Presidenca qipriote e BE-së është tronditur orët e fundit nga një skandal korrupsioni që ka përfshirë presidentin dhe nivele të larta qeveritare. Gjithçka ndodhi pasi në rrjetin social X qarkulloi një video ku shfaqeshin zyrtarë publikë që pranonin praktika korruptive për të siguruar akses te Presidenti Nikos Christodoulides.
E përfolur në këtë skandal është edhe Zonja e Parë e Qipros, Philippa Karsera, e cila dha dorëheqjen si kryetare e një organizate bamirësie të lidhur me shtetin që ndihmon fëmijët në nevojë.
Thuhet se donacionet për një organizatë bamirësie të kryesuar nga gruaja e Presidentit Christodoulides janë përdorur për të fituar akses politik te bashkëshorti i saj. Karsera i mohoi akuzat, por dha dorëheqjen pas sulmeve të vazhdueshme në internet ndaj saj dhe familjes së saj.
Po ashtu, u dorëhoq edhe shefi i kabinetit të presidentit qipriot Christodoulides, Charalambous. Ata që e kanë publikuar videon pretendojnë se ekzistonte një skemë ku kompani qipriote biznesi i jepnin para nën dorë presidentit në këmbim të favoreve në tenderime publike. Bisedat, të cilat thuhet se përfshinin investitorë të rremë që pretendonin se do të investonin mbi 100 milionë euro, përqendrohen kryesisht në financimin me miliona euro të fushatës elektorale të presidentit Christodoulides.
“Nuk kam asgjë për t’u frikësuar dhe nuk po fshihem”, u shpreh presidenti Christodoulides, i cili ka hedhur poshtë akuzat ndaj tij për financim të paligjshëm të fushatës elektorale.
“Do të doja t’u bëja thirrje publikisht kujtdo që ka prova për përfitime financiare të drejtpërdrejta ose të tërthorta gjatë fushatës zgjedhore ose gjatë kohës sime si President i Republikës, t’ua paraqesë ato menjëherë autoriteteve shtetërore kompetente. Nuk do t’i jap askujt, absolutisht askujt, të drejtën të më akuzojë për korrupsion”.
Christodoulides e ka përshkruar çështjen edhe si pjesë të një “lufte hibride”, që dyshohet se është orkestruar nga një aktor i huaj, ndoshta Rusia.
Zyrtarët në Nikozia e kanë konsideruar videon si një “aktivitet hibrid” keqdashës dhe të montuar, që synon të dëmtojë imazhin e qeverisë dhe të vendit.
Shërbimet e inteligjencës së Qipros po hetojnë burimin e videos, për të cilin kanë kërkuar ndihmë nga SHBA-të dhe Izraeli. Mediat lokale, duke cituar burime qeveritare, pretendojnë lidhje të mundshme me fushatën dezinformuese të Rusisë, e njohur për video anonime që paraqiten si gazetari investigative. Nga ana tjetër, ato kanë pretenduar se teksti shoqërues ishte shtypur në një tastierë me shkronja të alfabetit turk.
Asnjë zyrtar qipriot nuk e ka fajësuar publikisht Ankaranë deri më tani. Opozita qipriote ka kërkuar transparencë, duke hedhur poshtë pretendimet për ndërhyrje të huaja dhe duke thënë se problemi është korrupsioni.
Qiproja ka zgjedhje parlamentare në muajin maj, ndërkohë që zgjedhjet e ardhshme presidenciale janë planifikuar për vitin 2028.











