Nga Fatos Tarifa
Bali. Kam ardhur këtu pak ditë më parë për të festuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri me një pjesë të familjes sime që jeton në këtë ishull të largët tropikal, brigjet jugperëndimorë të të cilit lagen nga Oqeani Indian. Këtu gjithçka është tërësisht ndryshe nga Tirana, përveç trafikut të rënduar, ndoshta dhjetë herë më të rënduar se sa në kryeqytetin tim.
Mjedisi natyror dhe kultura urbane e kozmopolite e këtushme, sidomos në Seminyak, Kuta e Denpasar, e përfaqësuar nga një prezencë e përhershme banorësh të vendosur këtu nga shumë vende të Perëndimit, kryesisht nga Australia, Shtetet e Bashkuara, Hollanda, Anglia, Franca, Italia, Rusia etj., si dhe një fluks i madh turistësh nga e gjithë bota, janë ngushtësisht të lidhura me zonat rurale të ishullit, që ofrojnë pamje mahnitëse, nga tempujt hindu, fushat dhe kodrat e taracuara të mbjella me oriz, ujëvarat e shumta, krateret e vullkaneve të fjetur, dhe plazhet marramendës nga Canggu dhe Seminyak në veriperëndim, në Uluwatu and Nusa Dua në jugperëndim.
Për tipa si unë, workoholics, Bali është, gjithahstu, një vend ideal për të shkruar. Këtë e lehtëson edhe fakti që, në një mënyrë thuajse të natyrshme, madje fizikisht, emocionalisht e mendërisht të shëndetshme, ti ndjen nevojë të shkëputesh i tëri nga përditshmëria e jetës në Tiranë, nga thashethemet e kafeneve të qytetit, nga rubrikat e lajmeve dhe, sidomos, nga debatet e përnatshme në studiot e pothuaj të gjitha televizioneve.
Të vetmet gjëra që vijoj të bëj nga rutina e përditshme e jetës në Tiranë janë bisedat në video me nipin tim të shtrenjtë, Heru, heroin tim të pazëvendësueshëm, herë-herë ndonjë bisedë apo mesazh i shkëmbyer me familjen dhe shokët e mi më të afërt dhe, sigurisht, ndeshjet e Premier League, shumë prej të cilave detyrohemi bashkë me djalin tim, t’i shohim këtu në 4 të mëngjesit, për shkak të shtatë orëve diferencë me Tiranën.
Por ja që s’është e thënë të rri pa u “trazuar” në vorbullën e debateve online për ato çka ndodhin e çka thuhen në Tiranë. Nuk kam pasur asnjëherë një adresë në Facebook, as kam qenë ndonjëherë në Instagram apo në Twiter dhe as mendoj se do të jem. Disa vite më parë “hyra” në LinkedIn dhe nuk kam dalë më prej kësaj platforme, përmes së cilës mbaj lidhje e komunikoj kryesisht me miq e kolegë të mij këtej e andej Atlantikut.
Nuk di ta krahasoj me rrjetet e tjera sociale por më është dukur i mjaftueshëm për të mos u tunduar aspak të humbas kohë në rrjete të tjera. Dhe ishte këtu, në LinkedIn, që këto ditë pushimi, në prag të Krishtlindjeve, këtu në Bali, lexova disa komente e postime që më ngacmuan atë nerv polemik që, për hir të së vërtetës, nuk e kontrolloj dot, edhe nëse mundohem.
Më poshtë jap të plota komentet e disa individëve në LinkedIn dhe reagimet e mia ndaj tyre.
- “Doktorët” e shkencave
Agron Maliqi, nga Kosova, postoi disa ditë më parë një pasqyrë që krahasonte, sipas gjinisë, të dhënat mbi nivelin arimor të popullsisë së Kosovës nga regjistrimet e viteve 2011 dhe 2023. Postimi i tij titullohej “Lajme pozitive nga regjistrimi i popullsisë” dhe të dhënat që ai sillte dëshmojnë, sipas fjalëve të tij, “transformimin e thellë që ka ndodhur në Kosovë në aspektin gjinor”.
Pasi permendte “rritjen dyfish të numrit të vajzave e grave me arsim “bachelor” dhe pesëfishimin e numrit të atyre me arsim të nivelit “master”, z. Maliqi njoftonte se “numri total i banorëve me doktoraturë [në Kosovë] është katërfishuar. Këtu akoma ka më shumë burra se gra, por hendeku është ngushtuar”.
Të dhënat e mësipërme janë vërtet interesante, por numri katër herë më i madh i kosovarëve që kanë marrë një gradë “doktor” në shkenca në vetëm 13 vitet e fundit më duket shumë shqetësues ndaj edhe reagova ndaj postimit të tij me këtë koment:
“Çdo hap përpara drejt barazisë së plotë gjinore, i dashur Agron, si kudo, edhe në shkallën e arsimimit të qytetarëve, është i mirëpritur, por sasia e tillë e gradave shkencore, si për meshkujt dhe për femrat, në Kosovë e në Shqipëri, nuk përkthehet në një cilësi më të mirë të jetës akademike e të kërkimeve shkencore në dy vendet tona.
Përkundrazi, një sasi e tillë gradash “shkencore”, në shumë raste të dhëna pa meritë, prodhon cilësi të dobët, mediokritet e skarcitet shkencor, një profesorat të ardhshëm edhe më mediokër e shkolla të larta më të dobëta, që do prodhojnë më shumë “doktorë” mediokër “shkencash” në të ardhmen. Dëmi që i shkaktojmë shoqërive tona në këtë mënyrë është kolosal dhe shkon përtej dobisë së “barazisë gjinore” që synojmë të arrjmë në arsimim e lartë e në shkencë”.
- Maliqi m’u përgjigj duke thënë se “lajmi pozitiv nuk është numri, por dimensioni gjinor i dinamikës dhe përmbysja e përfshirjes së grave në arsimin e lartë. Debati mbi cilësinë”, shprehej ai, “është diçka tjetër dhe aty, veçanërisht për doktoraturat, keni të drejtë”.
Reagimi i tij nuk e ndryshon thelbin e çështjes, sepse dëmi që i bëhet shkencës nga dhënia jashtë kritereve cilësorë e meritokratikë të gradës “doktor” nuk ka të bëjë aspak me gjininë e bartësve të kësaj grade, por me thellësinë dhe cilësinë e kërkimeve shkencore dhe me rezultatet e dobinë e tyre teorike, praktike e shoqërore.
Dikush që nuk e njoh, Pleurat Hundozi, i cili me sa duket jeton në Washington, D.C., ndërhyri në këtë debat duke më kujtuar se “në Amerikë doktorojnë mbi 50,000 persona në vit”.
Është një subjekt që e njoh mirë dhe për të cilin kam shkruar edhe më parë, ndaj mendova t’i përgjigjesha me këtë koment ndërhyrjes së tij:
“Në Shtetet e Bashkuara, Pleurat, fitohen çdo vit rreth 60,000 deri në 70,000 grada PhD, por Amerika ka 335 milionë banorë, jo 1.6 milion sa ka Kosova, as 2.5 milionë sa ka Shqipëria. Për frymë popullsie, Kosova e Shqipëria kanë ndoshta më shumë “doktorë shkencash” se sa Shtetet e Bashkuara, Kina, Anglia apo Gjermania. A ju duket kjo diçka e arsyeshme apo normale?
Mos harroni, gjithashtu, se Amerika ka shumicën e universiteteve më të mirë në botë. Ai vend ka universitete të tillë, si Harvard, Yale, MIT, Caltech, Princeton, Cornell, Columbia, Brown, Duke, Stanford, jo universitete si ai i Pejës, i Prizrenit, i Tiranës, i Domosdovës apo i Rrogozhinës. Amerika ka, gjithashtu, laboratorët dhe disa nga qendrat kërkimore më të mira në botë.
Mjafton të përmend vetëm atë që njihet si “Research Triangle Park” në Karolinën e Veriut, që e njoh nga afër, një rajon në të cilin ndodhen tre prej universiteteve më të mirë kërkimorë në atë vend: Duke University, University of North Carolina në Chapel Hill dhe North Carolina State University. Në këtë park kërkimor gjenden jo vetëm popullsia më e dendur në botë e njerëzve me PhD, por edhe shumë institucione kërkimorë dhe kompani të teknologjisë së lartë. Në këta institucione, ashtu si në Silicon Valley, në Harvard, MIT, Caltech, Princeton etj., bëhet shkencë dhe prodhohet teknologji e klasit më të lartë e jo llogje, plagjiarizëm apo shkencë folklorike, siç ndodh në shumicën e universiteteve e të institucioneve kërkimorë në Kosovë e në Shqipëri.
- The University is Dead, Long Live the University!
Admir Malaj, në mos gaboj një lektor në Universitetin Zonja e Këshillit të Mirë, postoi një ditë më vonë në LinkedIn një link që përmbante pjesë nga një pronocim i tij në TV SCAN, shoqëruar nga ky koment: “UNIVERSITETI KA VDEKUR! Po ju si mendoni miq? Një koment të sinqertë ju lutem”.
Më bënë kurioz fjalët e tij dhe i dëgjova ato pak minuta, në të cilat ai u shpjegonte ndjekësve të SCAN-it arsyet e “vdekjes së Universitetit”. Nuk munda të rri pa ndërhyrë, ndaj edhe reagova si më poshtë:
“Kërkoni një koment të sinqertë, Admir? Po mundohem t’ua jap më poshtë. Duke qenë se rreth dyzetë vite të jetës sime kanë qenë e vazhdojnë të jenë të lidhura me Universitetin, këtu në Shqipëri, por edhe në Hollandë e në Shtetet e Bashkuara, ku kam fituar gradën PhD në një prej universiteteve më të mirë të atij vendi e për shumë vite kam dhënë mësim, më vjen keq t’ju them se nuk kuptova asgjë nga nekrologjia që ju i bëtë Univeritetit si një institucion “i vdekur”.
Që arsimi i lartë është kudo në krizë, ky është një fakt i njohur. Në krizë është e gjithë shoqëria bashkëkohore, ose “postmoderne”, siç do të shprehej Jean-François Lyotard. Në krizë janë të gjitha institucionet e saj, pra edhe ato arsimore dhe vetë Universiteti. Por në atë që ju shkruani si një “obituary note” për Universitetin “e vdekur” unë nuk shoh asgjë që do të mund ta quaja racionale, veç disa “argumenteve” konfuzë e pa lidhje koherente me njëri-tjetrin.
Më 1882, Friedrich Nietzsche shpalli Vdekjen e Perëndisë: “God is dead!”. Afro një shekull më vonë, më 1970, Jean-Marie Benoist shpalli Vdekjen e Marksit: “Marx est mort!”. Tani, gjysmë shekulli pas tij, ju shpallni se “Universiteti ka vdekur!”. Pa thënë absolutisht asgjë për ta “provuar” këtë deklaratë bombastike tuajën, e cila, sigurisht, nuk ju vë në një radhë me dy të parët. Universiteti, qysh nga koha kur u krijua shekuj më parë, ka qenë e është në transformim të vazhdueshëm, por kjo mund të thuhet për të gjitha institucionet e shoqërisë. “Panta rhei”. Kjo doktrinë e Heraklitit të lashtë e shpjegon atë që ju duket se nuk e kuptoni. The University is dead, long live the University!
Ndaj këtij komenti, Admir Malaj reagoi me këto fjalë: “Faleminderit për komentin, profesor. E vlerësoj, sidomos fjalinë e fundit. Mund të ndahemi në mënyrën e shprehjes së asaj që mendojmë, por të dy besojmë se universiteti, kështu siç është, duhet të rishpikë vetveten”.
Sigurisht, Universiteti nuk është rrota që s’ka nevojë të rishpiket, por duket se Admiri nuk kuptoi asgjë nga reagimi im.
- PD, rinia dhe ideologjia në zgjedhjet 2025
Po në LinkedIn, Jorida Tabaku, një prej përfaqësuesve më vokalë e më të arsyshëm të elektoratit të PD-së në Parlamentin e Shqipërisë, postoi një foto të saj me tre djem të rinj, aktivistë të Partisë Demokratike, në të njëzetat apo të tridhjetat dhe poshtë asaj fotoje këtë shënim: “Rruga e PD-së drejt fitores 2025 kalon nga rinia, konservatorizmi dhe brain gain! Koha të ndryshojmë Shqipërinë”.
Nuk më është dhënë rasti të njihem me znj. Tabaku as së afërmi, as nga larg, edhe pse, për së largu, kam venë re se ajo është “ndryshe” nga eksponentët e tjerë të Partisë Demokratike: më racionale, më mire e artikuluar, më e përmbajtur dhe, më e rëndësishmja, e papërfolur—të gjitha këto cilësi të rralla në radhët e politikanëve të sotëm shqiptarë.
Problemi me të, siç kam mundur të kuptoj deri më sot, është mungesa e një vizioni të qartë se si mund të zhvillohen më tej demokracia dhe ekonomia në vendin tonë, por ky është një problem i vetë PD-së, së cilës i mungojnë si një strategji politike e qartë, ashtu edhe taktikat e duhura për realizimin e saj. Të konstatosh difektet e sistemit është diçka relativisht e lehtë, të dish t’i riparosh ato dhe t’i bindësh qytetarët se vërtet di ta bësh këtë, që ata të të votojnë në zgjedhjet e ardhshme, është e vështirë. Kjo e dyta kërkon njerëz vizionarë, demokratë të vërtetë, jo vetëm në emër e me fjalë, të përkushtuar së mirës publike dhe interesave të vendit, që unë ende nuk shoh se Partia Demokratike apo partitë e tjera opozitare i kanë. Madje të tillë duket se janë të pakët edhe në radhët e Partisë Socialiste që sot drejton vendin.
Sidoqoftë, fjalët e znj. Tabaku se “rruga e PD-së drejt fitores 2025 kalon nga rinia, konservatorizmi dhe brain gain”, më shtynë të shkruaj këtë koment të shkurtër për të:
“Rruga e PD-së drejt fitores?! Me Rininë?! Çfarë e lidh Rininë e këtij vendi, pjesën më përparimtare e më dinamike të shoqërisë, që kërkon përherë ndryshime progresive të kushteve tona humane, me “konservatorizmin” e PD-së, me kryekonservatorin Berisha në krye të saj dhe me “neokonservatorët” e sotëm të kësaj partie që s’ndahen dot prej tij? Konservatorizmi për të cilin flisni ju, znj. Tabaku, është—si ideologji dhe si praktikë shoqërore—antidot i ndryshimeve progresive në shoqërinë shqiptare.
PD e kishte Rininë me vete kur kjo parti u krijua, por nuk dinte në atë kohë—dhe as e mësoi e nuk e gjeti dot ndonjeherë—rrugën qe duhej të ndiqte për ta ndryshuar këtë shoqëri, për ta bërë Shqipërinë “si e gjithë Europa”. Këtë slogan, PD e shpalli me bujë, por përmbajtjen e tij e tradhëtoi me krijimin e një partie e të një shteti autoritarist që gradualisht e zhgënjeu dhe e largoi rininë prej saj.
Ka kohë që Partia Demokratike e ka humbur “rrugën e fitores” dhe busullën për ta rigjetur atë rrugë me një njeri si Berisha në krye të saj. Rinia askund nuk i shkon pas askujt që nuk e çon përpara e nuk i garanton asaj realizimin e aspiratave të veta, që kurdoherë—e krejt natyrshëm—janë progresive e revolucionare, jo konservatore”.
Ndaj këtij komenti, znj. Tabaku reagoi duke venë në duke se në Gjermani, në Francë e gjetkë në Europë, si dhe në Amerikë, rinia po përqafon konservatorizmin duke votuar për partitë e djathta, koment të cilit iu përgjigja me këto fjalë:
“Më duhet sërish të bëj një koment të shkurtër, Jorida. Është krejt e pasaktë të thoni (përgjithësoni) se të rinjtë europianë apo ata amerikanë po përqafojnë konservatorizmin. As nuk jepni dot të dhëna empirike për këtë që thoni, as e argumentoni dot si një trend, sepse nuk është i tillë.
Ndryshimet në humoret dhe në sjelljen elektorale të të rinjve mund shpjegohen me kriza ekonomike e shoqërore që i prodhojnë si partitë e majta, dhe ato të djathta dhe, sidomos, me pakënaqesinë në rritje ndaj elitave sunduese dhe klasës së politikanëve që i drejtojnë këto shoqëri.
Nuk është ideologjia që i ndan qytetarët, aq më pak të rinjtë, në këta vende. Fakti që në Hollandë, fjala vjen, njëra prej shoqërive më libertine që njohim deri më sot, një pjesë e mirë e qytetarëve, ndër ta edhe shumë të rinj, votuan së fundmi në shumicë për një parti ekstremisht të djathtë, Partia për Liri, e drejtuar nga lideri populist i saj Geert Wilders, nuk do të thotë se shoqëria hollandeze ka hequr dorë nga vlerat e saj morale e sociale (që venë lirinë në radhe të parë) dhe është bërë një shoqëri konservatore. Ndryshimi në sjelljen elektorale të hollandezëve, të francezëve, gjermanëve apo italianëve dëshmon zhgënimin e pakënaqësitë e tyre ndaj elitave sunduse dhe ndaj paaftësisë së tyre për t’u gjetur zgjidhje krizave ekonomike, sociale e politike në këta vende.
Për z. Trump në Amerikë votuan edhe demokratë, por po kështu, shumë republikanë votuan për znj. Harris dhe për kandidatët demokratë për kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe për legjislaturat e shteteve të tyre. Dhe a mund të më thoni, ju lutem, se ç’përfaqëson Donald Trump ideologjikisht? Është ai një liberal apo një konservator? Nëse afiliimi me një parti politike të dhënë është një tregues i përkatësisë ideologjike, atëherë ç’mund të thuhet për ideologjinë që udhëheq z. Trump në sjelljen e tij politike dhe në politikat e tij? I regjistruar si republikan më 1987, ai ka ndërruar parti pesë herë që nga ajo kohë. Indipendent më 1999, demokrat më 2001, republikan më 2009, përsëri independent më 2011 dhe përsëri republikan një vit më vonë, më 2012.
Identitetet politikë janë fluide, jo të dhënë një herë e përgjithmonë. Berisha, të cilin ju vazhdoni ta mbani e ta veneroni si liderin e përjetshëm të partisë suaj, është, ndoshta, mishërimi më i mirë i këtij transfigurimi identitar në politikë—i shndërruar “overnight” nga një komunist revolucionar, në një demokrat konservator”.
Këtij shkëmbimi mendimesh iu bashkua një shqiptar me banim në New York, Qemal Agalliu, i cili bëri këtë “sqarim”: “Profesor, konservatorizmi përfaqëson familjen dhe pronën. Amerika këtë radhë votoi për konservatorizmin”.
Ragimi im ndaj komentit të tij ishte ky: “Kjo është një shprehje kaq cliché, Qemal, sa me të as ia vlen të merresh. Por ju pyes: Cilën familje? Cilën pronë? Familja dhe prona nuk janë institucione të ngurta, të dhëna një herë e përgjithmonë; ato kanë evoluuar dhe evoluojnë me kohën. Nëse me familje ju kuptoni familjen tradicionale, patriarkale e konservatore, ajo tashmë është një relikë e së shkuarës në pjesën më të madhe të botës së zhvilluar.
Nëse me pronë kuptoni vetëm pronësinë mbi tokën, format e sotme të pronësisë, veç asaj mbi tokën dhe mbi mjetet e prodhimit, kanë bërë pronarë miliona njerëz që nuk kanë në pronësi të tyre as tokë, as mjete prodhimi. Shoqëria dhe ekonomia e sotme, siç ju mund ta dini, janë shoqëri dhe ekonomi të dijes. Kjo e fundit, pra Dija, është jo vetëm produkti më i çmuar, por edhe prona, ose malli më i shtrenjtë në kohën tonë. Dhe dija, nga vetë natyra e saj, është një forcë progresive e revolucionare në shoqëri, jo një forcë konservatore. Knowledge is Power”.
Ky shkëmbim mendimesh vijoi edhe më tej kur znj. Tabaku m’u drejtua me këto fjalë: “Profesor, çdo forcë politike ka ulje-ngritjet e saj. Ju, si studiues i shkencave sociale, e keni edhe më të qartë këtë”.
Fjalët e saj ishin një ftesë për të reaguar dhe komentit të saj iu përgjigja si më poshtë:
“Sigurisht, Jorida, çdo forcë politike ka në historinë e vet periudha ngritjeje e rënieje, por ka ndodhur e ndodh që rëniet të jenë të një magnitude të tillë, që e bëjnë shumë të vështirë dhe, ndonjëherë, fatalisht të pamundur ringritjen e një force politike. Vetëm në Shtetet e Bashkuara parti të tilla, që janë krijuar e më pas janë zhbërë e “zhdukur”, kanë qenë disa: Federalist Party, Whig Party, National Union Party, Constitutional Union Party, America First Party (kjo e fundit pushoi së ekzistuari më 1943), Constitution Party (u shpërbë më 1952), Populist Party (shpërbërë më 1984) e, më së fundmi, Serve America Movement, e cila, pasi u krijua si një parti politike më 2017, u shpërbë më 2022.
Unë kam bindjen më të thellë se një opozitë e vërtetë është jetike për demokracinë, në çdo vend, pra edhe në Shqipëri. Mungesa e një opozite të tillë konstruktive sot në Shqipëri është tragjike për fatet e demokracisë sepse e deformon, e korrupton dhe e dobëson rendin demokratik dhe institucionet e tij, siç ju dhe unë shohim të ndodhë realisht.
Por, kur flitet për opozitë dhe për parti opozitare në Shqipëri, personifikimi i tyre për pjesën më të madhe të shqiptarëve janë Berisha e Meta, dy politikanët më të korruptuar e më të papëlqyer për publikun e këtij vendi, jo ju, e nderuar zonjë. Unë ju respektoj për integritetin dhe qendrimet tuaja të matura, por nuk i jap dot përgjigje një pyetjeje thelbësore: Çfarë ju mban të lidhur juve dhe disa prej kolegëve tuaj më racionalë pas Berishës?!
Ndërsa edhe pa Berishën, PD e sotme e ka të vështirë fitoren më 2025, me Berishën në krye të saj PD e ka të pamundur fitoren edhe më tej. Berisha nuk është as opozita e vërtetë, as Partia e vërtetë Demokratike, por tragjedia e asaj partie dhe e kësaj republike. Ai është një e shkuar e dështuar dhe e palavdishme, një fatkeqësi kombëtare, jo e ardhmja e të gjithëve ne si shoqëri e si vend.
Gazeta Dita