Një 23-vjeçare shqiptare ka humbur jetën në Padova të Italisë.
Sipas mediave vendase, Ariana Herri, ka ndërruar jetë në spitalin e Padovës nga miokarditi.
Fillimisht e reja shfaqi simptoma të lehta, si kollë dhe ftohje.
Në ditët në vijim, sëmundja u përkeqësua duke i shkaktuar vështirësi në të ngrënë, të vjella të vazhdueshme, gjë që bëri familjen t’i drejtohej spitalit.
E transportuar fillimisht në Ca’ Foncello në Treviso dhe më pas në Padova, Ariana iu nënshtrua kujdesit intensiv.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ajo nuk mundi t’ia dilte dhe ndërroi jetë.
Autopsia e kryer sot do të jetë vendimtare për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes.
Ariana u përshkrua nga rrethi i saj si një vajzë gazmore, e apasionuar pas muzikës dhe kërcimit.
Lamtumira e fundit do t’i jepet të hënën më 27 janar në ora 15:00 në varrezat komunale të Maseradës.