Nga Ilir Mborja
Para pak ditësh, kur Nasho Jorgaqi publikoi një letër të Gjergj Fishtës dërguar në vitin 1939 një koloneli të ushtrisë italiane në kohën kur Shqipëria ishte e pushtuar prej tyre, të shoqëruar me disa komente e interpretime të argumentuara prej një shkencëtari që dekadat e kanë kthyer në një mit të gjallë të historiografisë shqipe, menjëherë iu përgjigj në mënyrë polemike Romeo Gurakuqi, profesor në Universitetin Europian të Tiranës. Në atë shkrim profesor Nasho Jorgaqi thoshte në thelb se kjo letër është një provë tjetër e qëndrimit mirëkuptues me fashizmin që ka pasur Gjergj Fishta dhe, me këtë rast, përmendte edhe faktin që Fishta ka pranuar të bëhet anëtar i Akademisë së Shkencave të Italisë së kohës së fashizmit. Sigurisht, jo se nuk e ka ditur, por duket se Nasho Jorgaqi, për të mos e paraqitur deri në fund të vërtetën denigruese ndaj figurës së Fishtës, nuk e ka parë të arsyeshme të na e përmendë fjalimin e tij përshëndetës, pas nderimit si anëtar i Akademisë së Shkencave të Italisë fashiste. Në atë fjalim të përulur gjer në pështirosje, Fishta e konsideroi Musolinin “Çezarin e kohëve moderne” dhe Shqipërinë “pasardhëse e perandorisë Romake” duke zeruar kështu drejtpërsëdrejti kontributin e mbretërimit të lavdishëm të Teutës sonë ilire…
Pas përgjigjes së Romeo Gurakuqit, u përfshinë në debat edhe Emil Lafe, Mustafa Nano dhe Fitim Çaushi. Ndërsa në krah të Romeos u rreshtuan një prift katolik dhe një katolik jo prift, emrat e të cilëve e kam të vështirë t’i kujtoj në këtë moment. Por nga gjithë këta, ai që veçohet skajshëm dhe dallon për mënyrën e tij polemizuese aspak shkencore dhe të habitshme për titujt dhe gradat shkencore që mbart, është Romeo Gurakuqi. Në ato që ai shkruan në një stil krejt ordiner merret vesh se, ky Romeo, vetëquhet jo vetëm “historian” e “profesor”, por madje, qenka edhe drejtor i Shkollës Doktorale, pranë Universitetit Europian të Tiranës. Këtu zë fill edhe problemi për të cilin do të përpiqem ta shtjelloj…
Ajo, që në kushte normale mund të quhej debat ose polemikë shkencore mes njerëzve të ditur, nuk duket e tillë dhe të nxit të mendosh: A mund të përfillet si debat shkencor kjo histori kur, në njërën anë, përballë Nasho Jorgaqit, Diogjenit të historisë së letrave shqipe dhe ca emrave të njohur e të familjarizuar për shqiptarët aq sa janë të tepërta përcaktorët para tyre, qëndron Romeo Gurakuqi, që po t’i heqësh ndajshtimin “Drejtor i Shkollës Doktorale”, emri i tij nuk të thotë asgjë?
Pasi e lexon, merret vesh se ke të bësh me një pseudo historian, produkt fallco si jo pak të tjerë që dolën përgjatë tollovisë së viteve të pas ‘90-s. Këtu tek disbalanca intelektuale mendoj se fillon dhe anormaliteti i “debatit” dhe prandaj dua të ndalem pak për të treguar diçka më të padukshme që mendoj se fshihet pas këtij episodi. Përtej temës konkrete, pa pretenduar kurrsesi që t’i bëhem krah mbështetës Nasho Jorgaqit, profesorit të ish-pedagogut tim të historisë së letërsisë shqipe të periudhës për të cilën diskutohet, unë do të shpreh shqetësimin tim për atë frymë aspak europiane që përcjell “historiani” i Universitetit Europian të Tiranës Romeo Gurakuqi, njëkohësisht edhe drejtor i një institucioni që graduon si doktorë shkencash të tjerë studiues! Edhe sikur për një çast të supozonim se Romeo Gurakuqi, që mendon ndryshe, është më pranë së vërtetës historike, si mund t’i kuptojmë ato që ai shkruan? Si ta marrim vesh që nuk kemi të bëjmë me një çoroditje të skajshme të intelektit? Çfarë virusi përcakton sindromin e tij kur shkruan: “Por kjo skemë arsyetimi nuk bën pjesë në njohjen e “shkencëtarit”, e Gegofobit të Famshëm, as të botës së tij të fantazmave dhe të qyqeve të enverizmit, prandaj ai përpiqet të ushqejë nostalgjikët me kasketa, të shumuar dhe ringjallur nga Edi Rama dhe Blloku i tij i Aventurierëve Kanabistë, e të helmojnë publikun me aksiomat paranojake të diktatorit…” Me një injorancë elementare për drejtshkrimin, me një dialekt që as gegërishte korrekte nuk është, “profesor” Romeo nuk njeh përdorimin e shkronjës së madhe. Ai shkruan ashtu edhe mbiemrat dhe emrat e përgjithshëm në mes të fjalisë. Me një logjikë të tillë unikale në fantazi, ai përzien brenda një fjalie për Fishtën dhe letrën drejtuar kolonelit fashist italian: gegofobinë, fantazmat, enverizmin, Edi Ramën, nostalgjikët me kasketa, romanin “Mërgata e qyqeve”, Bllokun, aventurierët, kanabistët, diktatorin dhe Nasho Jorgaqin?! Vetëm për përfshirje në ligjin e mbetjeve të riciklueshme e ka kursyer dhe nuk e ka akuzuar profesorin “shkencëtari” Romeo Gurakuqi… Çudi si i ka dalë nga mendja?!
Sigurisht, nuk e kam as objekt dhe as pretendoj që me anë të këtyre radhëve të hyj në debat me një mendje të tillë. Kam bindjen se Romeo Gurakuqi nuk do të shërohet ndonjëherë dhe prandaj nuk do të mundë kurrë ta ndajë virusin e politikës partiake nga studimet shkencore. Ai duhet të ketë parë shumë filma me Tomi & Xherri dhe duket se nuk e ka ndërprerë ende shikimin e atyre filmave vizatimorë.
Se është i tillë, krejt unikal në guximin e tij të sëmurë për të thurur vetëm me korrektësi morfologjike (por aspak sintaksore) fraza të tilla (dmth si në rastin e mësipërm kur mbiemrat i përshtat në gjininë, numrin dhe në rasën e duhur me emrat) Romeo Gurakuqi është në ballë të një fryme të çoroditur, kinse “të re”. Sindromi i tyre “na erdhi dita për revansh”, që duket se shkaktohet nga halucinacione dhe që u fanepset si një aksiomë, rezistenca koshiente që mbajnë ndaj këtij virusi me mutacion politik, është vuajtja e tyre sa antishkencore, aq edhe qesharake. Të kërkosh komunikim modern me të tillë “shkencëtarë” është njëlloj si të kërkosh të vizitosh një planet tjetër. Për racionalizëm shkencor as që duhet çuar ndër mend… Prandaj me Romeon dhe ndonjë prift katolik apo katolik tjetër jo prift, që hiqen më katolikë se Papa, është marrëzi të hysh në debat. Kur them “më katolikë se Papa” nuk kam parasysh vetëm ngjyrimin e figurshëm idiomatik, por edhe kumtin e parë të shprehjes. Madje ata bëhen më katolikë se dy Papë bashkë, se as Papa Gjon Pali II më 1993 dhe as Papa Françesku më 2014, kur vizituan Shqipërinë, në fjalimet e tyre të mençura nuk e zunë me gojë emrin dhe “martirizimin” e At Gjergj Fishtës. Por nuk harrojnë Romeo dhe katolikët tanë t’i dalin për zot plagës fashiste që mbart fatkeqësisht një prej dishepujve të kulturës sonë kombëtare. Ata nuk do t’i hapin kurrë sytë të lexojnë atë që pohon Dom Nik Ukgjini në monografinë e tij serioze “Kisha Katolike në Trevat shqiptare” (nga shekulli XI deri sot) se: “Kisha Katolike e kushtëzuar dhe nga nevojat e mëdha financiare, përkrahu si partner të mundshëm shtetin fashist”. Postulati i Ciceronit që ua rekomandon si busull shkencore Nasho Jorgaqi se: “Detyra e parë e historianit është t’i shmanget gënjeshtrës; e dyta, të mos fshehë të vërtetën; e treta, të mos japë shkas të dyshojnë”, nga një vesh u hyn e nga tjetri u del Romeos e ithtarëve të tij. Dokumenti i shkruar, apo çdo dëshmi e historisë në lidhje me kolaboracionizmin, atyre u duken “dromcë letrare”… Prandaj polemika është e kotë dhe, ashtu siç thotë Profesor Nashoja, “…nuk i përgjigjet kushteve që kërkon një debat serioz dhe i moralshëm”.
***
Romeo Gurakuqi nuk e ka lexuar dhe nuk do ta lexojë ndonjëherë se me Fishtën dhe do të tjerë ka ndodhur pikërisht fenomeni i quajtur “Tradhti Patriotike” (Pikërisht ashtu siç e ka titulluar librin e tij studiuesi D.Littlejohn “Historia e kolaboracionizmit në Europën e pushtuar nga Gjermania” botuar në v.1972). Shaqir Vukaj tregon se edhe në Europë ka ekzistuar i njëjti fenomen, por qëndrimi ndaj tyre ka qenë krejt i ndryshëm. Askush nuk ka lejuar që “…ndonjë i ashtuquajtur profesor apo studiues të përligjë kolaboracionizmin dhe veprën e atyre që u vunë në shërbim të pushtuesve nazi-fashistë…” Më tej tregohet se: “…Sipas të dhënave të vendeve të ndryshme, në periudhën 1945-1955 në Europë janë zhvilluar 13607 procese gjyqësore kundër tyre. Vendi që ka vuajtur më së shumti nga kolaboracionizmi ka qenë Franca, prandaj aty edhe qëndrimet ndaj tyre e dënimet kanë qenë radikale. Për të vendosur mbi baza ligjore dënimin e tyre, Asambleja Konsultative e Francës, në gusht-shtator 1944, aprovoi dy ligje për dënimin e atyre që “i kishin dhënë ndihmë Gjermanisë dhe aleatëve të tyre, që kishin dëmtuar unitetin kombëtar, të drejtat dhe barazinë e shtetaseve francezë”.
Sipas të dhënave zyrtare, në Francë u zhvilluan 170 mijë procese gjyqësore ndaj kolaboracionistëve, ku 120 mijë vetë u dënuan, nga të cilët, 4785 vetë me vdekje. Vetëm 4 muajt e parë, mbas çlirimit të Parisit, janë dënuar me vdekje 6763 vetë nga të cilët 1500 prej tyre janë ekzekutuar menjëherë… Sipas shifrave që japin studiues të ndryshëm, në Francë janë ekzekutuar me gjyqe të rregullta, gjyqe të shpejtuara ose pa gjyqe, 20-30 mijë kolaboracionistë”.
Hapi sytë Romeo dhe mëso faktin se, që ditët e para të çlirimit të Parisit e përzunë si kolaboracionist të dërguarin e Vatikanit, nuncin apostolik.
“Statistikat flasin qartë për urrejtjen dhe qëndrime të pafalshme ndaj kolaboracionistëve në Norvegji, Belgjikë dhe Holandë. Kështu në qoftë se në Francë janë dënuar 12 vetë ndër 10 mijë banorë, në këto vende janë dënuar nga 40 deri në 64 vetë për 10 mijë banorë. Tepër të prerë e kategorikë kanë qenë holandezët ndaj kolaboracionistëve. Qeveria Holandeze që ndodhej në Londër prej disa vitesh, kishte filluar përgatitjet për “spastrimin e madh” Që në Londër ajo kishte bërë ndryshimet e duhura në Kodin Penal. Për këtë qëllim ishte ndryshuar dhe përfshirë në kodin e ri dënimi me vdekje për tradhtarët e atdheut…
Norvegjia konsiderohet vendi ku kolaboracionistët janë dënuar më rëndë se kudo në Europë. Megjithëse një vend me popullsi prej rreth 3.3 milionë banorë, në Norvegji u akuzuan për kolaboracionizëm 92 mijë vetë, u nxorën para gjykatave 46 mijë kolaboracionistë, nga të cilët 37150 vetë u dënuan me afate të ndryshme burgimi, ndërsa 60 vetë u dënuan me vdekje (kryeministri Kuisling u dënua me vdekje dhe u ekzekutua në sy të turmave që kërkonin me ngulm ta shihnin me sytë e tyre vdekjen e tij).
Viktima të urrejtjes popullore u bënë edhe 50 mijë vajza e gra që kishin pas marrëdhënie intime me oficerë apo ushtarë gjermanë, 14 mijë prej të cilave kishin lindur fëmijë nga këto marrëdhënie. Ato u arrestuan dhe 5 mijë prej tyre u dërguan nëpër kampe përqendrimi…
Në Danimarkë menjëherë mbas çlirimit u arrestuan 20 mijë vetë të akuzuar për kolaboracionizëm. Më 1 qershor 1945 parlamenti danez, ratifikoi një ligj të ri që parashikonte dënime të rënda për bashkëpunëtorët e pushtuesve. Para gjyqit dolën dhe u dënuan 15742 vetë, nga të cilët 3641 vetë me mbi 4 vite burgim, 62 vetë me burgim të përjetshëm dhe 78 vetë me vdekje.
Në Belgjikë kolaboracionistët u ligjëruan ‘me shtetësi të humbur’, madje u vu në përdorim një term i ri, “joshtetas” (pa shtetësi). Para gjykatave u nxorën 57 mijë vetë, nga të cilët u dënuan 23584 vetë për “kolaboracionizëm politik”, 31831 vetë për “ndihmë ushtarake” pushtuesve, ndërsa 20652 personave ju hoqën të drejtat civile. 42 vetë u dënuan me vdekje, disa prej tyre u ekzekutuan në prani të turmave. Rreth 2 mijë vetë u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa rreth 5 mijë vetë u dënuan me nga 10 deri në 20 vjet. Tërheq vëmendjen një fakt interesant. Për disa vite mbas lufte, çdo belg që donte të zinte një vend pune, ka qenë i detyruar të merrte një çertifikatë garancie politike, ku kryesorja ishte qëndrimi i tij gjatë luftës…
Në Luksemburgun e vogël, janë dënuar për kolaboracionizëm rreth 10 mijë vetë, nga të cilët 12 prej tyre me vdekje.
Tepër ashpër u sollën me kolaboracionistët në Çekosllovaki, madje ekzekutimi i tyre kishte filluar pa mbaruar lufta… Gjatë dëbimit të tyre nga Çekosllovakia, në vitet 1945-1947, janë vrarë 20 – 30 mijë vetë, por numri më i madh i tyre janë eliminuar, ditët e para mbas largimit të pushtuesve gjermanë, apo siç është quajtur, gjatë “dëbimit të egër”.
Në Austri u shpallën 130 mijë vetë në kërkim, nga të cilët 23 mijë iu nënshtruan proceseve gjyqësore, ku u dënuan 13.600 vetë, ndër të cilët 43 vetë me vdekje…”
Hapi sytë o “i krishteri” Romeo dhe mëso se: Ndaj kryeministrit të “Republikës Sllovake” Tiso, për qëndrimin e mbajtur gjatë luftës, Vatikani e dënoi. Sipas ligjeve të tij, vendosi ta hiqte nga lista e prelatëve, madje siç shkruajnë disa studiues edhe e shkishëroi…
***
Të gjitha sa citova me shkurtime të shumta më sipër, në kushte të një debati normal do të ishin të tepërta. Por kemi të bëjmë me një “historian” si Profesor(?!) Romeo Gurakuqi që nuk e di dhe as nuk do ta mësojë, se kolaboracionizmi mund të klasifikohet si ushtarak, politik, ekonomik, organizativ, kulturor, madje edhe seksual (si në rastin e 50 mijë vajzave e grave norvegjeze që kishin pasur marrëdhënie intime me oficerë apo ushtarë gjermanë)… Të gjitha faktet dhe dokumentet atij i duken “dromca letrare”.
Por ai, gjithashtu harron se për ca “dromca letrare” Knut Hamsun, shkrimtari i parë norvegjez i cili fitoi çmimin Nobel dhe që disa kritikë e kanë cilësuar atë si “babain e letërsisë bashkëkohore”, meqë në kohën e luftës u bë admirues i Hitlerit dhe medaljen e tij të Nobelit ia dhuroi Gebelsit, nuk i shpëtoi dot dënimit.
Ashtu si Fishta ynë, që shpresonte tek “Çezari i kohës së fashizmit” për “lirinë” e Shqipërisë, edhe Knut Hamsun e shikonte Hitlerin si shpëtim të Norvegjisë nga ndikimi i mundshëm komunist sovjetik. Por mëngjeseve në oborrin e shtëpisë së tij ai gjente librat që lexuesit norvegjezë ia hidhnin mbrapsht në shenjë të qartë proteste antifashiste.
Pas luftës, Hamsun dhe bashkëshortja e tij, Marie, gjithashtu shkrimtare u arrestuan dhe u gjykuan. (Hapi sytë Romeo! Edhe gruan e tij…)
Që nga ajo kohë e deri më sot, norvegjezët nuk ia falin mbështetjen që Hamsun i dha regjimit nazist.
Kështu ndodhi edhe në Francë me romancierin dhe pamfletistin e shquar Louis-Ferdinand Celine
Mbështetja vokale e Celine për fuqitë e Boshtit gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe autorësia e tij në disa pamflete në mënyrë të qartë anti-hebreje, ka bërë që ai vetë dhe trashëgimia e tij, nga një ikonë kulturore, të ndëshkohen e të rrënohet plotësisht…
Edhe fatin e poetit amerikan Ezra Pound e dinë të gjithë, përveç Romeo Gurakuqit. Poeti i madh u padit për tradhti ndaj SHBA gjatë Luftës së Dytë Botërore, megjithëse ishte një nga zërat më me ndikim në shekullin e 20-të në letërsinë angleze dhe letërsinë amerikane. Vetëm pse Pound e mbështeti publikisht Adolf Hitlerin, ai u arrestua në vitin 1945 nga amerikanët në Itali. Ai u akuzua për tradhti dhe kaloi muaj të tërë në një kamp ushtarak amerikan derisa para se të shtrohej në një çmendinë në SHBA…
***
E theksoj edhe njëherë, se në kushte normale të një debati mes polemistësh disi të balancuar në racionalitetet e tyre, përmendja e përsëritur e shembujve analogë europianë dhe të përbotshëm, sot do të ishte e tepërt. E kam gjithashtu shumë të qartë se me “të verbër” dhe “shurdhë” si Romeo Gurakuqi nuk debatohet. Këto radhë i shkrova më shumë për ata që janë të detyruar t’i dëgjojnë kumtesat e përçartura të këtij “europianisti” aspak europian me sindromin antishkencor “revansh se na erdhi dita”… Veç vargun e Asdrenit të mos harrojmë, kur thotë se “Nga lufta veç ai largohet / që është lindur tradhëtor”, mjafton për të kuptuar se ajo ditë nuk ka për të ardhur asnjëherë. Vetëm ky varg i këngës së flamurit, që na thërret të mos falim kurrë ata që largohen nga lufta, dhe jo më bashkëpunëtorët e pushtuesit, do të mjaftonte për të mos u tunduar asnjëherë në qëndrimin tonë ndaj kolaboracionistëve. Ndryshe… Ndryshe do të na duhet, ose të ndryshojmë himnin kombëtar, ose të pranojmë tradhtinë ndaj atdheut si “një dromcë letrare”. Përpara kësaj mëdyshjeje të vendos “virusi” me emrin Romeo Gurakuqi…/dita/a.k