Berisha. E futët dhe Saliun. Komplimentet e mia!
Edi Rama: Të gjithë e tregonin qartësisht se e vetmja gjë që i shqetësonte te marrëveshja ishte që nuk gjenin veten në tepsi. Ben Blushi ka një lidhje shumë të fortë me tepsinë. Dhe për fat të keq vazhdon dhe këtu persiston si zëdhënës i të gjithë atyre që ndihen të privuar në pjesën e tyre të tepsisë. Është thënë dhe është rithënë jo një ndryshim në qeveri për të ndarë tepsinë. Ministrat që sot janë votuar këtu nuk kanë ardhur në qeveri për të përfaqësuar PD-në, por për të garantuar PD-në dhe opozitën si ministrat teknikë në mbrojte të zgjedhjeve. Të thuash që vetingu po votohet për ta penguar reformën, është e sforcuar dhe shumë e mjerë nga pikëpamja e mendjes. Mjerim që vjen nga dembelizmi mendor i njeriut që mendon se i di të gjitha. Që kujton se ia kanë fajin të tjerët që nuk është në krye të të gjithëve. Dhe nuk le gjë pa thënë kundër të gjithëve, ndërkohë që fajin për gjendjen ku ndodhet e ka thjesht vet.
Ben Blushi: Bashkëqeverisje të mbarë, ka vetëm një mundësi t’ju përshëndes sonte. Me vargjet fatale të Fan Nolit që tha: “Ngrihuni dhe bjeruni, korrini dhe shtypini, katundarë dhe punëtorë, që nga Shkodra gjer në Vlorë”. Kështu do ta pësoni të gjithë më 25 qershor.
Ilir Meta: Me qetësi…
Edi Rama: Fan Noli do rrotullohej në varr bashkë me katundarët dhe punëtorët, se nuk di ku gjendet një katundar dhe punëtor që ti besojë Ben Blushit.
Ben Blushi: T’u mor fryma. Do të sjell një pompë…
Edi Rama: Blush, ndër të tjera the dhe një nga ato aguridhet e tua të zakonshme që dënohen zgjedhësit dhe nuk dënohen komisionerët dhe numëruesit. Është tipike për ty, që je dembel që nuk ke vullnet as ti mësosh. Je dhe shumë hipokrit me njerëzit që flet, se po t’i mësosh pastaj janë krejt ndryshe nga se ti do të doje të ishin që të mund t’i shash të gjithë, t’i vësh të gjithë njësoj sikur janë fajtorët për gjendjen tënde dhe gjendjen tënde ta ndash me gjendjen e katundarëve e punë- torëve të Fan Nolit. PS-në do ta votojnë më shumë se në vitin 2013. Dhe unë nuk e di a do jesh ti këtu, por nuk do të na mungosh në katundin politik dhe mediatik. Je s’je përgatitur se këtu më ke mua me këtë bluzën këtu kur të hapet parlamenti i ri, se pastaj nuk e di se kush do votojë dhe kush nuk do votojë në këtë sallë. Ti përgatitu të mos zhgënjehesh më shumë se nga marrëveshja.
Edi Paloka: Siç ju tha dhe kolegu i maxhorëncës, në këtë seancë jo se kishim vendosur të mos bënim diskutime, por e tillë u vendos procedura. Nuk duhej ta merrte askush fjalën për të diskutuar. Nuk duhet ta kthenim seancën në tallavanë e askujt që na vjen këtu si i virgjër, ka ardhur në parlament me votat e PS-së, ka 20 vjet në qeveri e parlament. Tani na luan të virgjrin këtu, na tregon çfarë duhet të bënte çadra. Ndërkohë që vetë me firmat e kësaj partie u regjistrua në KQZ për të bërë opozitën fallto, na kërkoi dhe komisionarët pasi u regjistrua tani po na flet për parime. Nuk jemi këtu as për të dëgjuar të virgjrit që janë qepur pas zhvirgjërimit dhe as kryeministrin që na tregon se cili do jetë trendi i veshjeve.
Ben Blushi: Foli 20 minuta sikur kishte një hallvë në gojë, kishte nevojë për një pompë siç duket. S’tha asnjë fjalë për Saliun, Saliu e ka aleat. Ne me gjithë Saliun do bëjmë vetingun. Çfarë thoshin deri para një jave? Saliu po na pengon, nuk do vetingun. (I drejtohet Berishës) Hë Sali po qesh, pse qesh? Si erdhi puna, Edi Rama të mbron ty kundër meje. Doli këtu më sulmoi mua, mbrojti Saliun. Pyet pak çfarë thotë për ju, Aleks Nika dhe Ziver Veizi. A jeni bashkë ju sot? Ju autorët e 21 janarit. Dhe kush beson se kjo qeveria që po bëni ju do bëj drejtësi! Kush nuk besoj se kjo që po bëni është imunitet ndaj Reformës në Drejtësi. Dhe ti Edi Paloka, kur the kolegu i maxhorancës, për Edi Ramën e kishe… Është dita më e lumtur që ju kam të gjithëve kundër. Më 25 qershor do t’ia grisim bluzën që ka veshur, ai është tatuazhi i turpit.
Edi Rama: Nuk është i pari ky janë dhe të tjerë që të nesërmen e marrëveshjes kanë nxjerrë nga varri të vrarët e 21 janarit dhe jo vetëm kaq, por i kanë rivrarë. Siç i ka rivrarë ky këtu që çfarë thoshte për 21 janarin.
Ben Blushi: Atë që them dhe sot që ti ike se pate frikë.
Edi Rama: Për t’i rivarë ata dhe familjarët e tyre me qëllim që të ndezin gjakun e katundarëve dhe punëtorëve që sipas dembelit lidhje me ata nuk ka. Po lexoj mesazhin e xhaxhait të Aleks Nikës: “Të përshëndes mik! Është mirë të bisedojmë sa më shpejt, sepse jam i shokum. Informoje Edin se çka është thënë nuk është shkruar nga ana ime. Kurrë nuk mendoj se ai na tradhton. Informojë se e kam përgënjeshtruar”. Ky është njeriu i keqpërdorur nga Ben Blushi.
Sali Berisha: S’do komentoj marrëveshjen, sepse për mua ajo është “VVin-VVin Story”. Do të them vetëm dy fjalë, jam mjek dhe asgjë s’më shqit mua nga psikologjia. Duke të dëgjuar ty (Ben Blushit), konstatoj një shpërthim xhelozie të papërmbajtur. Xhelozia është sentimenti që lind në dashuri dhe i cili prodhohet nga frika se personi i dashuruar preferon tashti dikë tjetër. Njerëz me ndjenja jemi ne. Këshilla ime medikale se me përmallove kur ia recitove Nolin, por aty kuptova se ka filluar të duket vetja dhe Fan Nol. Po mirë është e drejta jote, këshilla mos harro asnjëherë. Është e vërtetë që dashuria lind xhelozinë, por xhelozia shkatërron dashurinë, prandaj me karar, sepse qëllimi yt është të kthehesh aty nga dole.
Ilir Meta: Vazhdojmë me dashuri, pa xhelozi me votimin…