Tre gra kanë humbur jetën prej zjarrit që përfshiu këtë të hënë, 26 janar, fabrikën e njohur të biskotave “Violanta” në Trikala të Greqisë.
Zjarri nisi pak para orës 04:00 të mëngjesit dhe përfshiu një pjesë të fabrikës, ku flakët shpërthyen masivisht.
Siç shkruajnë mediat greke, pesë punonjëse ishin në vendin e shpërthimit. Tre prej tyre u gjetën të pajeta, ndërsa dy të tjera rezultojnë të zhdukura.
Pesë punonjës të tjerë dhe një zjarrfikës janë dërguar në spital, dhe të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën.
Një pjesë e ndërtesës është shembur ndërsa është krijuar një situatë kaotike me trafikun.
Në vendngjarje po punojnë 40 zjarrfikës me 15 automjete, ndërsa është angazhuar Drejtoria për Luftën kundër Zjarreve të Qëllimshme (DAEE).










