Një tjetër operacion antidrogë ndërkombëtar është finalizuar në orët e para të mëngjesit, ndërsa u sekuestruan 81 kg drogë.
Burime zyrtare nga policia e Vlorës bënë me dije se operacioni u ndërmor nga Policia Kufitare e Sarandës, Komisariati i Policisë Sarandë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë Greke të Igumenicës.
Sakaq, tre shqiptarë u vunë në pranga, ndërsa dy prej trafikantëve u arratisën.
NJOFTIMI
Më datë 29.01.2018, rreth orës 19.00, nëpërmjet oficerit të kontaktit të Komisariatit Policisë Kufitare Sarandë është vënë në dijeni pala Greke e Igumenicës ( Sektori i Antidrogës), se në drejtim të fshatit Vërvë të Sarandës, drejtimi i piramidave nr.63-64, disa persona që dyshohej se transportonin lëndë narkotike, janë nisur në drejtim të shtetit grek.
Si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe ndjekjes nga të dyja anët e kufirit, rreth orës 04.30, të dt.30.01.2018, në sajë dhe të përdorimit të kamerave të vendosura për këtë situatë, në vendin e quajtur Parapotamo, zona e Filatit, nga Policia Greke janë kapur 3(tre) shtetas shqiptarë së bashku me lëndën narkotike ku nga peshimi rezulton se është 81 kilogramë, ndërsa dy shtetas të tjerë duke përfituar nga errësira mundën të largohen.
Personat e kapur me lëndë narkotike janë:
A. N., 24 vjeç, nga Rësheni, banues në Shëndëlli, Konispol, K.LL., 23 vjeç, nga Cakrani, Fier, si dhe M.L., 26 vjeç, nga Peshkopia.
Policia Greke ka shprehur falenderim për bashkëpunimin ku u finalizua me bllokimin e lëndës dhe arrestimin e personave. Vazhdojnë shërbimet e përforcuara dhe me Komisariatin e Policisë Rendit Sarandë për kapjen e personave të tjerë.
a.ç










