• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Wednesday, December 24, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Dossier

Triniteti Qeveri/ Investitor/Botë Akademike – domosdoshmëri për qëndrueshmërinë mjedisore dhe cilësinë e jetës

by Java News
18/08/2022 11:03
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Prof. Aleko Miho*

 

Sot po lulëzojnë në Shqipëri projektet e zhvillimit të infrastrukturës publike, si rrugët e reja, tunelet, aeroportet, portet apo centralet për energji, projektet për trajtimin e mbetjeve të lëngëta, djegësit, projektet e rilindjes urbane etj., shumica të realizuara përmes një partneriteti publik-privat (PPP). Për më tepër, projektet private kanë kohë që po zhvillohen vrullshëm, kryesisht në infrastrukturën urbane dhe turistike, apo shërbime të tjera, përgjatë bregdetit, por jo vetëm, nga qytetet e mëdha deri në zonat e thella, ende të paprekura dhe ekologjikisht të brishta. Nga njëra anë, kjo tregon një zhvillim të mirë ekonomik të vendit, edhe pse relativisht pjesor; p.sh. mungojnë projektet thelbësore në një sektor jetik si ai u bujqësisë dhe blegtorisë! Por a janë gjithë këto projekte dhe nisma shpesh të shëndetshme për mjedisin dhe cilësinë e jetës? A merret parasysh mendimi shkencor sa duhet? A ka kërkime të mirëfillta socio-ekologjike mbi qëndrueshmërinë mjedisore për secilin projekt? Si është cilësia shkencore këtyre kërkimeve dhe e autorëve përkatës? Si është qasja mjedisore gjatë ndërtimit dhe më pas gjatë punës së këtyre investimeve? Ekspertët që punojnë në biologjinë e ruajtjes në vite janë skeptikë dhe shumë kritikë. Në disa nga këto projekte vendimmarrja ka qenë disi arbitrare, e shpejtuar, ndonjëherë e dyshimtë dhe e përfolur. Nuk u kanë shpëtuar këtyre nismave as zonat e mbrojtura (shih Miho, 2018) në vend, përfshirë dhe ato me status ndërkombëtar! Kuptohet se ndërtimi brenda ZM-ve nuk mund të konsiderohet miqësor me natyrën dhe në parim është jo i qëndrueshëm.

Në shumë prej projekteve të zbatuara ose në zbatim, publike apo private, mungon vlerësimi i duhur mjedisor (VNM – Ligji 10440/2011, i ndryshuar me Ligjin 128/2020); shërbimet e ekosistemit nuk konsiderohen si duhet, në përputhje me kërkesat ndërkombëtare (p.sh. Strategjia e BE-së për Larminë Biologjike 2030, Nisma e BE për Infrastrukturën e Gjelbër), dhe konventat e tjera ndërkombëtare për mjedisin (d.m.th. Konventa Ramsar, 1971; Konventa për Larminë Biologjike, 1992; Konventa e Bernës, 1997; UNFCCC, 1992; Protokolli i Kiotos, 2005; etj.). Vlen të përmendet se shërbimet e ekosistemit përfshijnë gjithë përfitimet që burojnë nga natyra te njeriu (furnizimi me ushqim, ajër dhe ujë të pastër, lëndë të para dhe energji), rregullatore (kontrolli i ujit dhe klimës, riciklimi i lëndëve ushqyese, mbrojtje, riprodhim, vetëpastrim, formim plazhesh ose tokash pjellore), ose kulturore (çlodhje, shërim, frymëzim). Në ditët e sotme këto njihen gjerësisht si mundësi e dobishme për një qasje holistike për zgjidhjen e sfidave të shumta ekologjike dhe socio-ekonomike (Memorandumi i Vjosës, 2016).

Por shumë prej VNM-ve me të cilat ne jemi njohur kanë qenë shpesh të nxituara dhe sipërfaqësore, larg përmbushjes së standardeve të kërkuara: kjo për cilësinë e dobët të ekspertëve përkatës, për shkak të kohës së shkurtër për vlerësimin, dhe për mungesën e të dhënave thelbësore (p.sh. Schiemer et al. 2021: Review of the Main Environmental and Social Impact Assessment (ESIA) for the HPPs on the Shushica). Dhe në vijim, vazhdon shqyrtimi i përciptë dhe jo profesional i dosjeve të secilit projekt, ose ndjekje e cunguar e zbatimit të tyre, dhe më pas e ecurisë së veprimtarisë së subjektit të ndërtuar, nga ana e institucioneve përgjegjëse. Përvoja në vendet e zhvilluara, por edhe në Shqipëri, tregon se një qasje e tillë ka rezultuar në pasoja dhe prirje negative mjedisore të thella dhe afatgjata, p.sh. rritje e shpeshtisë së përmbytjeve, erozion i theksuar i shpatit, i brigjeve lumore dhe bregdetit, i uljes së cilësisë së ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore, i varfërimit të burimeve nëntokësore, dhe i varfërimit të biodiversitetit (Schiemer et al. 2018, Miho et al. 2021, Mullaj et al. 2017, etj.); sigurisht këto kanë pasoja negative për vendin, për njeriun, për klimën, dhe vetë cilësinë e jetës. Nga ana tjetër, për të ripërtërirë ekosistemet e degraduara nevojiten masa restauruese të kushtueshme për brezat e ardhshëm.

Në vite kemi punuar me ekspertë ndërkombëtarë të biologjisë së ruajtjes, në lumenjtë shqiptarë, në ujëmbledhësin e Bovillës, në 10 vitet e fundit veçanërisht në lumenjtë Vjosë dhe Valbonë, dhe së fundi në ligatinat e Kune-Vainit (Miho et al. 2005, 2009, 2018, 2021, Diku et al. 2017, Schiemer et al. 2018, 2020, 2021, Meulenbroek et al. 2020, etj.). Nga gjithë kjo përvojë kemi theksuar disa herë nevojën e krijimit të një platforme ndërfaqe shkencë-politikë. Kjo do të kërkonte një pjesëmarrje dhe një strukturë vendimmarrje të qartë që shkenca të mund t’u ‘flasë’ politikëbërësve, autoriteteve dhe palëve të tjera të interesit, dhe një përfshirje e drejtpërdrejtë e vendimmarrësve politikë në procesin e diskutimit; kjo mund të jetë në formën e një Tryeze të Rrumbullakët ku të përfshihen ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë (IWRS, 2019 – Peticioni i shkencëtarëve për Vjosën), ku të mund të diskutohen dhe të merren vendimet e duhura për gjithë çështjet kyçe të identifikuara që lidhen me çdo investim të rëndësishëm në vend. Një mënyrë të tillë komunikimi e kemi parë vetëm në gjendjet e jashtëzakonshme, si p.sh. Komiteti Teknik i Ekspertëve për masat anti-COVID, Komisioni Shqiptar i Rindërtimit nga pasojat e tërmetit etj. Ne këmbëngulim se një përvojë e tillë mund të institucionalizohet edhe për kushte normale të zhvillimit të vendit, për projekte dhe nisma madhore, publike ose private, ku në qendër të jetë edhe qëndrueshmëria mjedisore, dhe zhvillimi i qëndrueshëm.

Triniteti Qeveri/Investitor/Botë Akademike është domosdoshmëri për të garantuar qëndrueshmërinë mjedisore, menaxhimin dhe përdorimin si duhet të burimeve natyrore, mbrojtjen e cilësisë së jetës, për sot dhe për nesër. Një gjë e tillë duket si një rreth vicioz, disi utopik, por arsimi, veçanërisht arsimi i lartë, është faktor drejtues kyç për rritjen ekonomike. Cilësia e botës akademike universitare, e veprimtarisë shkencore, performanca akademike e stafit dhe e studentëve, si dhe cilësia e diplomave që prodhon universiteti, kushtëzon shumë gjithë cilësinë e institucioneve vendimmarrëse dhe politikëbërëse, por dhe cilësinë e kompanive investitore, cilësinë e projekteve, cilësinë zbatimit si duhet të tyre, cilësinë e veprimtarisë së tyre më pas. Në këtë rreth ne kemi shumë mangësi, nga maja në bazë, objektive dhe subjektive, historike dhe të lindura gjatë tranzicionit, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të këmbëngulim të gjithë së bashku konkretisht për të bërë më të mirën e mundshme.

Në këtë, opinion unë kam lënë gjithë citimet online ku gjenden shumë prej të dhënave tona në vite, si dhe shumë këshillime herë pas here për vendimmarrjen. Politika këshillohet të bëjë përpjekje serioze për mbështetjen e rimëkëmbjes, ristrukturimit dhe fuqizimit të bazës shkencore në vend, fuqizimin e dijeve profesionale, rekrutimin, motivimin në punë dhe nxitjen e performancës shkencore të stafeve, sidomos të rinjve cilësorë. Kjo nevojitet së pari në universitete, por dhe në institucionet kërkimore, në agjencitë publike, por dhe në drejtoritë e tyre rajonale përkatëse, si dhe drejtoritë ministeriale, apo të pushtetit vendor; performanca shkencore në punë nevojitet gjithashtu edhe te stafet e vetë subjekteve ndërtuese apo atyre që mbajnë në gjendje pune subjektet e ndërtuara.

Nga ana tjetër, ne si komunitet shkencor universitar kemi për detyrë të përsosim përpjekjet tona për një qasje gjithëpërshirëse të përqendruar në kërkime praktike sa më të suksesme, në diploma dhe module lëndore që mbulojnë mirë kërkesat e zhvillimit të vendit, dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucione dhe ekspertë ndërkombëtarë; këto duhet të jenë shpesh të fokusuara në aspektet socio-ekologjike, në mënyrë që të përballen si duhet nevojat urgjente që dalin nga zhvillimi ekonomik, dhe harmonizimi me kërkesat e cilësisë së mjedisit dhe të vetë jetës; vetëm në këtë mënyrë Shqipëria do të mund të ‘sigurojë qëndrueshmërinë e vendit ndaj kërcënimeve në ardhmen, si ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike, ndaj zjarreve, ndaj pasigurisë ushqimore ose shpërthimeve të sëmundjeve’ si thekson edhe Strategjia e BE-së për Larminë Biologjike 2030. Për më tepër, opinioni i përparuar sot është se shkenca dhe demokracia udhëtojnë së bashku (d.m.th. KNAW 2014); sa më shumë politikëbërësit ta mbështetin botën akademike dhe ta lejojnë atë të ‘flasë’ me të në vendimmarrjet e rëndësishme, aq më e shëndetshme do të jetë edhe vetë demokracia në vend.

*Departamenti i Biologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. e-mail: aleko.miho@fshn.edu.al

Next Post
Detaje nga atentati në Vlorë, makina e viktimave përfundoi në kanal pas breshërisë së kallashnikovit

Detaje nga atentati në Vlorë, makina e viktimave përfundoi në kanal pas breshërisë së kallashnikovit

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

VIDEO-Mes 100 më të kërkuarve, arrestohet bosi i mafias italiane/ Publikohen pamjet e vendit sekret ku ishte fshehur..

VIDEO-Mes 100 më të kërkuarve, arrestohet bosi i mafias italiane/ Publikohen pamjet e vendit sekret ku ishte fshehur..

December 24, 2025
Raportet SHBA–Serbi, Vuçiç i pakënaqur: Prisja më shumë nga Trump

Raportet SHBA–Serbi, Vuçiç i pakënaqur: Prisja më shumë nga Trump

December 24, 2025
Puthi me dorë në Kuvend gjatë betimit/ Shabani: Nuk është formë ironike apo cinike! Kisha marrë me vete familjarët e mi

Puthi me dorë në Kuvend gjatë betimit/ Shabani: Nuk është formë ironike apo cinike! Kisha marrë me vete familjarët e mi

December 24, 2025
Ngjarja tragjike/ Pak muaj më parë i vdiq foshnja, 34-vjeçarja ndërron jetë, dyshohet se…

Ngjarja tragjike/ Pak muaj më parë i vdiq foshnja, 34-vjeçarja ndërron jetë, dyshohet se…

December 24, 2025
Albin Kurti: Ish-opozita vendos për datën e zgjedhjeve në Kosovë, dhjetor ose prill

Sulmi në Ibër-Lepenc, Albin Kurti: Qëllimi ishte destabilizimi i Kosovës

December 24, 2025
Turqi, arrestohet presidenti i klubit të futbollit të Fenerbahçes, akuzohet për trafik droge dhe…

Turqi, arrestohet presidenti i klubit të futbollit të Fenerbahçes, akuzohet për trafik droge dhe…

December 24, 2025
Dyshohet se është përfshirë në rastin e trafikimit të diplomave të falsifikuara, arrestohet ambasadori i Polonisë në Francë

Dyshohet se është përfshirë në rastin e trafikimit të diplomave të falsifikuara, arrestohet ambasadori i Polonisë në Francë

December 24, 2025
Alibia evropiane dhe fryma sovjetike e hartuesve të Kodit të ri Penal

Për ata që ëndërrojnë të vijnë në pushtet përmes drejtësisë

December 24, 2025
Shkarkimi i Veliajt, Ngjela: PS nuk priti një vendim të formës së prerë nga gjykata! Edhe kryebashkiaku pasardhës do jetë socialist

Spartak Ngjela: Opozita nuk ka ide të reja, kanë që nga ’92 me Berishën në krye! Në protestën e PD nuk ishin as..

December 24, 2025
Videoja satirike: Lista e Fëmijëve të Pabindur të Babagjyshit! Shtëpia e Bardhë: Trump ka gati emrat për dëbimet e emigrantëve me shkelje

Videoja satirike: Lista e Fëmijëve të Pabindur të Babagjyshit! Shtëpia e Bardhë: Trump ka gati emrat për dëbimet e emigrantëve me shkelje

December 24, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com