Administrata amerikane po godet fort kërkimin shkencor, duke krijuar mundësi për Europën që të tërheqë talentet. Por për të arritur këtë, duhet një mbështetje financiare më e madhe.
Për dekada me radhë, “rrjedhja e trurit” nga Europa në Shtetet e Bashkuara ka qenë e njëanshme, një rrjedhje e vazhdueshme përtej Atlantikut. Por tani situata po ndryshon. Ndërsa qeveria amerikane e Donald Trump-it po redukton ndjeshëm buxhetet për kërkimin shkencor, shumë studiues po mendojnë të largohen nga Amerika.
Ndryshe nga pritshmëritë që goditja do të ishte e përqendruar në çështje kulturore të ideologjisë liberale të majtë, si mjedisi apo studimet gjinore, goditjet prekin fusha themelore të shkencës, pa dallim ideologjik. Për shembull, janë prekur fondet për kërkime mbi diabetin, sterilizimin e insekteve, kirurgjinë me lazer, dhe madje edhe studimet mbi valët gravitacionale që fituan çmimin Nobel.
Sipas të dhënave, fondet për Institutin Kombëtar të Shëndetit (NIH) janë ulur me 40%, ato për NASA-n me 25%, ndërsa për Fondin Kombëtar për Shkencën (NSF) është bërë një shkurtim drastik prej 57%, që do të thotë 6 miliardë dollarë më pak. Financimi për matematikanët dhe fizikantët është ulur me mbi 60%, ndërsa edhe Inteligjenca Artificiale po merr më pak fonde sesa kërkohet.
Kërkuesit duan të ikin
Një pjesë e madhe e studiuesve amerikanë po shqyrtojnë seriozisht mundësinë e largimit. Sipas një sondazhi të revistës shkencore Nature, 75% e 1 mijë e 600 kërkuesve që u anketuan po mendojnë të emigrojnë kryesisht në Kanada dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Tashmë edhe Europa ka mundësinë e saj. Mes viteve 2012-2020, 1 milion të diplomuar europianë shkuan përtej oqeanit. Shpesh mes tyre ishin më të mirët. A mund të shpresohet në një kthim të madh të talentëve të rinj në shkencë? Madje, jo vetëm të rinjve premtues.
Një studim i institutit Bruegel tregoi se rreth 10% e shkencëtarëve kryesorë në SHBA kanë lidhje me Europën. Madje kjo shifër arrin në 20% për universitetet e mëdha si Harvard dhe Columbia.
A do të rikthehen në Europë?
Shansi për Europën është i madh, por nuk duhet harruar se pagat për kërkuesit janë ende shumë më të ulëta në krahasim me Amerikën.
Në Francë, për shembull, një studiues 35-vjeçar fiton rreth 4 mijë euro në muaj, ndërsa në SHBA paga është 2 mijë euro më e lartë. Për shkencëtarët më të njohur, diferenca është edhe më e madhe.
Në SHBA mund të fitojnë mbi 500 mijë dollarë në vit, ndërsa në Europë pagat zakonisht nuk kalojnë 100 mijë euro. Megjithatë, për shumë studiues rëndësi ka edhe mbështetja morale, infrastruktura dhe financimi i projekteve.
Bashkimi Europian ka krijuar një fond prej 500 milionë eurosh për kërkime, por kjo shumë është shumë e vogël për të konkurruar seriozisht me SHBA-të.
Financimi është çelësi
Bruegel sugjeron se duke përdorur fondet e mbetura nga paketa anti-Covid, Europa mund të arrijë të sigurojë deri në 4 miliardë euro për kërkimin shkencor gjatë 5 viteve të ardhshme.
Kjo shumë do të ishte në nivel me investimet amerikane, ku vetëm Instituti Kombëtar i Shëndetësisë atje ka pësuar shkurtime fondesh prej 2.2 miliardë dollarësh.
Deri tani, 13 vende europiane kanë kërkuar nga Komisioni Evropian që të rrisë ndihmën financiare. Disa universitete në Bruksel dhe Marsejë kanë nisur programe për të tërhequr kërkues nga SHBA-të.
Italia, e cila nuk ofron stabilitet për studiuesit, mbetet jashtë kësaj gare, megjithatë potenciali që këta talentë të sjellin në Europë është i rëndësishëm për të gjithë rajonin./ Shkrim nga La Repubblica











