Avokati i Popullit Igli Totozani i është drejtuar KQZ dhe partive politike me një letër të hapur ku u kërkon palëve që të grantojnë pastërtinë e figurës së kandidatëve për deputetë që partitë politike kanë propozuar në listat e tyre të zgjedhjeve. Sipas tij, 18 Qershori 2017 është vetëm startimi i një procesi kompleks që ndërthur në vetvete një sërë komponentësh, aktorësh dhe faktorësh që në një rezultante të përgjithshme lidhen me realizimin efektiv të së drejtës për të zgjedhur dhe së drejtës për t’u zgjedhur.
“E drejta për të zgjedhur si një e drejtë aktive dhe e drejta për t’u zgjedhur, si një e drejtë pasive, janë të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë. Çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet.Kushtetuta sanksionon parimin se, vota është vetjake. Kjo gjë dikton nevojën për përcaktimin e të gjitha rregullave dhe procedurave që sigurojnë karakterin vetjak të votës, të cilat janë përcaktuar nga Kodi Zgjedhor. Sipas Kushtetutës së Shqipërisë parimet e sistemit zgjedhor shqiptar sanksionohen në përcaktimin e dhënë në nenin 1, pika 3, ku thuhet se: “qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike”, thekson Totozani.
Avokati Popullit nënvizon se ajo që mund të konstatohet lehtësisht është se kemi një bazë të mirë ligjore për të kryer procesin, por duke u ndalur specifikisht, duhet kuptuar se procesi nuk mund të jetësohet pa ushtrimin dhe realizimin efektiv edhe të së drejtës për t’u zgjedhur.
“Në këtë kontekst duhet theksuar se, e drejta për t’u zgjedhur rregullohet në mënyrë të barabartë për të gjithë. Por nga ana tjetër kjo nuk duhet të kuptohet si një e drejtë e pakufizuar. Nga kjo e drejtë përjashtohen shtetasit e deklaruar me vendim gjyqësor të formës së prerë, si të paaftë mendërisht, kurse të dënuarit që janë duke vuajtur dënimin me heqje të lirisë, kanë vetëm të drejtën për të zgjedhur. Një tjetër kriter përjashtues është edhe kriteri i moshës që kufizohet nga arritja e moshës madhore. Kjo mënyrë trajtimi bën të nevojshme adoptimin e masave të veçanta në legjislacion.Me hyrjen në fuqi të ligjit 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, shtohet një garanci më shumë për mbrojtjen dhe mirëfunksionimin demokratik të vetë procesit zgjedhor, por edhe të Kuvendit specifikisht, nga ndikimi apo pjesëmarrja në politikëbërje dhe/ose vendimmarrje i personave, të cilët janë dënuar apo ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie ose janë dënuar me vendim jopërfundimtar për kryerjen e krimeve, sipas parashikimeve të këtij ligji. Nga ana tjetër kjo garanci e re ligjore shton rrethin e kritereve kufizuese të së drejtës për t’u zgjedhur Ky kufizim shprehet shumë qartë në pikën 1, të nenit 2 të ligjit, ku thuhet shprehimisht se: “Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo të anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë apo të qarkut, personat të cilët janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit së Shqipërisë…”., thekson Totozani në letrën e tij publike
Sipas tij, ligji shkon më tej, në pikën 2, 3 dhe 4, të nenit 3, të tij, kur ndalimin e shtrin edhe tek personat e dënuar me vendim jopërfundimtar nga një autoritet gjyqësor, ndaj të cilëve është vendosur një masë sigurimi personal, apo lëshuar një urdhër kërkimi ndërkombëtar për kryerje apo tentativë kryerjeje të vepre penale (përfshirë edhe rastin kur aplikojnë ndryshim identiteti të mëvonshëm), të dëbuar nga territori i një shteti anëtar të BE-së, SHBA-ve, Kanadasë dhe Australisë, sipas kushteve të parashikuara në Ligjin 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
“Mjeti ligjor i parashikuar për evidentimin e rasteve të subjekteve që janë subjekte të kufizuara në ushtrimin e së drejtës së tyre për t’u zgjedhur, është vetëdeklarimi përmes formularit përkatës të miratuar me vendim të Kuvendit, ku këta persona duhet të deklarojnë mosekzistencën e shkaqeve për të kandiduar, për të mos u zgjedhur, apo emëruar.
Efektivisht ky formular që plotësohet nga personi subjekt i ligjit, dorëzohet dhe administrohet në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve për të zgjedhurit dhe kandidatët për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, apo në organet e qeverisjes vendore. Deklarimi i të dhënave të rreme ose të shtrembëruara në të përbën vepër penale, sikurse formulari dhe të dhëna të përfshira në të mund të bëhen publike në çdo kohë dhe pa asnjë kufizim para dhe pas datës së zgjedhjeve të përgjithshme apo vendore, votimeve në Kuvend apo emërimit, me kërkesë të subjekteve të interesuara. Ligji ka parashikuar tashmë organet kompetente për verifikimin dhe zbatimin e ndalimeve për zgjedhjen dhe emërimin në funksione publike, ku Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka një rol të rëndësishëm në këtë proces zgjedhor, si për kandidatët e paraqitur nga ana e partive politike, ashtu edhe për kandidatët e pavarur. Përmes gjithë këtyre garancive ligjore në kuadër të së drejtës për mirëqeverisje, institucioni i Avokatit të Popullit sjell në vëmendje të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, si dhe të të gjithë partive politike dhe ju bën thirrje për respektimin e të gjithë kritereve ligjorë në përcaktimin e kandidatëve të tyre, si subjekte përfaqësues me integritet të lartë. Njëkohësisht kjo thirrje u shkon edhe të gjithë kandidatëve të mundshëm që kanë vendosur të kandidojnë si të pavarur në këto zgjedhje, për të respektuar maksimalisht kërkesat e përfaqësimit me integritet të lartë. Ky moment përbën një bazë të mirë për themelet e një ecurie normale të procesit të zgjedhjeve, respektim të integritetit të vet procesit të zgjedhjeve, si dhe respektim dhe mbrojtje efektive të së drejtës për të votuar, për të gjithë zgjedhësit’, thekson Totozani.
Sipas tij, ka edhe një moment tjetër të rëndësishëm që lidhet me integritetin e kandidatëve që do të paraqiten si përfaqësues respektivë, në këto zgjedhje parlamentare, pasi me hyrjen në fuqi të Ligjit nr.45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, ekziston tashmë një filtër ligjor, që përputhet me një qëndrim parimor në këtë çështje, për të ditur se cilët janë në raport me të shkuarën, individët politikëbërës, drejtues dhe vendimmarrës, apo përfaqësues. Integriteti i kandidatëve duhet të kalojë edhe testin e verifikimit të pastërtisë së figurës, nga ana e Autoritetit të Hapjes së Dosjeve të Ish-Sigurimit të Shtetit.
“Mundësia e verifikimit të së shkuarës së kandidatëve është e lidhur ngushtë edhe me krijimin e besimit në opinionin publik dhe të dhënies së sigurisë sot për publikun e gjerë se, klasa aktuale qeverisëse dhe individë në nivele të tjera postesh publike, apo edhe përfaqësues të shoqërisë civile, nuk do të mbartin paragjykimin dhe frymën antidemokratike të përsëritjes të asaj ç’ka ndodhur në të shkuarën. E drejta për mirëqeverisje është e lidhur sa me mënyrat e qeverisjes, aq edhe me individët që ushtrojnë funksione, ndaj edhe është e rëndësishme të krijohet një vlerësim mbi atë se, çfarë përfaqëson gjithkush prej individëve që menaxhon interesat e komuniteteve, apo edhe të shoqërisë në tërësi. Në funksionin e një institucioni të parashikuar shprehimisht në Kushtetutë, që mbron, parandalon shkeljen dhe promovon të drejtat e njeriut, Avokati i Popullit shpreh bindjen se nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa integritet të kandidatëve, si subjekte që kanë të drejtën për t’u zgjedhur. Partitë politike kanë një rol shumë të rëndësishëm në këtë moment për të garantuar të shkuarën “e pastër”, të kandidatëve të tyre për këto zgjedhje parlamentare. Edhe vet kandidatët e pavarur duhet të jenë transparent karshi publikut lidhur me të shkuarën e tyre, si mënyra më e mirë për të ofruar alternativën e tyre dhe për të kërkuar votën e zgjedhësve. Ky konkluzion duhet të shërbejë për të gjithë ne, për të kuptuar që procesi zgjedhor ka nevojë për një ndërveprim konkret dhe dinamik për të garantuar cilësinë përfaqësuese të kandidatëve dhe një proces të lirë, të barabartë dhe të ndershëm zgjedhor, në një vend që po bën përpjekje të mëdha dhe po ndërmerr reforma sinjifikative për të qenë pjesë e vlerave demokratike europiane, e Bashkimit Europian”, përfundon letra e Totozanit.
ma.me/javanews.al