Në Japoni nuk e përmendi me emër, por referenca ishte e qartë; paralajmërimi i Donald Trump se “asnjë diktator nuk duhet të nënvlerësojë Shtetet e Bashkuara” shkonte direkt për Kim Jong-un.
“Askush, asnjë diktator, asnjë regjim nuk duhet të nënvlerësojë Amerikën dhe vendosmërinë e saj”, deklaroi shefi i Shtëpisë së Bardhë gjatë fjalës së mbajtur para trupave amerikane në bazën ajrore Yokota, pranë Tokios.
“Ju jeni kërcënimi dhe frika më e madhe e tiranëve dhe diktatorëve që dhunojnë të pafajshmit”, vijoi Trump, duke shtuar megjithatë se “regjimet autoritare e kanë një rrugë drejt zhvillimit dhe paqes”.
Presidenti iu referua historisë për të përforcuar paralajmërimin e tij.
“Në të shkuarën na kanë nënvlerësuar dhe nuk përfundoi mirë për ta (diktatorët). Kurrë nuk do të përkulemi, kurrë nuk do të ngurrojmë për të mbrojtur njerëzit tanë dhe flamurin tonë”, deklaroi Trump.
Japonia është ndalesa e parë e turit të vizitave zyrtare në 5 vende të Azisë Lindore. Tokia pritet që t’u kërkojë garanci Shteteve të Bashkuara për zotimin për sigurinë e aleatëve të saj në rajonin e trazuar nga tensionet.