Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar sërish në lidhje me luftën në Ukrainë, duke kritikuar ashpër qasjen e administratës paraardhëse të Joe Bidenit, si dhe duke theksuar se fitorja ndaj Rusisë është e pamundur pa sulm ndaj vendit pushtues.
“Është shumë e vështirë, në mos e pamundur, të fitosh një luftë pa sulmuar vendin pushtues. Është si një ekip i madh që ka një mbrojtje fantastike, por nuk mund të luajë në sulm. Nuk ka asnjë mundësi për të fituar!”, shkruan Donald Trump në platformën “Truth”.
Në këtë postim, Trump e cilësoi ish-presidentin Joe Biden si “të korruptuar dhe të paaftë”, duke e akuzuar se i ka lejuar Ukrainës vetëm të vetëmbrohet dhe jo të ndërmarrë ofensiva kundër Rusisë.
“Dhe kështu ndodhi me Ukrainën dhe Rusinë. Joe Biden, i korruptuar dhe i paaftë, nuk e lejoi Ukrainën të sulmonte, por vetëm të mbrohej, dhe si përfundoi kjo?”, sulmoi Trump paraardhësin e tij në detyrë.
Trump përsëriti: “kjo është një luftë që nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse unë do të isha president”.
Ai përfundon duke paralajmëruar se “na presin kohë interesante”.
Këto komente vijnë në një moment delikat për situatën e luftës Rusi-Ukrainë, ku Trump ka ndërmjetësuar një takim të mundshëm mes dy presidentëve Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky.











