Rezultati që Partia Demokratike mori në zgjedhjet parlamentare te 25 Qershorit, sipas Jozefina Topallit, ishte katastrofal, dhe më i dobët se në 1997-ën, kur PD nuk ka pasur as komisonerë.
E lënë jashtë legjislaturës së re të Kvuendit, pasi nuk u fut në listat e kandidatëve për deputetë të hartuara nga lideri demokrat Lulzim Basha, Topalli ndan për emisionin “Komiteti”, qëndrimin lidhur me situatën rrënuese sipas saj, se ku ndodhet partia që rrëzoi komunizmin në Shqipëri.
Një ndër kritikat më të forta që ish-kryeparlamentarja ka ndaj kryedemokratit Basha, është fakti se nuk u bë një analizë për humbjen e thellë të PD-së, që më 25 qershor i dha mundësinë Partisë Socialiste të fitojë e vetme të drejtën për qeverisje me 74 mandate, më shumë se gjysmën e Parlamentit të Shqipërisë.
“Nuk mund të bëhet analizë vetëm në muajt e fundit. PD-ja s’ka qenë opozitë në nivelin e duhur, ka pasur krizë lidershipi”, thekson ajo teksa shton se është alarmante që 230 mijë vota demokratësh që PD mori minus krahasuar me zgjedhjet e 2013-ës (ose 35 % më pak), ende nuk janë analizuar pse ‘shteruan’.
“Kambanat bien për ata që duan të dëgjojnë, që t’i japin kohë vetes për analizë”, tha Topalli e ftuar në emisionin “Komiteti” të Express. /b.d