Kemi parë shifra pafund, çdo ditë, por kanë qenë të rrallë ata që kanë treguar se si është të jesh me virusin e ri. Covid-19 na ka krijuar një botë të re, ku jemi të rrethuar nga shumë pikëpyetje. Ndër njerëzit e rrallë që flet për këtë sëmundje mbi të cilë ende shumëkush ka pikëpyetje, është edhe një vajzë e re që jeton në Nju Jork, Amerikë.
Vana Nikolli është një vajzë nga Tirana e cila në tetor të vitit 2019 shkoi të jetonte me bashkëshortin e saj në Nju Jork. Në fillim jetesa për të ishte shumë normale, deri në mars të 2020, kur së bashku me bashkëshortin e saj u sëmurën.
E reja tregon për gazetën “Si” se kishin përjetuar një grip shumë të fortë. “Ishte grip më i fortë se herët e tjera. Kaluam 12 ditë me temperaturë të lartë dhe e vetmja zgjidhje që kishim ishte të kujdeseshim për njëri-tjetrin, pasi nuk kishim askënd dhe fuqitë tona sa vinin e bini.
Bashkëshorti ndërprehu punën dhe ishin ditë shumë të vështira për ne, ku temperatura nuk ulej, aspirina vetëm ndihmonte që mos të shkonte më shumë, muskujt na dhimbnin dhe mezi mbanim sytë hapur.
Në spital na thanë se është grip e si të tillë e trajtuam. Ishte shumë e lodhshme të mos kesh fuqi as të pish ujë. Mbas disa ditësh nuk matnim më as temperaturën pasi e dinim se ishte 39 si dhe kishte qenë për shumë ditë tashmë.
Kështu vazhdoi gjendja për 2 javë e mbas 2 javësh filluam të ndiheshim më mirë. Temperatura ra e mundeshim të ushqeheshim aq sa të merrnim fuqi” tregon Nikolli që duket se e ka përjetuar me shumë vështirësi gjendjen të cilën as nuk e dinte se ishte një virus i ri i panjohur.
Pasi Covid-19 pati përhapjen masive pikërisht në Nju Jork, shëndeti i dy të rinjve tashmë ishte normalizuar dhe nuk kishin asnjë shqetësim. Rastet e para në Amerikë ishin në fund të janarit por kurba filloi në rritje ku Trump shpalli emergjencë kombëtare më 13 mars dhe nënshkroi një pako të ndihmës urgjente, të vlerësuar në 105 miliardë dollarë, për të luftuar përhapjen e virusit.
Presidenti tha se qeveria federale do të financojë 100 për qind të kostos së vendosjes së njësive të Gardës Kombëtare për të kryer misione të aprovuara për të ndaluar virusin. Pjesë e pakos ishte edhe testimi falas për COVID-19 dhe pushim familjar dhe shëndetësor të paguar për shumë shtetas amerikanë. Për shkak të gjendjes së gripit që kaluan, bashkëshortit të saj i kërkuan të bëjë tamponin para se të kthehej në punë. Të dy bënë tamponin dhe siç vajza i tregoi gazetës “Si”, pritja e përgjigjeve ishte një nga gjendjet më të vështira për të.
“Pasi bëmë tamponin na thanë se mbas 4 ditësh dilte rezultati. Këto 4 ditë ishin ndër më të vështirat pasi kishim shumë pak informacion rreth virusit, madje cdo informacion që e kishim ishte se po vdisnin pafund njerëz nëpër botë dhe se kaosi ishte i pashmangshëm. Dolëm pozitivë. Kishim coronavirus! U mbyllëm në shtëpi dhe vazhdoi bashkëjetesa me Covid-19 dhe nuk kishte ndjenjë më të keqe.
Flisnim me familjarët çdo ditë e nuk i thonim dot të vërtetën. Jetonim në një ankth që hera herës na zinte frymën dhe ishim tërësisht vetëm, pa asnjë njeri, pa asnjë ngushëllim. E vetmja gjë e bukur që shihja cdo ditë në mëngjes dhe në darkë ishte një pikturë në pallatin përballë shtëpisë time,” tregon Nikolli dhe pamja vizive Skype tregon se i ka të mbushura sytë me lot.
Nju Jork u bë vatra e re e virusit ku numri i viktimave rritej frikshëm e tashmë bota kishte kthyer sytë dhe nga Nju Jork. Autoritetet zgjodhën ishullin Hart Island për të varrosur pacientët që kanë humbur jetën nga COVID-19, për të cilët askush nuk është paraqitur të tërheqë trupat.
Zyrtarët lokalë kanë zgjedhur këtë mënyrë për të ruajtur hapësirat gjithnjë e më të pakta në varrezat e një prej qyteteve më të mëdha të Shteteve të Bashkuara. Varret masive na kujtojnë Luftën e Dytë Botërore ose konfliktin e përgjakshëm të viteve ’90 në ish-Jugosllavi ndërsa tani do na kujtojnë dhe kulmin e luftës kundër koronavirusit.
Dy të rinjtë tregojnë se edhe pse vazhdonin në izolim, nga ana tjetër ata prej ditësh nuk ndjenë më asnjë shqetësim. Ishin të mbyllur në shtëpi pasi kështu ishin rregullat por për asnjë moment nuk kishin asnjë nga simptomat që tregonin virusin sipas ekspertëve.
Në këtë situatë ato vendosën të bënin një tampon tjetër i cili cuditërisht doli pozitiv prapë. Por gjendja e tyre tashmë ishte mirë dhe pas kësaj Nikolli tregon se kishte pasur një sërë dyshimesh mbi gjendjen e saj.
Ajo i tregoi gazetës “Si” se mbasi doli për herë të tretë pozitive filloi të lexonte cdo artikull mbi virusin, cdo gjë që flitej në rrjetet sociale për virusin e atë periudhë të zezë për të gjithë botën.
“Nuk ishte normale të dilja pozitive mbasi kalova temperaturën me një aspirinë normale e të vazhdoja të isha e infektuar me virus kur nuk kisha më asnjë shqetësim. Kjo më bëri të lexoj e të mundohem ti jap një shpjegim. Kishte pafund ide e konspiracione por për mua njëra ishte më e besueshme. Çdo gjë po bëhej për një arsye! Të mbyllën brenda njerëzit e mos të shikojnë provat që po bëhen me valët 5G.” tregon me shumë sinqeritet Nikolli.
“Këtu në Nju Jork vdesin cdo ditë 4000-5000 persona për arsye të ndryshme ndërsa tani po vdesin 1000-1500 nga virusi. E kupton diferencën? Njerëzit po vdesin nga frika apo nga infrakti, jo nga virusi. Ne nuk na pranuan në spital sepse ishim të rinj dhe pa simptoma, u mjaftuan me tamponin e nuk ishte cudi që dilnim pozitiv për herë të tretë.
Askush nuk flet për këtë por këtu po ngordhin kafshë nga rrezet elektromagnetike që shpërndajne valët 5G. Kam lexuar se trupi ynë ka masat e duhura të metaleve por rrezet kanë tepricë mërkuri. Mërkuri është një ndër faktorët kryesorë pse burrat bëhen steril ose fëmijët lindin me probleme si autik apo me sindromën dawn.
Pastaj për njerëzit e pushtetshëm që kërkojnë luftë, rrezet e valëve 5G janë të favorshme pasi me 5 volt energji që ka zemra jonë ato mund ta fikin atë si me buton.
Po përgatitet një luftë e ne po cilësohemi si të infektuar që të mbyllemi në shtëpi e mos të shikojmë cfarë po ndodh jashtë. Madje një ditë pashë që në Shqipëri po shëtisnin satelite e njerëzit nuk dinin asgjë deri në momentin që u bënë virale dhe u detyruan të jepnin një sqarim.
Unë mendoj se po përgatisnin territorin e dickaje që nuk dihet si do të shkojë. Ne mjaftohemi me faktin se jemi njerëz të infektuar dhe viktima të një virusi.”
Këto fjalë Vana na i tha me bindje të plotë, ishte e sigurt me cdo artikull që kishte lexuar, cdo bisedë që kishte bërë me miqtë e saj ku shumica kishin të njëjtin mendim dhe gjithë informacionet që i kishte plotësuar si nje puzzle për të na i përcjellë ne si bombë, a thua se po dëgjojmë ekspert të flasi të vërteta të forta që cdo njeri duhet ti dëgjojë e pastaj të vendosë vetë se cilin version do të besojë.
Tani vajza nga Tirana që jeton në Amerikë vazhdon jetën normale dhe kryen çdo aktivitet ditor edhe pse në tamponin e fundit doli pozitive me Covid-19 për herë të katërt, pra ajo vazhdon të jetë një e infektuar pa asnjë simptomë për 2 muaj.