Gjykata e Posaçme la në fuqi masat e arrestit në burg për 7 personat e arrestuar në kuadër një operacioni për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal të trafikimit të tonaletave me kokainë, nga vendet e Amerikës Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Ndërkohë personi i tetë pritet të dalë para gjykatës së Tiranës, për shkak se nuk ka qenë pjesë e procedimit penal, dhe është arrestuar gjatë operacionit në kushtet e flagrancës pasi dispononte armë pa leje.
Mes të dyshuarve është edhe ish-drejtuesi i policisë Erjon Dani, që akuzohet se ka nxjerrë të dhëna nga sistemi TIMS duke ua vënë në dispozicion anëtarëve të grupit kriminal.
Sipas SPAK, këta shtetas janë përgjegjës për trafikimin e rreth 3.8 ton kokainë, ndërsa janë të dyshuar edhe për disa raste të korrupsionit të zyrtarëve të drejtësisë. Burime pranë organit hetues konfirmuan se dy nga 5 personat e shpallur në kërkim ka të dhëna që ndodhen në Dubai dhe 3 të tjerë në vendet e Bashkimit Europian, nga të cilët janë edhe disa nga personat e dyshuar si organizator.











