Problematika e ujit të pijshëm në kryeqytet do të adresohet përmes një auditi teknik dhe financiar të UKT, i cili do të bëhet nga Ujësjellësi i Puglias. Kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj ka firmosur një memorandum me Presidentin e rajonit të Puglias Michele Emiliano, ku përmes auditit do të shikohet gjendja aktuale e UKT dhe më pas mënyrat më të mira për të nisur inverstimet për të garantuar 24 orë ujë të pijshëm në shtëpitë e kryeqytetasve.
“Do të auditojmë ndërmarrjen për të kuptuar në nivelin teknik dhe financiar se çfarë nuk shkon me këtë kompani dhe ku duhet të fillojnë investimet e reja. Më pas do të kalojmë në një fazë investimesh ku bashkë me ujësjellësin e Pulias do të sigurohemi që çdo cent që investohet ka një dobi konkrete”, – tha Kreu i Bashkisë Erjon Veliaj.
Presidenti i Rajonit të Puglias, Michele Emiliano kërkoi që qytetarët të ndërgjegjësohen se uji është një pronë e tyre dhe duhet ta menaxhojnë me kujdes.
“Qeveria shqiptare dhe Bashkia e qytetit të Tiranës nuk do që të humbë kohë, nuk duan që të përhumben vetëm me protokolle e ceremonira, por kërkojnë t’u tregojnë njerëzve se gjërat po ndryshojnë për mirë. Sigurisht që do të duhet edhe një bashkëpunim i qytetarëve të cilët duhet të kuptojnë e të ndërgjegjësohen se uji është një pronë e tyre dhe duhet ta menaxhojnë me kujdese”,deklaroi Emiliano.