Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Pediatrinë e QSUT-së ku është regjistruar viktima e parë nga fruthi. Një foshnjë 7-muajshe ka humbur jetën pas komplikacioneve nga sëmundja.
Raportohet se foshnja ishte e pavaksinuar pasi MMR kundër fruthit merret në moshën 1-vjeçare.
Pavarësisht ndërhyrjes, mjekët nuk arritën dot të mbanin në jetë foshnjën pas komplikacioneve të shfaqura.
Kohët e fundit janë regjistruar dhjetëra raste me sëmundjen e fruthit ndërkohë ky është rasti i parë tragjik.
Mjekët kanë dhënë alarmin për vaksinimin e fëmijëve. Vitet e fundit janë përhapur informacione sipas të cilave vaksina shkaktonte autizëm, gjë e cila është kundërshtuar me forcë nga mjekët, që i kanë cilësuar informacione të rreme.
Por nga frika e këtyre informacioneve, shumë prindër nuk kanë pranuar të vaksinojnë fëmijët, dhe raportohet se numri shkon në mbi 1 mijë fëmijë të pavaksinuar me MMR kundër fruthit.
Reagon mjekja: Prindërit të mos neglizhojnë, çfarë duhet të kenë parasyh
Shefja e Infektivit në Pediatrinë e QSUT, mjekja e QSUT Eli Foto ka dhënë detaje për vdekjen e foshnjës 7 muajshe në pediatrinë e QSUT. Në një prononcim për gazetarin Erjon Skëndaj, mjekja tha se janë gjithsej 55 raste të prekura. Ajo tha se fruthi shoqërohet me komplikacione, e para është pneumonia dhe më pas encefaliti, raporton “BalkanWeb”.
“Kemi 55 raste të diagnositikuar me fruth. I kemi marrë të gjitha masat, fëmijëta janë të izoluar në dhoma të veçanta, plus që kemi hapur dhe dhoma izolimi për fëmijët e ri, që janë të dyshuar. Rastet që vijnë nga shërbimi ambulator që dyshohet për fruth i mbajmë në dhomë të veçantë, merren analizat, përcaktohet etiologjia dhe pastaj trajtohen. Fëmijët janë të gjithë moshës 0-1 vjeç, janë të pavaksinuar me vaksinën e fruthit. Kemi një kontingjent të vogël të moshës 1 vjeç e gjysmë deri në 4 vjeç. Janë fëmijë, të cilët nuk janë vaksinuar për arsye të frikës se nga vaksina mund të shkaktohet autizmit. Janë të gjithë të pavaksinuar. Kanë pasur komplikacione. Komplikacioni i parë dhe më i rëndë është të bësh penumoni, pastaj encefaliti por ne kemi pasur rastet me pneumoni. Deri tani kemi pasur një rast me fatalitet, me pneumoni të rëndë në moshën 7 muajshe”, tha mjekja, raporton “BalkanWeb”.
Mjekja ka sqaruar se fruthi ka simptoma si gripi duke këshilluar prindërit të mos i neglizhojnë këto simptoma dhe të paraqiten tek mjeku pas shfaqjes së temperaturës.
“Fruthi ka një karakteristikë që fillon tamam si gripi dhe tre ditët e para bën temperaturë 39-40 gradë. Nënat që kanë fëmijë 0-1 vjeç duhet të drejtohen menjëherë tek mjeku pediatër. Kjo është një sëmundje që një periudhë të parë 2 javësh ka inkubacionin që virusi zhvillohet. Pastaj 3-4 ditë ka probleme si të gripit, vihet re skuqje e syve, ka një kollë të fortë, ka sekrecione nga hundët, temperaturën e 39-40 gradë. Pastaj shfaqet ekzantema. Kur shfaqet ekzantema, nëna e kupton edhe vetë por ne themi që nënat të kenë kujdes në periudhën që kanë temperaturën e lartë dhe për fëmijët 0-1 vjeç. Prindërit të drejtohen menjëherë tek mjeku pediatër që mund të dallojë shenjat e brendshme të fruthit. Të mos e neglizhojnë, iu them të mos ngatërrohen sepse koincidon me periudhën e gripit e varicelës por me temperaturë të lartë të adresohen tek mjeku. Të gjitha nënat që kanë pasur kontakte dhe fëmijët me fruth janë vaksinuar këtu në pavijon nga ISHP”, deklaroi mjekja Eli Foto.
/a.m.











