Nga Edi Rama
Përshëndetje dhe në radhë të parë i uroj mirëseardhjen të gjithë miqve që kanë marrë avionët për të ardhur në këtë samit dhe është e vërtetë që detyra e kryetarit të bashkisë është një detyre shumë e posaçme dhe pa diskutim, duke qenë se unë vetë kam pasur privilegjin që të mbuloj disa lloj detyrash të larta është e vetmja e cila të mbetet në lëkurë si eksperiencë, pasi është e vetmja ndër të gjitha detyrat publike ku kontakti dhe distanca me tjetrin, është jashtëzakonisht e shkurtër dhe raporti me vendin ku banon është jashtëzakonisht fizik, gjë që nuk ndodh me asnjë detyrë tjetër, të paktën nga eksperienca ime. Është pa diskutim privilegj i veçantë që t’i drejtohesh nga ai pozicion ku unë jam sot këtij samiti dhe është pa diskutim edhe nder i veçantë që te kemi këtu të pranishëm edhe përfaqësues të shumë qyteteve, ndërkohë që unë dua që të përmend eksperiencën time të parë frymëzuese drejtpërdrejtë për çka më pas u bë pjesë e punës sime që është eksperienca në Barcelonë.
Barcelona është një destinacion dhe një territor ku sipas meje çdokush që merr përsipër të drejtojë një qytet apo të drejtojë një fshat, duhet ta prekë edhe duhet ta shohë nga afër sepse është një klasë e hapur për të marrë mësime për qasjen ndaj hapësirës publike, për qasjen ndaj zhvillimit urban, për qasjen ndaj të bukurës në arkitekturë. Kur unë u bëra kryetar i bashkisë, pata pastaj privilegjin që të kem disa marrëdhënie me Barcelonën dhe privilegjin që të kemi këtu si mik të ftuar një ndër ri-rilindësit e Barcelonës moderne Josep Acebillo që na ndikoi jashtëzakonisht shumë në punën tone me filozofinë e tij të akupunkturës e cila luajti një rol të posaçëm në rilindjen e Tiranës.
Pa diskutim që nuk mund të mos e kujtoj edhe eksperiencën në Holandë, qoftë në Amsterdam, qoftë në Roterdam. Në Amsterdam kemi pasur dëshirën e madhe që të mësojmë mbi planifikimin urban dhe pastaj nga Roterdami kemi marrë goxha eksperiencë falë Institutit Berlage me të cilin krijuam një lidhje organike me bashkinë e Tiranës dhe sot disa protagonistë të asaj kohe vazhdojnë të jenë prezentë në Tiranë dhe në Shqipëri në punët tona të zhvillimit urban.
Të drejtosh një qytet dhe të punosh për një qytet, ka dhe këtë mundësi dhe kënaqësi të veçantë sepse të jepet rasti të shohësh dhe të mësosh nga eksperienca e të tjerëve në mënyrë shumë direkte pasi gjërat në një mënyrë ose në një tjetër, pavarësisht nivelit të shkallës së zhvillimit ose shkallës së vështirësisë janë të njëjta, sfidat janë të njëjta dhe është e pabesueshme për mua ose më saktë është kënaqësi sepse e besueshme është bërë tanimë që Tirana të ketë mundësi të mikpresë përfaqësues të këtyre qyteteve që deri dje ishin si muzeumet e kryeveprave të artit për piktorët e provincës.
Nuk ka qenë e imagjinueshme deri jo shumë vite më parë që ne të bëheshim një vend mikpritës i samiteve, i konferencave ndërkombëtare apo edhe i një konference si kjo, i një samiti, si ky ku ka shumë të tjerë para nesh dhe për të mos mbetur vetëm në Perëndim, dëshiroj të shpreh shumë respekt edhe shumë admirim për çfarë kanë bërë kryetarët e bashkisë në Varshavë. Varshava është një platformë për të parë edhe për të kuptuar se si mund të transformohet në një periudhë relativisht të shkurtër dhe se si mund të vihet në shërbim të jetës bashkëkohore një territor, një qytet me shumë trashëgimi kulturore, por ku e gjithë periudha e komunizmit krijoi një frenim dhe krijoi një ngrirje.
Më vjen jashtëzakonisht mirë që këtu në Tirane jo vetëm mund të ofrojmë mikpritjen tonë. Me këtë mikpritje besoj që i mundim holandezët, nuk diskutohet edhe gjithë këta perëndimorë, përveç spanjollëve sepse spanjollët janë pak si ne, katalanasit janë shumë si ne për hir të së vërtetës dhe përveç mikpritjes të mund t’i ofrojmë dhe mundësinë e një eksperiencë në një qytet, në një kryeqytet që sot është bërë edhe një nga destinacionet kryesore turistike të Shqipërisë, gjë që nuk mund të imagjinohej deri disa vite më parë. Një qytet ku më kujtohet se me çfarë lloji turpi dhe me çfarë lloj skuqjeje në fytyrë e kam përjetuar kur sapo isha bërë kryetar bashkie dhe një gazetare dashamirëse italiane më tha; “ më vjen shumë keq po në këtë qytet nuk mund të fotografosh asgjë përveç njerëzve’’. Realisht ishte kështu. Po të doje ta mbrojë Tiranën ose më saktë t’i mbroje shqiptarët nga sytë përçmues vetvetiu të atyre që na shihnin nga jashtë, nuk mund t’i tregoje dhe nuk duhet t’i tregoje fotografi nga Tirana apo nga qytetet e tjera të Shqipërisë. Duhet të mbaje aparatin të drejtuar nga qielli, nga malet, nga deti por në asnjë mënyrë nga qyteti. Sot është krejt ndryshe dhe sot Tirana është kthyer edhe në një platformë të jashtëzakonshme të arkitekturës bashkëkohore. Ne kemi në Tiranë edhe në gjithë Shqipërinë për hir të vërtetës sepse shumë projekte interesante po zhvillohen edhe në pjesë të tjera të vendit, një numër të konsiderueshëm arkitektësh të prestigjit më të lartë ndërkombëtar, janë 8 apo 9 “Pritzker Price” që bëjnë projekte në Shqipëri dhe Tiranës i shkon më së miri ajo shprehja “Lum kush të rrojë, ta shohë zonjë”, sepse do të duhet edhe ca kohë që të gjitha këto projekte të kthehen nga dosje të punuara prej arkitektesh të jashtëzakonshëm, në objekte të jashtëzakonshëm. Megjithatë qysh tani ka filluar edhe duket kjo që po ndodh dhe ky është vetëm fillimi i një gjerdani goxha të gjatë veprash vërtet mbresëlënëse të arkitekturës bashkëkohore.
Nuk dua të flas më shumë për Tiranën sepse tjetër kush është në krye të punëve të Tiranës, por duke qenë se mu dha mundësia dhe mu kërkua ta bëja këtë përshëndetje dhe duke qenë i bindur që mikpritësit e Bashkisë së Tiranës i kanë marrë të gjitha masat që përveç konferencës dhe qëndrimit këtu në errësirë, miqtë ta shijojnë edhe pjesën tjetër të Tiranës që është jashtë sallës dhe sidomos ata që kanë ardhur edhe nga kjo Europa e ftohtë të shijojnë edhe ushqimin e ngrohtë.
Dua vetëm të shtoj që kjo aleancë qytetesh jo vetëm që iu vlen, por është gjithnjë e më e domosdoshme sepse gjithmonë e më shumë sipas meje, qytetet do të mbajnë barrën e sfidave të përditshme të njerëzve të kësaj kohe dhe në rast se qeveritë mund të bëjnë diçka më shumë ose diçka më pak është e pamundur që të zëvendësojmë atë që qytetet duhet bëjnë për njerëzit dhe nga ana tjetër është e pamundur që të pretendosh që njerëzit të mjaftohen me çka u ofron qyteti dhe pastaj të kërkojnë gjëra të cilat janë përtej qytetit. Qyteti për njerëzit është shtëpia dhe padyshim që ambicia dhe dëshira e nevoja për ta bërë gjithnjë e më mirë shtëpinë është e pakufizueshme.
Ju falënderoj shumë edhe njëherë! Jam i bindur që të gjitha çka keni thënë mes veti kanë qenë më interesante sa këto që thashë unë për ju. Shpresoj mos të kem qenë i mërzitshëm edhe uroj shumë që përveç këtij takimi të përbashkët, Tirana të zhvillojë sa më shumë edhe marrëdhënie dypalëshe me të gjitha qytetet e pranishme edhe me të tjera qytete sepse duke pasur këtë jetë të përditshme pavarësisht në cilën pikë gjeografike të Europës, me sfida shumë të ngjashme është edhe mundësia e një eksperience që akumulohet në të njëjtën kohë në shumë vende dhe e të ndarit të sukseseve, por edhe të dështimeve me të tjerët dhe përfitimit nga të tjerët të eksperiencës së tyre në mënyrë që të evitohen sa më shumë dështime ose gabime dhe të shumëfishohen sa më shumë vendime të duhura dhe suksese.
Shumë faleminderit edhe njëherë! Edhe një falënderim komplet personal për Barcelonën dhe Amsterdamin sepse janë dy qytete në të cilat unë kam mësuar shumë dhe besoj se çfarë ne kemi bërë në Tiranë në atë periudhë nuk do ishte aq sa ç’ishte dhe nuk do të kishte shërbyer për të filluar rilindjen e Tiranës nëse nuk do të kishte qenë marrëdhënia dhe komunikimi me Barcelonën dhe Amsterdamin.
* Fjala e kryeministrit Edi Rama, në Samitin ‘Pact Free Cities’, mbajtur në Tiranë
Si i thoshte shoki Sali Birisha drejtue shokit Enver Hogja që “ tu baftë dita njëmijë e të marrësh nga ditët tona”….
Qishtu prap shoki Sali Birisha, të uron o Edi Rama, që “ tu baftë dita njimijë e marrsh nga ditët tona”, por gjith zhurmën e sherret që osht tuj boe, e bon për mi pshtue burgit or tëj, që ta ngjojnë ene grigja e tijë or tëj.
Vazhdo Edo, ec përpara me e bo kët Shqipni -tamam – Evropë.