Një skandal i ri po e vë në siklet qeverinë e Keir Starmer. Nuk është e përmasave gjigante si çështja Epstein-Mandelson, por rikthen në qendër të vëmendjes politikën e jashtme të Londrës, veçanërisht ndaj Kinës.
Tre funksionarë laburistë u arrestuan me akuzën e spiunazhit në favor të Pekinit. Më pas u lanë të lirë me kusht. Njëri prej tyre është bashkëshorti i deputetes së partisë në pushtet, Joani Reid. Ajo u distancua menjëherë, duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me aktivitetet e bashkëshortit dhe se nuk kishte parë kurrë asgjë që ta bënte të dyshonte se ai mund të kishte shkelur ligjin. Mbi të gjitha, ajo theksoi se nuk ka qenë kurrë në Kinë dhe nuk ka ngritur kurrë në Parlament çështje që lidhen me atë vend. Megjithatë, Partia Laburiste ka hapur menjëherë një hetim të brendshëm, shkruan Corriere Della Sera.
Për Starmer, i cili tashmë është nën presion për qëndrimin ndaj luftës me Iranin dhe për skandalin Mandelson, ky është një telash i padëshiruar, sidomos sepse politika ndaj Kinës ka qenë tashmë objekt polemikash.
Së pari, ishte çështja e miratimit për ndërtimin e mega-ambasadës së re kineze në Londër, e ndërtuar në zemër të City-t dhe e dyshuar se mund të përdoret si qendër përgjimi për të dhëna të ndjeshme. Më pas, një tjetër rast spiunazhi u mbyll nga prokuroria, pasi qeveria refuzoi ta përcaktojë Kinën si një “kërcënim”. Vetë kryeministri vizitoi Pekinin në janar (vizita e parë e një kryeministri britanik pas tetë vitesh), një udhëtim që solli pak rezultate dhe shumë kritika.
Si në shumë dosje të tjera, edhe në këtë rast Starmer përballet me një ekuilibër të vështirë. Nga njëra anë ai e konsideron të domosdoshme një marrëdhënie të mirë me Kinën për të ringjallur një rritje ekonomike të dobët, nga ana tjetër është i vetëdijshëm se regjimi i Pekinit është i përfshirë në një fushatë agresive spiunazhi dhe infiltrimi në institucionet britanike, nga Parlamenti te universitetet dhe qendrat kërkimore.
Qëndrimi i Londrës ndaj Kinës në vitet e fundit ka pësuar luhatje të dukshme, nga “epoka e artë” e shpallur nga ish-kryeministri konservator David Cameron në vitet 2010, deri te “epoka e akullt” e pasardhësve të tij.
Starmer përpiqet të ndjekë një rrugë të mesme pragmatike, por në fund ka nga ata që mendojnë se ai do të detyrohet të zgjedhë mes një elektrifikimi të ekonomisë të mbështetur nga Kina ose një zhvillimi energjetik të orientuar nga Shtetet e Bashkuara. Për momentin ai përpiqet të mbajë një ekuilibër, por rrezikon që në çdo hap të rrëzohet nga skandale si arrestimi i tre të dyshuarve për spiunazh nga radhët e laburistëve.











