Trump kërcënon me tarifa 50% për vendet që furnizojnë me armë Iranin, tensionet vijojnë pas armëpushimit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, paralajmëroi se çdo vend që furnizon me armë Iranin do të përballet me tarifa të menjëhershme prej 50%.
Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump theksoi se nuk do të ketë “asnjë përjashtim”, duke e cilësuar masën si pjesë të presionit për të frenuar mbështetjen ushtarake ndaj Teheranit.
Ai deklaroi gjithashtu se SHBA-të synojnë të bashkëpunojnë me Iranin pas asaj që e përshkroi si një “ndryshim produktiv të regjimit”, duke theksuar se nuk do të lejohet pasurimi i uraniumit. Sipas tij, Uashingtoni është i gatshëm të ndihmojë në eliminimin e materialeve bërthamore dhe të diskutojë lehtësimin e sanksioneve dhe tarifave, duke shtuar se një pjesë e marrëveshjes është dakordësuar tashmë.
Ndërkohë, Garda Revolucionare e Iranit reagoi ashpër, duke deklaruar se forcat e saj janë në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo sulmi të ri. Në një deklaratë zyrtare, ajo theksoi se “duart janë në këmbëz” dhe paralajmëroi se çdo agresion do të marrë një përgjigje më të fortë.
Po ashtu, Garda Revolucionare u bëri thirrje partnerëve rajonalë të SHBA-së që të ndërpresin bashkëpunimin, duke pretenduar se kanë parë “paaftësinë” e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.
Zhvillimet vijnë në një kohë kur tensionet mbeten të larta në rajon, pavarësisht armëpushimit të shpallur. Raportohet për incidente të vazhdueshme, përfshirë një sulm ndaj rafinerisë Lavan në Iran dhe sulme me dronë në Kuvajt, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe kanë aktivizuar mbrojtjen ajrore ndaj kërcënimeve me raketa.











