• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, December 5, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Trieste, Beograd, Sarajevë – dhe një dyshim për krime makabre

by Enver Robelli
25/11/2025 22:10
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Enver Robelli

Lufta në Bosnjë-Hercegovinë përfundoi saktësisht 30 vjet më parë, por plagët janë shumë larg shërimit. Ditët e fundit ato madje po rihapen: mediat italiane kanë raportuar vazhdimisht se prokuroria e Milanos ka nisur hetime për një kapitull të errët dhe pak të njohur të konfliktit të përgjakshëm. Sipas këtyre raportimeve, ekziston dyshimi se persona të pasur nga Italia dhe vende të tjera perëndimore, midis viteve 1992 dhe 1996, kanë udhëtuar në kryeqytetin e Bosnjës, Sarajevë, për të kryer krime të rënda. Mendohet se ata u kanë paguar para ushtarëve serbë të Bosnjës me qëllimin që, për pikë të qejfit, të qëllonin dhe të vrisnin civilë të pambrojtur.

Sarajeva qe e rrethuar për 1.425 ditë nga kodrat përreth – rrethimi më i gjatë i një qyteti në historinë moderne të Evropës. Para syve të botës u vranë më shumë se 11 mijë njerëz nga ushtria e serbëve të Bosnjës, mes tyre edhe qindra fëmijë. Rreth 14 mijë të tjerë u plagosën.

Drejtësia italiane u vu në lëvizje pas kërkimeve të gazetarit investigativ Ezio Gavazzeni, i cili në korrik, së bashku me një avokat dhe një ish-gjykatës, dorëzoi prova në prokurorinë e Milanos. Kjo u bë e ditur para gati dy javësh.

Gavazzeni shpjegoi për gazetën “La Repubblica” se të ashtuquajturit turistë të luftës niseshin nga Trieste për të shtënë mbi njerëz të pafajshëm. Nga qyteti verior italian supozohet se fluturonin me kompaninë serbe Aviogenex për në Beograd dhe prej andej vazhdonin drejt Bosnjës – vetëm për t’iu dorëzuar këtij hobi makabër. Sipas Gavazzenit, bëhej fjalë për njerëz me pasion për armët dhe me kontakte të duhura në Itali dhe Serbi. “Është indiferenca e së keqes: të bëhesh si zot dhe të mbetesh i pandëshkuar”.

Raportimet nga Italia po ndiqen me shumë interes nga familjet në Sarajevë që kanë humbur fëmijët gjatë luftës. Irina Qisiq u vra nga një snajperist më 12 tetor 1993, ndërsa po hidhte hapat e parë në rrugë, duke mbajtur dorën e nënës – vetëm katër ditë pas ditëlindjes së saj të parë. Edhe pas 32 vjetësh, prindërit i mundon pyetja se kush ia mori jetën fëmijës së tyre dhe pse caku më i madh – nëna – u kursye, ndërsa një fëmijë 75 centimetra i gjatë u vra.

Fatima Popovac tregoi në mediat boshnjake se djali i saj është vrarë nga një snajper nga pozicionet e ushtrisë serbe. 31 vjet pas krimit, kjo nënë nga Sarajeva ende ka shumë pyetje: “Si mund të vrasësh fëmijën e dikujt tjetër? Për çfarë mund të jetë fajtor një fëmijë gjashtëvjeçar? Është e pabesueshme për mua që dikush e vret fëmijën e një tjetri për qejf”.

Këtyre pyetjeve u është përkushtuar edhe ish-kryebashkiakja e Sarajevës, Benjamina Kariq, prej vitesh. Ajo ishte vetëm njëvjeçare kur filloi agresioni serb ndaj Bosnjës. Në vitin 2022, Kariq pa dokumentarin “Sarajevo Safari” të regjisorit slloven Miran Zupaniq dhe u trondit aq shumë sa menjëherë dorëzoi padi në Bosnjë dhe Itali. Deri tani drejtësia boshnjake po hesht.

Në film, dy agjentë të shërbimeve sekrete, që donin të mbeteshin anonimë, përmendin qytetarë të huaj që u bashkuan me snajperistët serbë dhe qëllonin ndaj banorëve të Sarajevës. Ata ishin përgatitur, u ishin dhënë edhe dylbi dhe armë. “Pashë si një prej tyre vrau një njeri”, tha një dëshmitar. Në turizmin e snajperistëve, me sa duket, nuk ishin të përfshirë vetëm rreth njëqind italianë.

Gazetari Ezio Gavazzeni, autor i disa librave për krimet në Itali, tha për gazetën britanike “The Guardian” se midis snajperistëve kishte “gjermanë, francezë, anglezë dhe njerëz nga vende të tjera perëndimore”.

Edhe pse lajmet për të ashtuquajturat “safari snajperistësh” po shkaktojnë tronditje në Itali dhe gjetkë, ato nuk janë krejtësisht të reja. Shkrimtari italian dhe ish-aktivisti i majtë Adriano Sofri, i cili raportoi nga Sarajeva e rrethuar në vitet 1990, shkroi në gazetën “Il Foglio” se ishte gjë e ditur gjerësisht që snajperistë të shumtë vinin nga jashtë për të qëlluar mbi civilë.

Në filmin “Sarajevo Safari”, një dëshmitar tregon se ka ekzistuar një listë çmimesh për këto krime të tmerrshme. Për vrasjen e një burri të rritur paguheshin mbi 90 mijë franga. Për gratë tarifa ishte më e ulët. Ndërsa vrasja e fëmijëve ishte, me sa duket, më e shtrenjta. Të moshuarit mund të vriteshin falas, sipas dëshmitarit.

Tani i takon drejtësisë italiane të hetojë këto akuza të rënda – por nuk duhet pasur shumë shpresë. Që nga fillimi i luftës në Bosnjë kanë kaluar mbi 30 vjet, shumë dëshmitarë ka të ngjarë të kenë vdekur, dhe provat mund të jenë humbur ose shkatërruar.

Që në vitin 2007, një zjarrfikës amerikan dëshmoi para Gjykatës së Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës në ish-Jugosllavi në Hagë, duke treguar për snajperistët e ardhur nga jashtë. Ai kishte ardhur vullnetarisht në Sarajevë gjatë luftës për të ndihmuar kolegët e tij. “Ata nuk më dukeshin vendas. Rrobat dhe armët e tyre më bënë të dyshoja se ishin snajperistë”. Amerikani i përshkroi ata si turistë të armatosur dhe “më të përshtatshëm për gjuetinë e derrave të egër në Schwarzwald (të Gjermanisë) sesa për luftë”.

Sipas gazetarit Gavazzeni, autoritetet serbe refuzuan të merreshin me këtë rast, duke e quajtur atë “legjendë urbane”, pra një shpikje apo teori konspirative. Italiani pretendon se është i vetmi në Evropë që ka sjellë dritë në këtë çështje.

Por dyshimet e para datojnë që nga viti 1995. Atëherë, gazeta “Corriere della Sera” raportoi për turistë të huaj që udhëtonin në Bosnjë për të marrë pjesë në luftë. Një skenë e famshme dhe e njohur është ajo në të cilën Eduard Limonow – politikan dhe shkrimtar ultranacionalist rus – viziton së bashku me liderin serb të Bosnjës, Radovan Karagjiq, ushtarët dhe paramilitarët në një kodër mbi Sarajevë. Videodokumenti është ende në dispozicion deri sot.

Karagjiq, mjek dhe poet amator, reciton nga një nga vjershat e tij: “Dëgjoj hapat e shkatërrimit. / Qyteti digjet si temjani në kishë”. Pastaj ai hap zjarr ndaj qytetit, i pasuar nga disa breshëri të shkrepura nga Limonow. Në luginë shihet silueta e Sarajevës: hoteli “Holiday Inn”, i ndërtuar për Lojërat Olimpike të vitit 1984, xhamitë, sinagogat, kishat katolike dhe ortodokse, urat elegante mbi lumin Miljacka, biblioteka e njohur kombëtare, Bashçarsija, qyteti i vjetër me ndikime osmane i Sarajevës. Dhe njerëz që vrapojnë për jetën e tyre, qëndrojnë para furrave të bukës ose presin të marrin ujë nga burimet. Kujtimet mbi këtë kohë të errët të rrethimit po kthehen këto ditë furishëm në Sarajevë pas raportimeve të fundit në mediat perëndimore dhe lokale.

Next Post
Ylli Manjani pyet SPAK: Si gjendet kjo foto në dorë të Gazmend Bardhit, nga celulari i sekuestruar e Ervis Berberit?!

Ylli Manjani pyet SPAK: Si gjendet kjo foto në dorë të Gazmend Bardhit, nga celulari i sekuestruar e Ervis Berberit?!

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Dita e sotme me vranësira, reshje shiu dhe shtrëngata, zonat ku do ketë prezencë bore

Dita e sotme me vranësira, reshje shiu dhe shtrëngata, zonat ku do ketë prezencë bore

December 5, 2025
Seancë maratonë/ Kuvendi miraton 13 projektligje, AMF me drejtues të ri, zgjidhet Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil

Seancë maratonë/ Kuvendi miraton 13 projektligje, AMF me drejtues të ri, zgjidhet Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil

December 5, 2025
A mund Salianji ta përsërisë historinë në PD siç bëri Rama në PS!

Forcë të re politike? Përgjigjet Salianji: S’kam marrë asgjë qyl në PD…

December 4, 2025
Karikimi i mjeteve elektrike, kryeministri Rama sqaron si do të jetë çmimi

Makinat elektrike, ERE rrëzon kërkesën e taksistëve, çmimi i karikimit mbetet 22 lekë/kWh

December 4, 2025
Erion Braçe: Po vjen tetori, komisionet duhet të nisin punën! Jemi shumë vonë me…

‘Revoltohet’ Braçe: Pensionet, një turp! Qeveria s’mund ta zëvendësojë reformën me shpërblime

December 4, 2025
“Nuk bërtas për spektakël”, Braçe për Veliajn: Më ka dhembur ajo histori, kisha të drejtë kur thashë se…

“Nuk bërtas për spektakël”, Braçe për Veliajn: Më ka dhembur ajo histori, kisha të drejtë kur thashë se…

December 4, 2025
Rama ndan punët për zgjedhjet në Tiranë, Braçe i pakënaqur: Më hoqën nga fushata në Njësinë 5 pa arsye, akt i padrejtë por..

Braçe kundër ministrit Malaj për “paqen fiskale”: Përfitojnë borxhlinjtë e mëdhenj…

December 4, 2025
“Harrove që më luteshe të të gjeja punë”/ Sherr mes Nokës dhe Bidos : Sa të bën kostumi, un aq kam pasurinë

“Harrove që më luteshe të të gjeja punë”/ Sherr mes Nokës dhe Bidos : Sa të bën kostumi, un aq kam pasurinë

December 4, 2025
“Kryetari i komanduar i PD bën biznes me Vangjush Dakon!”, Salianji: Berisha më ka thënë se…

“Kryetari i komanduar i PD bën biznes me Vangjush Dakon!”, Salianji: Berisha më ka thënë se…

December 4, 2025
“Synojmë vota nga elektorati gri”, Salianji: Kandidatët e pavarur janë të opozitës pa diskutim!

“Dua të mund Ramën, jo të qajmë prap!” Salianji zbulon ku e ka pakënaqësinë me Berishën

December 4, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In