Bashkia e Tiranës njofton se ka mbajtur premtimin për përmirësimin e kushteve të transportit urban, si dhe krijimin e një linjë të posaçme urbane për këtë zonë. Linja e re që përshkon segmentin Farkë – Sauk i Vjetër – Kopshti Zoologjik – Ish Stacioni i Trenit u inspektua nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili vlerësoi shërbimin e përmirësuar të transportit urban, si dhe faktin që banorët e Farkës mund të lëvizin më shpejt drejt qendrës së Tiranës.
“Kemi një lajm shumë të mirë për të gjithë banorët e zonës sepse nga një transport primitiv, i nivelit dum-dum, ku njerëzit futeshin si sardele në autobusë, kemi kaluar në një sistem jashtëzakonisht modern, ku njihet aboneja, me një linjë të re e cila fillon në Farkë, kalon në të gjithë zonën e Kopshtit Zoologjik dhe arrin në qendër të Tiranës, për të vazhduar deri te ish Stacioni i Trenit”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Ai vlerësoi faktin se tashmë banorët e kësaj zone mund të udhëtojnë vetëm me një biletë, pa qenë e nevojshme të ndërrojnë autobusë. Veliaj theksoi se kjo linjë e njeh abonenë, duke u mundësuar frekuentuesve të rregullt të transportit publik lehtësi edhe më të madhe financiare. “Kemi mbajtur një premtim, kemi futur abonenë, kemi një çmim të njëjtë në të gjithë qytetin, edhe për linjëb e Farkës, dhe mbi të gjitha sot kemi një kapacitet që është 3-fishuar, me 11 autobusë dhe me një frekuencë çdo 10 minuta, e cila do të priret të shkojë deri në çdo 5-6 minuta”, shtoi Veliaj.
Ai tha se brenda këtij viti edhe në këtë linjë do të futet në përdorim bileta elektronike, e cila gjithashtu do jetë një lehtësi edhe më e madhe për banorët që nuk do përballen më me praninë fizike të kontrollorëve të biletave. “Brenda këtij viti do të fusim biletën elektronike, e cila do të zgjidhë përfundimisht disa ngërçe të vogla që kemi, ndonëse sot me futjen e GPS dhe kontrollet që po bëjmë në secilin autobus, kemi një ndryshim të jashtëzakonshëm të situatës”, u shpreh kryebashkiaku.
Linja “Farkë – Sauk i Vjetër – Kopshti Zoologjik – Ish Stacioni i Trenit” është një linjë e re, një pjesë e së cilës më parë ka qenë e mbuluar me shërbim transporti nga ish Komuna Farkë. Tashmë ajo i mundëson kësaj zone një linjë qyteti dhe aksesin në qendër deri tek ish Stacioni i Trenit. Kjo linjë krijon akses dhe ndërlidhje me linja të tjera të qytetit, deri në zonën e Unazës/Stacioni i Trenit. Udhëtarët e kësaj linje do të përfitojnë nga përdorimi i abonesë, ndërsa ajo përshkohet nga 11 mjete me kushte komode. /b.d










