Presidenti amerikan, Donald Trump do të fillojë sot udhëtimin e tij të parë jashtë vendit, pavarësisht skandaleve të shumta që po përballet mbi mënyrën se si po trajton hetimet mbi lidhjet mes fushatës së tij elektorale dhe Rusisë.
Trump pritet të mbërrijë të shtunën në Arabinë Saudite para se të shkojë në Izrael, Vatikan, Belgjikë dhe Itali.
Qëllimet e këtij udhëtimi kanë të bëjnë me rikonfirmimin e lidershipit botëror amerikan, vendosjen e marrëdhënieve me liderët botërorë dhe dhënien e një mesazhi uniteti mes tre besimeve kryesore në botë.
Ky udhëtim përfshin edhe një takim me krerët e NATO-s në Bruksel dhe të G7-ës në Siçili.
Në Arabinë Saudite, Trump pritet të njoftojë një marrëveshje ushtarake me liderët sauditë, si dhe të takohet me mbretin Salman, do të zhvillojë takime me Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit dhe do të mbajë një fjalim para më shumë se 50 liderëve myslimanë ku do u kërkojë të luftojnë ekstremizmin.
Në Izrael, Trump pritet të zhvillojë bisedime me presidentin, Reuven Rivlin dhe kryeministrin, Benjamin Netanyahu si dhe do të udhëtojë drejt Autoritetit Palestinez për t’u takuar me presidentin Mahmoud Abbas.
Trump do të jetë presidenti i parë amerikan që viziton Murin Perëndimor.
Ai do të mbajë gjithashtu një fjalim në Muzeun e Izraelit.
Presidenti do të ketë një audiencë me papa Françeskun ne Vatikan dhe me liderët italianë në Romë para se të fluturojë për në Bruksel për takimin e NATO-s dhe në Siçili për G7-ën./b.d