Kryeministri Edi Rama udhëton sot drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një ditë para mbledhjes së Bordit të Paqes që do të zhvillohet në Uashington, me ftesë të presidentit Donald Trump.
Një muaj më parë, Rama bëri të ditur se kishte marrë ftesë për t’u bërë pjesë e këtij organizmi të ri ndërkombëtar, i cili synon administrimin e Gazës dhe nxitjen e paqes në rajon. Ai e cilësoi përfshirjen si një moment krenarie për Shqipërinë, duke theksuar se vendi ynë është ndër shtetet themeluese të Bordit dhe se nuk do të kontribuojë financiarisht për anëtarësimin apo për statusin e përhershëm.
Sipas Ramës, Bordi i Paqes nuk do të jetë “një forum tjetër deklaratash”, por një mekanizëm i përqendruar në vendimmarrje dhe përgjegjësi konkrete në nivel global.
Nga ana tjetër, Trump ka njoftuar se të enjten, më 19 shkurt, do të zhvillohet në Uashington takimi i parë zyrtar i Bordit që nga themelimi i tij në janar. Ai bëri të ditur se shtetet anëtare kanë premtuar mbi 5 miliardë dollarë për përpjekjet humanitare dhe rindërtimin e Gazës së shkatërruar nga lufta, si dhe kanë angazhuar mijëra efektivë në një forcë ndërkombëtare stabilizimi dhe në mbështetje të policisë lokale për garantimin e sigurisë dhe paqes për banorët e Gazës.
Trump theksoi gjithashtu se plani i tij është miratuar unanimisht nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së vitin e kaluar dhe se, përveç mbështetjes financiare, ai parashikon dislokimin e forcave ndërkombëtare në terren për të garantuar stabilitetin.
Sipas presidentit amerikan, Bordi i Paqes pritet të hyjë në histori si një nga organizmat ndërkombëtarë me ndikimin më të madh global. “Është nderi im të shërbej si kryetar i këtij Bordi që synon paqen botërore”, u shpreh ai.











