Trajneri danez nuk përtyp dot barazimin me Shqipërinë, sulmon Ballist Morinën dhe KAS-in
Trajneri i Danimarkës, Morten Olsen, i gjendur nën akuzën e shtypit vendas nuk e ka përtypur dot barazimin e marrë me Shqipërinë. Duke qenë se Shqipëria mori tre pikë në tavolinë nga KAS për ndeshjen me Serbinë, plus barazimin e mbrëmshëm, kombëtarja jonë është një rivale e drejtpërdrejtë e Danimarkës, në këtë mënyrë Olsen sulmoi kombëtaren shqiptare dhe UEFA-n për mungesë “fair-play”.
Duke marrë shkak nga një foto e Ballist Morinës në Kopenhagen me lojtarët e kombëtares, Olsen tha i nervozuar se: “Ndjeva neveri për foton e njeriut që ngriti dronin në Beograd me lojtarët e Shqipërisë, që e pashë para se të dilnim nga hoteli. Ky gjest nuk ka lidhje fare me ‘fair-play’-n. Ky gjest ma shpifi dhe e theksoj nuk është ‘fair-play’. Ende nuk e kuptoj vendimin që mori KAS-i (që i dha Shqipërisë fitoren 3-0 në tavolinë për ndeshjen me Serbinë). Gjithashtu, nuk e kuptoj faktin që UEFA nuk reagoi fare ndaj këtij vendimi. Kjo është anti-sportive”.
Ndërkohë duke kaluar tek ndeshja ai vlerësoi kolegun De Biazi. “Ata aplikuan një presion të madh ndaj nesh. Kjo lëvizje ishte një surprizë e madhe dhe ne ishim nervozë në lojën tonë. Nuk u treguam aq të zgjuar sa duhet me topin në pjesën e parë. Nëse do ta kisha ditur mënyrën se si ata e kishin organizuar strategjinë, ndoshta do të kisha vepruar ndryshe”, tha Morten Olsen.