Donald Trump kërkon që të zgjerojë territorin e Shteteve të Bashkuara edhe pse ende nuk është betuar si president. Ai kërcënon me rimarrjen e kontrollit të Amerikës mbi Kanalin e Panamasë, duke akuzuar autoritetet e atij shteti se përdorin nivele të tepruara të tarifave për kalimin e mallrave.
“Po na vjedhin në Kanalin e Panamasë, ashtu si kudo tjetër. Një rimarrje e tij është ide e mirë. Pse ia dhanë atë Panamasë? Nuk do ta bënim kurrë nëse do të mendonim për këtë që tani po ndodh. Nuk do të lejonim kurrë që të binte në duart e gabuara. Ne do të kërkojmë që Kanali i Panamasë t’i kthehet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i gjithi dhe sa më shpejt, pa asnjë dyshim. Zyrtarë të Panamasë , ju lutemi udhëzohuni në përputhje me rrethanat. Kur presidenti Jimmy Carter e fali marrëzisht, e dha për një dollar. Ishte vetëm për Panamanë për ta menaxhuar dhe jo Kina apo ndonjë shtet tjetër”, tha Trump.
Në rrjete sociale, Trump publikoi dhe një imazh të Kanalit ku valëvitej një flamur amerikan me mbishkrimin: “Mirë se vjen në Shtetet e Bashkuara Kanal!”. Nuk ka munguar as reagimi nga autoritetet në Panama.
“Dëshiroj që të theksoj se çdo metër katror e Kanalit të Panamasë dhe zonës përreth i përket Panamasë dhe do të vazhdojë të jetë kështu. Sovraniteti dhe pavarësia e vendit tonë nuk është e negociuesgme. Tarifat nuk vendosen sipas qejfit. Por duke marrë në konsideratë tregjet dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, koston operacionale dhe mirëmbajtjen. Kanali nuk është i kontrolluar direkt apo indirekt nga Kina, komuniteti Europian, Shtetet e Bashkuara apo ndonjë fuqi tjetër”, tha Jose Raul Mulino, President i Panamasë.
Presidenti i zgjedhur amerikan nuk është ndalur me kaq në aspiratat e tij territorial, teksa rikthen në qarkullim idenë e blerjes së ishullit të Grenlandës nga Danimarka.