Nga Lorenc Vangjeli
Kryeministri duhet të përgjigjet për prioritetet që vendos, për mënyrën sesi i shpenzon paratë publike, si i targeton në sektorë të ndryshëm, çfarë bën për mbrojtjen e shtresave në nevojë, dhe në përgjithësi, duhet të përgjigjet për aftësinë që ka për të shmangur abuzimin me to. Kriza në të cilën ka hyrë vendi, si gjithë pjesa tjetër e botës, deri më tani ka treguar vetëm kafshimin me dhëmbë qumështi. Nëse lufta në Ukrainë – shkaku fillestar i saj – do të vazhdojë më tej, atëherë janë të gjitha shanset që kriza të jetë më e rënda që do të ketë provuar bota që nga lufta e fundit botërore. Dhe ky muaj vuajtjeje, të jetë muaj mjalti krahasuar me gjëmat që mund të pasojnë.
Opozita dhe shoqëria civile janë të dënuara të mbajnë qeverisjen në alarm, të kërkojnë shumë më shumë efikasitet e përgjegjësi nga ajo, të kontribuojnë me ide, këshilla apo edhe të diktojnë me forcë qeverisjen. Ato kanë për mision ta mbajnë nën vëzhgim e qortim sjelljen e saj dhe të jenë bashkaksionere në suksesin e mundshëm dhe përfituese politike të faturës së mundshme të dështimit. Por as opozita dhe as qeverisja nuk kanë kuptuar një të vërtetë të thjeshtë: opozita ndaj kësaj mazhorance është shumë më e madhe se vetë maxhoranca dhe se ajo nuk ka të bëjë pothuaj fare me opozitën e shpërndarë nëpër parti. Opozita qytetare nuk është e përfaqësuar nga politika, që është bërë gjithmonë e më qesharake, më anonime dhe “nëpunëse” e emëruar si në njërin krah, ashtu dhe në tjetrin. Opozita që paguhet për të vajtur në Parlament, e ka humbur prej kohësh pushtetin moral dhe është mish i huaj në protestë. Ajo mund të jetë e pranueshme aty vetëm nëse afron të paguajë ndonjë “faturë” me lekë xhepi për segmente të protestës që mendojnë me xhep. Ajo as nuk e merr dot drejtimin e saj dhe as i jep dot drejtim asaj që po ndodh.
Në këtë situatë, Rama herë nga bindjet vetjake dhe herë i diktuar prej hallit, po tenton të shmangë sa të mundet më të keqen dhe ngasjen për spekullim. Masat e marra janë ende minimaliste dhe të përshtatura për një vend të varfër si Shqipëria, që takatin për të dhënë e ka shumë më të vogël se nevojat për të plotësuar. Vetëm naivët nuk shohin të vërtetën e trishtuar se Shqipëria është ende atdheu i “patriotëve” të mëdhenj ku të gjithë kanë dëshirë të marrin sa më shumë, por nuk janë të gatshëm të japin asgjë, ku të gjithë bërtasin për ulje taksash, por të gjithë rendin t’u ikin taksave më larg sesa i ikin djajtë temjanit.
Pjesa tjetër është politikë e zakonshme, si në ditë të zakonshme në Tiranë, ku ka ndryshuar vetëm skena, por jo skema e sjelljes dhe personazhet që sillen nëpër skenë. Rama ka kërkuar në çdo dalje të tij publike që të frustrojë protestuesit dhe t’i vendosë ata në sfond të interesave të Berishës dhe Metës, por për fat të keq, në të gjitha pohimet e tij ka të drejtë. Politika nuk i jep dot nerv protestës: duke luajtur prej vitesh me nervat e qytetarëve, e ka vrarë nervin e protestës. Sot ato mund të lexohen si mjet për të rrëzuar Ramën si hap të parë, por ngecin në hap të dytë: “Iku Rama, por kush vjen? Luli? Mos, o Zot, mos zgjo fantazmat! Saliu? Çfarë të kemi bërë, o Zot, që na e sjell të shkuarën si ofertë të së ardhmes? Po kush tjetër? Grida, Jorida, Iliri që është ende rob në presidencë, Braçja apo kushdo tjetër si ai apo si ata?”.
Eshtë e dukshme që Rama nuk trembet nga ajo që sheh, por nga ajo që ndjen. Ai nuk ka problem ata që janë në bulevard, por mendon për ata që shtrëngojnë dhëmbët në shtëpi. Rama ndruhet sepse di se nëse lufta në Ukrainë zgjatet, kjo që po ndodh është vetëm filli fillestar i krizës, që do të jetë shumë herë më traumatike. Ai nuk trembet nga ata që hedhin gurin për të thyer xhama, por vëzhgon ata që fshehin dorën që hedh gurë për të thyer xhama.
Rama ndruhet sepse e di që ka në dispozicion një qeverisje të xhamtë, të brishtë, të ndërtuar mbi bazën e besimin ndaj atij vetë si individ, por jo ndaj ekipit që ka krijuar. Rama di se ka me vete një ansambël teknik, që kur kërkohen zgjidhje politike, të vetmen zgjedhje kanë fshehjen mbas shpinës së tij. Kjo nuk mund të vazhdojë pafund dhe duket se Rama, i vetmuar siç thotë edhe vetë se është, herët a vonë, do të ndryshojë tapiceritë e mureve në kryeministri apo edhe ornamentet mbi tryezën e tij qeverisëse. Mbas nëntë vjetësh në pushtet, Rama ka nevojë të rithemelojë vizionin e tij dhe këtë nuk mund ta bëjë vetëm me krijesën e tij rilindëse, por me hapje shumë më të gjerë. Kriza ekonomike apo dhe kriza groteske në PD, nuk mund të jenë pafundësisht kostume që fshehin krizën në partinë e tij, e cila për momentin është e padukshme vetëm sepse ai është në gjendje ta mbulojë me hijen e tij të rëndë dhe autoritetin e padiskutueshëm vetjak, institucional e moral që ka. Rama e di më mirë se kushdo: mbas shpinës së tij, ka një vullkan pakënaqësish, intrigash të vogla, një lëmsh ligësie e zymtie, që do ta bënin komedinë e PD-së, vetëm një akt të të përkohshëm të dramës së madhe të klasës politike mediokre shqiptare.