Presidenti Ilir Meta, kryeparlamentari Gramoz Ruçi, kryedemokrati Lulzim Basha, si dhe ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka kanë reaguar pas lajmit të kobshëm të vdekjes së 10 shtetasve nga Kosova gjatë një aksidenti tragjik të ndodhur në Kroaci.
“Me trishtim mora vesh lajmin për aksidentin e rëndë automobilistik që ndodhi në Kroaci, si pasojë e të cilit humbën jetën dhjetë qytetarë kosovarë dhe u lënduan rreth tridhjetë të tjerë. Shpreh ngushëllimet e Kuvendit të Shqipërisë dhe të miat për familjet e motrave e vëllezërve tanë që humbën jetën dhe të plagosurve u uroj shërim të shpejtë. Kurajo e forcë për të përballuar këtë dhimbje të madhe!”, shkruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit.
Ndërsa ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka shkruan “Keqardhje për humbjen tragjike të jetës së shtetasve kosovarë në Kroaci. Ndajmë dhimbjen me vëllezërit tanë dhe me zemër e mendje jemi pranë familjarëve dhe urojmë shërim të shpejtë për të lënduarit”.
Ndersa Presidenti i Republikës, Ilir Meta shpreh ngushëllimet për aksidentin tragjik në Kroaci, ku një autobus nga Kosova doli nga rruga dhe si pasojë 10 persona humbën jetën.
Në mesazhin ngushëllues, Kreu i Shtetit shqiptar thotë se ndan dhimbjen me familjet e viktimave, ndërsa të lënduarve i uron shërim të shpejtë.
“Me trishtim të thellë përcolla lajmin e rëndë për aksidentin tragjik në Kroaci. Ndaj dhembjen e madhe me familjet e viktimave dhe ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Pasagjerëve të lënduar ju uroj shërim të shpejtë.
Falenderoj autoritetet kroate, në veçanti për kujdesin shëndetësor të ofruar për të plagosurit”, thuhet në mesazhin ngushëllues të Presidentit Meta.
Në aksidentin e mëngjesit të sotëm në Slavonski-Brod, kanë vdekur 10 persona gjithsej, nëntë pasagjerë dhe njëri nga shoferët që ishin në autobusin kosovar të linjës Frankfurt – Prishtinë.
Shefi i Mbrojtjes Civile në Kroaci, Damir Trut, për media deklaroi se në autobus ishin 67 udhëtarë e dy shoferë. “Në autobus ishin 67 pasagjerë e dy shoferë. Fatkeqësisht, 9 pasagjerë dhe një shofer kanë humbur jetën. 44 pasagjerë u pranuan në spital në Slavonski Brod. Tetë në gjendje të rëndë, e katër janë operuar. 14 pasagjerë dhe një shofer janë në stacionin policor, duke pritur akomodimin”, ka thënë Trut duke shtuar se në autobus kishte edhe fëmijë.











