Fundvitet zakonisht duhet të jenë raste për një bilanc, jo për një rilançim. Ky fundvit megjithatë, vlen për të dyja, sepse, në tensionin e luftës, në Europë kanë kaluar pa u vënë re kërcënimet e fundit me të cilat po na “nderon” Shtëpia e Bardhë. Nuk janë gjë e vogël. Të martën, përfaqësuesi i Tregtisë Jamieson Greer publikoi një shënim ku paralajmëron se Shtetet e Bashkuara do të përdorin “çdo mjet në dispozicionin e tyre” nëse Bashkimi Europian dhe qeveritë e tij nuk ndalojnë me “paditë ligjore, taksat, gjobat dhe direktivat diskriminuese e ngacmuese kundër ofruesve të shërbimeve amerikane”.
Kërcënimet, siç do të shohim, janë të qarta dhe prekin plotësisht edhe Italinë. Të gjitha shenjat konvergojnë në një drejtim: fakti që iu la fitorja Donald Trump-it në çështjen e tarifave mbi mallrat nuk e ka qetësuar; përkundrazi, ushqen agresivitetin e tij. Ku është bilanci pra në gjithë këtë? Ai është i përkohshëm, por ekziston: nëse pasiviteti dhe pasiguria e Bashkimit Europian, është realiteti që po merr përsipër t’i tregojë Trump-it dështimin e politikës së tij tregtare; me të, dalin në pah çarje në të gjithë politikën e tij ekonomike dhe, në perspektivë, në sistemin e tij të pushtetit. Trump na duket aq i fortë sa nuk e shohim mirë dobësinë e tij. Por është pikërisht nga kjo dobësi që Europa duhet të nisë sërish në vitin 2026.
Pakënaqësi në SHBA
Grafiku i publikuar të premten e kaluar nga Universiteti i Michigan-it, i cili çdo muaj mat humorin e konsumatorëve amerikanë, tregon se në dhjetor ata ndihen më keq sesa menjëherë pas kolapsit të Lehman Brothers apo gjatë pothuajse të gjitha recesioneve të pasluftës. Në një vit të presidencës Trump, vlerësimi i familjeve për gjendjen e tyre ekonomike ka rënë me 33%, ndërsa ai për perspektivat ka rënë pak më pak.
Natyrisht, realiteti nuk është kaq dramatik. Amerika nuk është në gjendje më të keqe sesa gjatë Recesionit të Madh para 15 vitesh apo periudhave të papunësisë së lartë në dekadat e mëparshme. Paul Krugman mendon se një ndjenjë e përhapur përjashtimi nga aspektet më konkrete të “ëndrrës amerikane” (shtëpia, shëndeti), mungesa e sigurisë ekonomike dhe padrejtësitë e dukshme në mundësitë, i bëjnë amerikanët më pesimistë sesa tregojnë thjesht të dhënat e rritjes apo punësimit.
Megjithatë, Trump goditet drejtpërdrejt nga kjo pakënaqësi. Të gjitha segmentet e elektoratit, sipas moshës, gjinisë, racës apo arsimit, në shumicë e kundërshtojnë punën e tij, sidomos në çështjet ekonomike (inflacioni, taksat, puna). Diferenca mes vlerësimeve pozitive dhe negative për presidentin, pas gati një viti, anon qartë nga mosmiratimi, më shumë sesa në të njëjtën periudhë për Joe Biden dhe, për pjesën më të madhe të kohës, edhe më shumë sesa vetë Trump gjatë mandatit të parë.
Sulmi i Greer
Në këtë klimë, presidenti amerikan ka gjetur fajtorin: Europën. Përfaqësuesi i Tregtisë, Greer, ka ndërmarrë një sulm që tingëllon si hapi i parë i një fushate të re. Ai thotë se Bashkimi Europian dhe qeveritë e tij po përndjekin kompanitë amerikane të shërbimeve, ndërsa, sipas tij, administrata amerikane u lejon kompanive europiane të operojnë pa pengesa në SHBA. Greer përmend edhe nëntë kompani me emër, mes tyre francezet Mistral dhe Publicis, si dhe gjermanet SAP dhe Siemens (por mund të kishte përmendur edhe italianen Bending Spoons).
Në përfundim, Greer paralajmëron: “Nëse Bashkimi Europian dhe shtetet anëtare vazhdojnë të kufizojnë, pengojnë dhe dekurajojnë konkurrueshmërinë e ofruesve amerikanë të shërbimeve përmes mjeteve diskriminuese, Shtetet e Bashkuara nuk do të kenë zgjidhje tjetër veçse të fillojnë të përdorin çdo instrument në dispozicion për t’iu kundërvënë këtyre masave të paarsyeshme”. Ai shton se ligji amerikan lejon vendosjen e taksave apo kufizimeve ndaj shërbimeve të huaja, nëse do të nevojiten masa hakmarrëse.
Është kërcënimi i një faze të re të luftës tregtare. Për çfarë bëhet fjalë? Seksioni 891 i Kodit Tatimor Amerikan të vitit 1986 i jep presidentit autoritetin të dyfishojë tatimin mbi qytetarët dhe ndërmarrjet e një vendi të huaj “nëse ai vend i nënshtron qytetarët ose ndërmarrjet amerikane ndaj një tatimi diskriminues ose jashtëterritorial”. Jo vetëm kaq. Ekziston tashmë precedenti i tarifave të posaçme prej 25% mbi një sërë produktesh prodhuese franceze gjatë mandatit të parë të Trump-it, si reagim ndaj taksës së Parisit mbi shërbimet digjitale të miratuar në vitin 2020. Një shembull tjetër, përsëri kundër Francës, është tarifa 100% si kundërmasë e shpallur në pranverë për subvencionet transalpine ndaj industrisë kinematografike. Për më tepër, në Washington tashmë flitet hapur për goditjen me sanksione personale, njësoj si ndaj oligarkëve rusë, të funksionarëve dhe politikanëve europianë që do të zbatonin rregullat digjitale të Brukselit ndaj ndërmarrjeve amerikane.
Fjalët e Von der Leyen
Pesë muaj pas shtrëngimit të diskutueshëm të duarve mes Trump dhe Ursula von der Leyen në fushën e golfit në Turnberry të Skocisë, jemi tashmë përballë “tarifave 2, hakmarrja”. Rrallëherë fjalët e Ursulës kanë qëndruar kaq keq përballë kohës sa ato të thëna në fund të korrikut, kur deklaroi: “Kemi një marrëveshje të madhe që do t’u sjellë stabilitet dhe siguri bizneseve tona”. Thuaja këtë sot kompanive që kërcënohen me tarifa të reja apo dyfishim taksash me dekret presidencial.
Dhe nuk do të jetë vetëm problem i Francës. Edhe këtë herë Trump ka në shënjestër shumë vende. Në qendër janë taksat mbi shërbimet digjitale, të aplikuara nga 17 shtete europiane, përfshirë Italinë, Francën, Spanjën, Mbretërinë e Bashkuar, Poloninë dhe Gjermaninë. Në Itali bëhet fjalë për një taksë 3% mbi xhiron kombëtare të kompanive digjitale me të ardhura mbi 750 milionë euro në botë, që prek Meta-Facebook, Google-Alphabet, X të Elon Musk apo OpenAI, duke sjellë rreth 600 milionë euro në vit për financat publike.
Taksat për kompanitë e mëdha të teknologjisë
Ideja se ky tatim është “diskriminues” është, sinqerisht, qesharake. Këto kompani shumëkombëshe amerikane prej vitesh shmangin taksa me vlerë qindra miliarda euro në Europë, falë një sistemi të sofistikuar që përfshin Irlandën dhe reformën fiskale të Trump-it në vitin 2017. Nëse ka diskriminim, ai është në favor të tyre, pasi paguajnë shumë më pak taksa sesa kompanitë europiane që veprojnë në të njëjtat tregje. Problemi nuk është se Shtëpia e Bardhë nuk e kupton këtë, por se nuk dëshiron ta kuptojë: mes Trump-it dhe gjigantëve të teknologjisë ekziston një pakt oligarkik i bazuar në para dhe pushtet elektoral.
Pesë muaj më parë, mes luftës tregtare dhe çnderimit, Europa zgjodhi çnderimin. Dhe para se viti të mbyllet, rrezikojmë një luftë të re tregtare. Si duhet reaguar?
Negociata e re
Është më e arsyeshme të shihet si po funksionon deri tani politika e tarifave për Shtëpinë e Bardhë. Sipas Trump-it, ajo synonte përmirësimin e bilancit tregtar, krijimin e vendeve të punës në industri dhe rritjen e të ardhurave fiskale. Në të tre këto drejtime, me intensitete të ndryshme, Trump po dështon.
Jo vetëm që humori i amerikanëve është i keq, por edhe deficiti tregtar i SHBA-ve për mallrat ka arritur gati një trilion dollarë në nëntë muajt e parë të vitit 2025, rreth 120 miliardë më shumë se në vitin e fundit të Biden-it. Në vend që të përmirësohej, është përkeqësuar. Ndërkohë, punësimi në industri ka nisur të bjerë. Siç shpjegon Penelope Naas nga German Marshall Fund, tarifat e Trump-it e bëjnë prodhimin industrial në SHBA më të shtrenjtë dhe më pak konkurrues. “Për çdo 10 mijë vende pune që krijojmë në industrinë e çelikut falë tarifave, thotë ajo, humbasim 175–200 mijë vende pune në sektorët e tjerë të industrisë që varen nga çeliku”.
Shkrim nga Federico Fubini për Corriere Della Sera











