Një 26-vjeçar me shtetësi turke është vënë në prangat e Policisë së Tiranës, i akuzuar për transport të paligjshëm të emigrantëve me qëllim kalimin drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të kësaj faze operacionale, u arrestua në flagrancë shtetasi me iniciale G. K., i cili u kap në aksin rrugor “Kashar–Thumanë”, duke transportuar me automjet tre emigrantë të paligjshëm.
Hetimet paraprake tregojnë se 26-vjeçari kishte marrë përsipër t’i transportonte këta shtetas kundrejt pagesës prej 3000 eurosh për person, me synim kalimin e tyre drejt vendeve të BE-së në mënyrë të kundërligjshme.
Policia ka vijuar me veprimet procedurale, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë për hetime të mëtejshme mbi këtë rast.











