Presidenti Donald Trump i mohoi dje planet për të lëvizur Ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem brenda këtij viti.
Deklarata vjen vetëm pak kohë pasi presidenti izraelit, Benjamin Netanjahu, u shpreh që lëvizja e shumëdebatuar do të ndodhë brenda një viti.
Donald Trump hodhi poshtë politikën e jashtme amerikane të ndjekur për vite të tëra, ku njoftoi në dhjetor se SHBA njeh Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.
Në këtë mënyrë, Trump njoftoi nisjen e procesit të zhvendosjes së Ambasadës amerikane, një vendim që vuri në rrezik përpjekjet paqësore në Lindjen e Mesme, duke tronditur botën arabe dhe aleatët perëndimorë.
Në dhjetor, sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, tha se zhvendosja e Ambasadës do të bëhej “me gjasa jo më vonë se 3 vjet”, një afat që sipas zyrtarëve të administratës u duhet për të gjetur dhe përshtatur një vend të sigurt për diplomatët amerikanë.
Jeruzalemi është toka e vendeve të shenjta për myslimanët, hebrejtë dhe të krishterët.
Palestinesët e duan kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm Jeruzalemin Lindor, të cilin Izraeli e zaptoi në vitin 1967 gjatë luftës arabo-izraelite, një lëvizje që nuk gjeti mbështetje ndërkombëtare.
Në lidhje me zhvendosjen e ambasadës amerikane, mediat izraelite kanë cituar kryeministrin Netanjahu, i cili gjatë një udhëtimi drejt Indisë, në dhjetor, është shprehur: Bindja ime është se kjo do të ndodhë shumë shpejt, më shpejt sesa ju mendoni. Brenda një viti.
Por në lidhje me këtë, Trump i është përgjigjur ndryshe interesimit të agjencisë Reuters: Deri në fund të vitit? Këta janë dy skenarë të ndryshëm. E kam fjalën në terma kohorë. Nuk po e mendojmë tani këtë gjë.
Megjithatë, Trump prmtoi një “ambasadë shumë të bukur, por jo që kushton 1.2 miliardë dollarë”, duke iu referuar kështu kostos së ambasës amerikane në Londër. (Reuters-TemA TV)










