Administrata e Joe Biden është angazhuar shumë që Rusia të mos e trajtojë Amerikën si palë ndër-luftuese në Ukrainë. Por kjo nuk do të thotë se NATO nuk është thellësisht e përfshirë në këtë konflikt. Niveli i mbështetjes ndaj Ukrainës është i jashtëzakonshëm dhe në rritje, duke përfshirë sanksionet, shkëmbimin e të dhënave të inteligjencës, dërgesat e armëve dhe paratë.
Kësaj shtojini edhe retorikën politike gjithnjë e më të ashpër: “Shtetet e Bashkuara janë përfshirë në këtë luftë për ta fituar atë”- shkroi në rrjetet sociale një kongresmen amerikan gjatë vizitës që po zhvillonte në Kiev. Por asnjë ligj i së drejtës ndërkombëtare, nuk e ndalon Rusinë të ndryshojë mendje, dhe ta trajtojë SHBA-në si një palë aktive në këtë luftë.
Në vend se të ofrojnë “vija të kuqe” të qarta, konventat janë të paqarta dhe subjektive. Fakti që Vladimir Putin nuk e ka konsideruar deri më sot NATO-n si një palë ndër-luftuese vjen nga një përzierje e normave të turbullta ndërkombëtare, llogaritjeve strategjike dhe fatit.
Por gjërat në një moment mund të ndryshojnë. Ndoshta një njësi ushtarake ukrainase mund të përdorë një sistem me rreze të gjatë të dërguar nga NATO për të sulmuar qytetin Belgorod brenda kufirit rus, dhe Putin të urdhërojë ushtrinë e tij të hakmerret kundër një vendi perëndimor.
Ose teksa po shtohen dërgesat e armëve të kalibrit të madh drejt Ukrainës, Moska mund të vendosë të godasë me sulme ajrore dhe raketore depot e furnizimit në Poloni. Ne mund të imagjinojmë me dhjetëra skenarë të tillë. Por sipas të gjitha gjasave, asnjë nga këto nuk do të ndodhë.
Lufta është shkatërruese, ndaj si rregull vendet bëjnë çmos për të shmangur konfliktin e hapur, sidomos atë që mund të përshkallëzohet në një luftë bërthamore. Edhe kostot e luftës nënkuptojnë se edhe kur luftojnë, kombet kanë stimuj të fuqishëm për të mos i përshkallëzuar dhe zgjeruar luftërat.
Ky është një nga leksionet më të fuqishme që na vjen nga historia ashtu edhe nga Teoria e Lojës, dhe që është edhe tema e librit tim të fundit “Pse luftojmë: Rrënjët e luftës dhe shtigjet drejt paqes”. Lufta është mjeti i fundit, dhe sa më e kushtueshme të jetë ajo, aq më shumë do të angazhohen të dyja palët për ta shmangur atë.
Në pjesën më të madhe, kjo logjikë vlen edhe për luftën në Ukrainë. Rreziku që SHBA-ja dhe Rusia të përfshihen në një konflikt me njëra-tjetrën është jashtëzakonisht i ulët. Gjithsesi, ky rrezik nuk është zero. Me mbështetjen e tyre publike për Ukrainën, është e rëndësishme që politikanët amerikanë dhe publiku i tyre t’i kenë të qartë edhe rreziqet që përfshin kjo qasje.
Historia dhe Teoria e Lojërave na tregojnë se si mund të ndodhë agresioni i NATO-s apo Rusisë për arsye racionale dhe të llogaritura. Por para se të arrijmë atje, le të rikthehemi tek arsyeja pse nuk ka gjasa të kemi një luftë Rusi-NATO. Konflikti në Ukrainë tregon sërish se lufta është një dukuri e rrallë, ose mjeti i fundit i një kombi.
Një shembull i fuqishëm ndodhi 2 javë pas pushtimit rus të Ukrainës, kur India lëshoi aksidentalisht një raketë ndaj Pakistanit. Siç mund të parashikohej, ai aksident u pasua nga qetësia, siç edhe ka ndodhur për dekada. Lufta midis dy rivalëve të armatosur me armë bërthamore, do të kishte qenë kaq e kushtueshme në mënyrë të paimagjinueshme, saqë të dyja palët u përpoqën ta shmangnin atë.
Për vite me radhë, edhe Putin e shmangu pushtimin e Ukrainës. Për dy dekada ai provoi çdo mjet tjetër të fshehtë të mundshëm për ta futur këtë vend nën kontrollin e tij: paratë e pista, propagandën, liderët politikë të blerë, vrasjet dhe mbështetjen për separatistët. Ai provoi gjithçka tjetër që mundi, sepse sado të dhunshme dhe të kushtueshme që ishin këto metoda, asnjëra prej tyre nuk ishte aq e rrezikshme apo shkatërruese sa lufta.
Po kështu, Putini nënshtroi me sukses fqinjët e tjerë të Rusisë, nga gati bashkimi me Bjellorusisë deri tek dërgimi i “misioneve paqeruajtëse” në Kazakistan (për të mos folur për grabitjen e mëtejshme të popullit rus). Asnjë nga këto operacione nuk kërkonte fushata të gjata dhune.
Kur shpërtheu lufta, të dyja palët ndërmorën hapa për të shmangur përshkallëzimin. Rusia zotëron raketa që mund të rrafshojnë çdo ndërtesë qeveritare në kryeqytetin e Ukrainës, por nuk e ka bërë ende këtë. Dhe ndërsa është e tmerrshme të shikosh sulmin e fundit ndaj klientëve në një qendër tregtare në Kiev, fakt është se Putin ka aftësinë për të bërë shumë më keq.
Edhe forcat ukrainase mund t’i shtojnë sulmet e tyre përtej kufirit rus, por i kanë në minimum sulme të tilla. Secila prej këtyre zgjedhjeve ka të ngjarë të jetë strategjike, pra një vendim për ta përqendruar luftën në Donbas dhe për të zvogëluar kostot dhe rreziqet e përshkallëzimit.
Një luftë midis NATO-s dhe Rusisë, do të ishte më e kushtueshme sesa të gjitha këto konflikte të marra së bashku. Përshkallëzimi nuk ka shumë gjasa të ndodhë, por çdo ditë që vazhdon lufta, nënkupton një shans të vogël për një luftë të re botërore. Një pjesë e këtij rreziku është irracionale.
Një oficer i NATO-s apo rus mund ta keqkuptojë situatën, apo një sistem kompjuterik mund të prodhojë një gabim, dhe njëra nga palët nis gabimisht një sulm ndaj tjetrës. Ekzistojnë të paktën 3 mënyra se si mund të ndodhë kjo gjë. Së pari, është logjika e reputacionit dhe e frenimit.
NATO ka stimuj për të qenë konfrontuese me Rusinë, pra për të marrë parasysh rreziqe të mëdha në mbështetje të Ukrainës, për t’i dobësuar kundërshtarët e ardhshëm. Kjo sepse secili nga rivalët e tjerë të NATO-s po sheh dhe po nxjerr mësime.
Nëse Perëndimi e trajton Rusinë me butësi, vetëm sepse është një fuqi e armatosur bërthamore, kjo i dërgon një mesazh të qartë çdo lideri autokrat në botë: armët atomike garantojnë mosndëshkim; ndaj pajisuni me to sa më shpejt që të jetë e mundur. Për të shmangur këtë mesazh, Amerika dhe aleatët e saj duhet të tregojnë se janë të gatshëm t’i rezistojnë një shteti të armatosur me armë bërthamore, dhe të rrezikojnë edhe disa skenarë të përshkallëzimit të situatës.
Së dyti, Ukraina ose NATO mund t’i japin padashur Rusisë motivimin për një sulm bërthamor parandalues. Supozoni sikur ukrainasit i përqendrojnë forcat dhe armët e tyre të rënda, duke e tunduar Putinin të përdorë një armë nukleare taktike. Ose ndoshta Perëndimi zotohet të dërgojë armë edhe më të forta në Ukrainë, por ato nuk do të jenë funksionale për muaj të tërë.
Kjo mund t’i jepte Moskës nxitjen për një sulm në shkallë të gjerë për të rrethuar forcat ukrainase, për të ndërprerë furnizimet perëndimore dhe për të sulmuar depot e furnizimit të NATO-s. Në të dyja rrethanat, Rusia ka një dritare mundësie në të cilën beson se është përkohësisht e fortë.
Së treti, rruga e fundit drejt luftës, përfshin udhëheqës të zgjuar që kanë stimujt e duhur për të ngacmuar opinionin publik kundër llojeve të caktuara të kompromisit, vetëm për të zbuluar se ata e kanë tejkaluar masën dhe kanë eliminuar çdo mundësi për arritjen e një marrëveshje paqësore.
Supozoni se pas 6 muajsh, Rusia mund të ketë kontrollin e zonave të mëdha të Donbasit, dhe Ukraina ka pak shanse për t’i rimarrë ato me forcë. Imagjinoni që privatisht, qeveria ukrainase beson se është e nevojshme një lloj zgjidhje. Nga një këndvështrim optimist, Kievi do të arsyetojnë se Rusia mund të tërhiqet nga Donbasi në këmbim të autonomisë së rajonit, neutralitetit ukrainas dhe aneksimit formal të Krimesë.
Por opinioni publik perëndimor dhe ukrainas do të jetë kundër një marrëveshjeje të tillë. Kjo mund ta fusë Rusinë dhe Ukrainën në një luftë të përjetshme, e cila mund të përshkallëzohet në një luftë NATO-Rusi për të gjitha arsyet e lartpërmendura.
Christopher Blattman, profesor i Studimeve të Konflikteve Globale në Universitetin e Çikagos.
/e.d