Të paktën 21 persona humbën jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu një kamp refugjatësh të vendosur në Rripin e Gazës.
Ngjarja e rëndë u regjistrua në periferi të Jabalit, atje ku ndodhet një prej kampeve më të mëdhenj me refugjatë palestinezë. Zjarri mendohet të ketë rënë gjatë një feste dhe mes viktimave mendohet të ketë shumë gra e fëmijë.
Sipas drejtuesve të Hamasit në zonë, flakët mendohet të jenë shkaktuar nga sasia e madhe e benzinës që ishte magazinuar në një ndërtesë. Megjithatë, është ende e paqartë sesi benzina mori flakë dhe për këtë arsye ka nisur një hetim.
Jabalia është kampi më i madh i refugjatëve në Rripin e Gazës dhe së bashku me 7 kampet e tjetër në zonë, mbajnë më shumë se 2.3 milionë persona. Banorët e këtyre kampeve jetojnë në kushte mizerabël dhe shpesh herë nuk kanë furnizim me ujë të pijshëm apo drita.
Për këtë arsye shumë familje magazinojnë gaz e benzinë në shtëpitë e tyre për të kaluar dimrin.
Presidenti palestinez Mahmoud Abbas shprehu ngushëllimet e tij për këtë tragjedi dhe e shpalli ditën e premte zi kombëtare.
/a.r