• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Saturday, January 24, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Aktualitet

Treni ADN prej Anagnostit – poetika e kujtesës dhe kamera e ndërgjegjes

In Memoriam

by S T
24/01/2026 11:24
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Arian Leka

Në librin “Treni ADN” Dhimitër Anagnosti shfaqet jo si poeti që mëton një vend në poezi, por si autor që poezinë e ka vazhdim të jetës së vet krijuese. Qasja ndaj poetikes, si hapësirë arti e pashijuar, e vendos autorin në sporvën e një dallimi thelbësor, që veçon poetët episodikë nga ata që shkruajnë nën “ankthin e domosdoshmërisë”, apo nga kërkesa për ta lënë me shkrim fjalën e tyre. Kur ky libër u botua, ambicia artistike e Anagnostit është qetësuar falë fronit prej korifeu në kinematografi. Veçse nevoja ekzistenciale e tij për t’u shprehur edhe përmes vargjeve bëhet shtysa që e fton të dëshmohet dhe për t’u dëshmuar edhe përmes poezisë.

Kemi në duar një libër ku poezia, kinemaja, kujtesa dhe etika njerëzore bashkohen në një zë unik, që nuk konkurron me traditat, por bashkëbisedon me të. Edhe shkaktimi  i një efektit kalimtar, si ibër kurshtie prej “kineastit që shkruan poezi” është e tejkaluar. Anagnosti e di se historia e artit ka regjisorë të mëdhenj, që janë të tillë edhe në poezi. Mes tyre janë Cocteau, Tarkovsky, Pasolini apo Jodorowsky, që e poetizuan filmin dhe e kanë poezinë pjesë të së njëjtës ndjeshmëri artistike. Në këtë këndvështrim Ndaj ajo që “Treni ADN” kërkon quhet vëmendje ndaj përvojës, që urtësinë e fjalës e shndërroj në poezi vizuale.

Titulli i librit është metafora qendrore, që nxit mendimin se leximi, si jeta, është udhëtim, hapësirë ku individi – udhëtar takohet me veten, me trashëgimitë, për të pohuar se qenia përbëhet nga kujtesa personale, kujtesa e fisit dhe e njerëzimit. Treni metaforik i Anagnostit ecën mbi spiralen binare të ADN-së, duke mbartur me vete paraardhësit dhe bashkëkohësit kujtesën, “dhimbjen krenare”, peshën e gabimit të brezave, të pandrequr as sot, por dhe buzëqeshjen, shpresën, ftesën për një buzëqeshje.

*

Anagnosti hyn në poezi jo si pjesë e ndonjë brezi letrar, por si një autor që mbërrin pasi tradita është formuar. Me gjuhën dhe mjetet e një arti tjetër ai ka “shkruar” të njëjtin “tekst poetik”, pasi filmat e tij më të mirë kanë poetikë, duke bërë që filmografia dhe poezia e tij të jenë njëkohësisht sociale, personale dhe politike. Edhe tematika e tij, vargjet dhe meditimet, përkonjnë me “territore letrare” ku më herët të tjerë kanë lënë gurë kufiri të pangatërrueshëm.

Migjeni – me ankthin social, revoltën e papërmbajtur, klithmën morale dhe energjinë e bllokuar në vete; Lasgushi lirik – që ndërton metafizikë mbi muzikën, simbolin dhe peizazhin e idealizuar; Arapi – deti i të cilit është hapësirë lirike, dashuri, çlirim, magjepsje dhe bukuri; Rreshpja – poeti finosh i ekstazës së thyer, i vizionit të shfrenuar, i përfytyrimit të paparashikueshëm, që lëndon me butësi; Agolli – me përditshëminë, idilën e qytetit, idilin rural dhe etikën e njeriut të zakonshëm apo Kadareja – me obsesionin ndaj historisë, qasjet ndaj mitit dhe fajin kolektiv, duket se kanë lënë jo shumë hapësirë për pasardhësin. Veçse edhe kur duket se porta është mbyllur, era dhe rrezet e gjejnë një hapësirë për të hyrë.

Anagnosti shkel territore të ngjashme të së njëjtës gjeografi poetike: temat e vuajtjes, hipokrizisë, padrejtësia, zhënjimi, gëzimet e befta, lodhjen nga jeta. Ai nuk klith. Shpërthimet mungojnë, por ka rrëfim pas betejës, ku limiti njerëzor dëshmohet si poetikë e pas-revoltës së njeriut që e di se grushti nuk mjafton. Vargu “O, si nuk kam një grusht të fuqishëm! Malit, që hesht, mu në zemër me ia njesh” merr formën: “U lodha, u lodha, u lodha!” Ky ndryshim regjistri është thelbësor, pasi Anagnosti sjell vargjet e energjisë së shteruar dhe të kujton pikturën “Britma” të Munch-ut..

Në aspektin metafizik “Treni AND” vjen pa lirizmin e fjalës ornamentale, të temperuar me kujdes, për të nxjerrë prej saj kuptime dhe tinguj. Natyra te Anagnosti është ankth qiellor, një horror kozmik, shenjë paralajmëruese, ogur që ndjell e nuk ndjell mirë me atë “Hënë të stërmadhe, diell të stërmadh, të kuq si gjaku i mpiksur!”, me një telefon që bie për të dëgjuar dialogun: “ – Sapo mbërrita, po jam shumë e lodhur… – …Çlodhu, zemër….!” Kjo është pamja e sjellë nga autori që kërkon thellë në kuptimin e frikës dhe mendon se ekzistencializmi i përshtatet njeriut të sotëm më mirë se alegoria dhe simbolizmi.

Optimisti etik i paraardhësve letrarë ia lë vendin zhgënjimit të heshtur që, edhe pse e pranon pajtimin e njeriut me jetën, nuk rri dot pa bërë pyetjen pa përgjigje: “A ia vlen pajtimi?” “Vdekje! / E di që do vish. / Si vdekja e di! / Dhe shumë gjëra / Si vdekja i di!”. Pyetjet kthehen në dilema të njeriut që nuk e pranon si zgjidhje të qenurit i ngushëlluar apo ngushëllimin. “Vetëngushëllim, a vetëmashtrim?!”. Gjithë sa janë thënë më herët përmes formave “unë vdes për…” (atdheun, nderin, dashurinë, për ty”, te Anagnosti priren te ajo që Dostovjevski dinte kur shkruan: “unë vdes!”, pran“jam i vdekshëm”. Kjo ka rëndësi. Njeriu i Anagnostit e ka tejkaluar optimizmin si detyrim social dhe e sheh jetën si balancë të brishtë mes së vërtetës, mashtrimit, shpresës dhe vetëgënjimit.

Peizazhi, si poezi e natyrës, te “Treni ADN” është i pranishme dhe, po aq sa toka e qielli, në tekste shfaqet edhe deti. Kjo hapësirë krijimi te Deti i Anagnostit është kufi i qenies, vendi ku toka mbaron dhe fillon misteri, aventura e jetës me dilema. Ky det vjen bashkë me një “masiv shkëmbor…ngritur përpjetë duke dalë nga ujërat e thella të Jonit blu”, ai ka thellësi kërcënuese, pafundësi që të gëlltit, prani të heshtur e së panjohurës që, njëlloj si njeriu, nuk kthen përgjigje, por këqyr dhe hy në komunikim.

Një afri si kjo e lidh Anagnostin më fort me poetikën filmike, se me traditën e lirikës së peizazhit detar, duke i dhënë gjithashtu rastin të shprehet e të nderojë, përmes detit, një poet si Frederik Rreshpja, me vargjet: “Këtu prehet poeti / Prehet “lumi”, prehet “deti” / Prehet qielli i lumë / Me ylber e me furtunë / Prehet dhimbja, çmenduria, mirësia / Prehet zemra, dashuria!” Të dy ndajnë temën e dhimbjes dhe të vetmisë, por jo stilin. Anagnosti e mban imazhin nën kontroll, si te “Rekuiemi”, ku lexohen vargjet: “Askush s’derdhi lot për ty / S’kishin lindur ata sy /Turp për ne / Lavdi për ty!”. Kësisoj, Anagnosti bëhet dëshmues i etikës klasike, me fjalë të kursyera, me gjykim të prerë, më shumë skalitje se kaligrafi.

Vetë ai mund ta ndjejë kultin e gjuhës, të kujtesës dhe të kulturës së etnosit, të cilat i nderon, pa krijuar mitin e tyre. Për të kujtesa është barrë, brengë, që do gjuhë të qartë, shpesh burimore, për t’u shprehur si rrëfim prej ndërgjegjes. Kjo optikë, për nga prozodia, nuk mëton të jetë poezi në kuptimin tradicional. Autori e ndien veten udhëtar agnostik, ai që kërkon, humb dhe gjen rrugën, pa u bërë drejtuesi që prin, siç e shpreh në distikun: “Brezat ikin / Brezat vijnë…” Vargjet bëhet pranim i vetëdijshëm i fatit dhe i fatalitetit njerëzor, qëndrim ky që i jep librit tërheqjen e veçantë të leximit si ditar përvojash, shkruar prej ekadash, pa revoltë romantike. Vargje të tillë si: “Koha dy masa ka / Arkivolin dhe djepin në krah” e shndërrojnë udhëtimin në mekanizëm biologjik e metafizik njëherësh. Ky është “treni” që ecën mbi shinat njerëzore, ku lindja dhe vdekja janë episode, sekuenca, kadro të një filmi, për të mos thënë se janë vetë kinemaja letrare, dhoma e errët, ku Anagnosti na fton një çapitjen e tij shpirtërore dhe reflektues.

*

Poezia e Anagnostit fillimisht sheh, para se të flasë. Nuk është e rastit që poezia, si e tillë, gjen vend në disa prej flimave të Anagnostit, mes të cilëve Noli (Lulëkuqet mbi mure) dhe Çajupi (14 vjeç dhënër). Edhe te “Treni ADN” kineasti është i pranishëm. Për fjalën dhe kompozimin e poezisë ai përdor të njëjtat teknika si filmi: rakursi, gjtjen e këndit të xhirimit, montazhin, fiksimin e detajit dhe zgjedhjen e pamjes më të rëndësishme në skenën masive. Këto përvoja janë vendimtare edhe për strukturën e “Treni ADN”, si përmbledhjeje imazhesh të pasuruara nga mendimi.

Autori nuk përshkruan, kuadron, ai rrëfen gjithë sa sheh syri dhe zgjedh me kujdes e më pas montazhon “dublën” më të arrirë të vargjeve. Përshkrimi i maleve Akrokeraune dhe Jonit aty ndërtohet mbi dy rakurse, që poeti e përdor me vetëdije, sikur shkruan: “Mali i vetëtimave”: “Kreshta përpjetë / Mbi kokë retë / Këmbët në det”. Aty bota shihet nga dy kënde: lart dhe poshtë (det-mal / qiell-tokë.) Peizazhi natyror përmbyset, për t’u shndërruar në peizazh njerëzor: “Këmbët në det / Koka te retë / Mbi kokë rrufetë!” Janë kompozime pamore të thjeshta në dukje, por të paqortueshme, ku lartësia dhe thellësia e imazhit krijojnë tensionin ekzistencial me vetëdije prej regjisori: “Pamja është mahnitëse nga të dy pikëshikimet apo rakurset / do të thoshte një kineast apo piktor”, shkruhet në këtë prozë poetike.” Kjo gjendje e bën poezinë e Anagnostit  të funksionojë si filmi poetik, ku vargu është prerje, ndalesë, fokus, detaj.

Ajo që e shquan këtë libër është sinqeriteti brutal, etika pa retorikë, moral, jo moralizim. Ky sinqeriteti i pagrimuar, pa mbrojtje retorike, edhe pse shpesh qesëndisës, i dhimbshëm, por jo cinik, e bën autorin të mos i qaset lexuesit me ton predikues. Ai mbërrin si dëshmitar, i përunjur, i lodhur nga përvojat, prej të cilave lehtësohet kur i ndan me lexuesin. Gjithçka ia lë hapsirën dëshmisë. Flitet haptazi për lodhjen, frikën, pendesën dhe vdekjen, por edhe përjetësinë, gëzimin, testamente dhe tragjikomedinë e lojës së jetës. E gjitha pa patetizëm, duke e ruajtur veten dhe vargun nga sentimentalizmi.

 

*

Njeriu që ka jetuar gjatë pohon të vërtetën e tij, nuk do thjesht të riprodhojë vargje dhe rima. Në poezinë “U lodha”, ai shkruan si në rrëfimore, pa e mbrojtur veten nga e vërteta rraskaptëse e konvertimit në njeri që beson dhe gënjen e mashtron, që shtiret, flet e dëgjon, të cilin e ka lodhur edhe puna që do me shpirt. “Jeta lodhje pa mbarim! Gjumi pushim! Vdekja shpëtim?” Pohimi do të ishte i rrezikshëm, nëse pyetja fundore nuk do të ishte i zhveshur nga patetika. Ai e njeh jetën nga brenda, menditon mbi lodhjejen si hipotezë, pa menduar dorëzimin, vdekjen – takimin me veten në zona kufitare, ku ballafaqimi me të vërtetën kërkon heqjen e maskës, larg teatralitet, pa mitologji urbane.

Autori i sheh vogëlsitë e jetës si metafora të mëdha të fajit të përditshëm njerëzor. Një qasje e tillë e ka të nevojshme afrinë me njeriun e zakonshëm, një tjetër veçanti librit dhe këtë njeri autori e njeh. Janë figurantë të jetës së përditshme: prindërit, pensionistët, gjyshër, një grua shtatzënë, saroshë hedonistë, fëmijë anonimë, vogëlushët e familjes Rei, Marigoja dhe Joni i vogël dhe “amaneti ndaj nipit të parë, janë binjakë, bijat, fëmijët tanë dhe të botës, dëshira, ndjesë, urime dhe pengje, por edhe emigrantë, tigra e zogj në kafaz, telefona që bien ose nuk bien më. Janë mikroskena nga jeta, siç lehohet në vargjet: “Kur nuk erdhën më shumë u mërzita… / Kthehuni ju lutem! / T’u kërkoj dhe ndjesë!” Ndeshim këtu poezinë etike, ku pendesa lind nga mungesa, jo nga predikimi, si përvojë intime, jashtë doktrinave, qokave dhe dekoratave.

*

Duke lexuar, kupton se poezia dhe proza e këtij libri është një arkiv kujtese, që herë shprehet me rima, herë me vargje me ritëm e herë si mendim i paformatuar. Nga një vështrim tjetër “Treni AND” është libër i kujtesës kolektive, memuaristikë e vargëzuar, që përmbledh historinë shqiptare me lakonicitet solemn dhe pa retorikë të zbrazët, duke bërë bashkë përditshmërinë me çaste përjetësise. Gjuha shqipe, Skënderbeu, Prenk Jakova, Agim Qirjaqi, Roza me “Medean” në amfiteatrot e Greqisë, diktatura, genocidi, nënshtrimi, pirati Gjon, familjarët, Kosova, martirët e artit, fabula të vogla jete, pa lejuar që poezia e kujtesës, të shndërrohet në ideologji poetike për triumfin e detyruar të jetës.

Në poezinë “Gjuha shqipe” shkruhet: “Me gjak martirësh / E gatuar”, një gjuhës që, sipas autorit, “bëri shtet”. Avitje të tilla, të menduara, zor se arriheshin pa një tjetër element dallues të këtij komunikimi poetik: qetësia tragjike e zërit autorial, brenda një recitali të trishtuar me njeriun që “për të tjerët peng / për vete liri?!”.Anagnosti nuk kërkon të jetë modern, as provokues, madje jo pa qesëndi shkruan “Jam poet e jam usta / S’njoh rivalë, s’pyes për ta.”

se është “usta”. Ai shkruan si artisti-njeri, nuk ngre tonin për të bërtitur, ngre kumtin, fjalën dhe kur nuk shkrun poeziKjo e bën të qëndrueshëm vargun e tij, ia bën të besueshme ndjenjën dhe humane dëshirën për t’ia besuar lexuesit rrëfimin e tij.  I organizuar në stacione, me titujt “Loja e jetës”, “Frymë e shpirt”, “Njerëzit vdesin, idhujt mbesin”, “Kurthi magjik”, “Treni AND” dhe “Pasqara qiellore, kjo vepër e pjekurisë krijuese të Dhimitër Anagnostit nuk e kërkon vëmendje: e meriton atë.

 

Next Post
Nikoll Lesi: PD-ja gati me “grupin e Mamurrasit” dhe “grupi i bjeshkëve tropojane”

Nikoll Lesi: PD-ja gati me “grupin e Mamurrasit” dhe “grupi i bjeshkëve tropojane”

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

FOTOLAJM/ Deputeti me kobure përplaset me policët që ndiqnin protestuesit në rrugët e Tiranës

FOTOLAJM/ Deputeti me kobure përplaset me policët që ndiqnin protestuesit në rrugët e Tiranës

January 24, 2026
Protesta para Kryeministrisë/ Boçi: Ky s’është vendi i qeverisë, por i hajnisë! Blushi: Regjimet bien vetëm kur…

Protesta para Kryeministrisë/ Boçi: Ky s’është vendi i qeverisë, por i hajnisë! Blushi: Regjimet bien vetëm kur…

January 24, 2026
“Narkopolicia sulmoi në mënyrë të çmendur protestuesit”, Berisha: Kërkoj lirimin e 25 demonstruesve

“Narkopolicia sulmoi në mënyrë të çmendur protestuesit”, Berisha: Kërkoj lirimin e 25 demonstruesve

January 24, 2026
Protesta para Kryeministrisë dhe Kuvendit/ 11 efektivë të plagosur nga sulmet me molotov, identifikohen autorët

Protesta para Kryeministrisë dhe Kuvendit/ 11 efektivë të plagosur nga sulmet me molotov, identifikohen autorët

January 24, 2026
“Mos i prekni çunat! Jeni plehra”, deputeti demokrat përplaset me policët gjatë shoqërimit të protestuesve

“Mos i prekni çunat! Jeni plehra”, deputeti demokrat përplaset me policët gjatë shoqërimit të protestuesve

January 24, 2026
Mbyllet pas 3 orësh protesta e PD, Berisha përgëzon demonstruesit: Bravo! Po bëni historinë, do mblidhemi sërish

Mbyllet pas 3 orësh protesta e PD, Berisha përgëzon demonstruesit: Bravo! Po bëni historinë, do mblidhemi sërish

January 24, 2026
“Mblidhet një valë turme pëdëistësh”, Petro Koçi: Si mund të ketë sukses një protestë për të “rilindur” Berishën!?

“Mblidhet një valë turme pëdëistësh”, Petro Koçi: Si mund të ketë sukses një protestë për të “rilindur” Berishën!?

January 24, 2026

Pse Berisha përsërit se nuk pret të vijë në pushtet nga SHBA

January 24, 2026
Vijon protesta para Kuvendit, arrestime dhe të lënduar! Policia iu përgjigjet me gaz lotsjellës

Vijon protesta para Kuvendit, arrestime dhe të lënduar! Policia iu përgjigjet me gaz lotsjellës

January 24, 2026
Bidonë me ujë dhe çadra drejt policisë, protestuesit sulmojnë efektivët. Tentojnë të futen brenda Kuvendit

Bidonë me ujë dhe çadra drejt policisë, protestuesit sulmojnë efektivët. Tentojnë të futen brenda Kuvendit

January 24, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In