Kategoria Superiore e këtij edicioni po shkon drejt fundit dhe kur kanë mbetur dhe tri xhiro për t’u luajtur, Tirana mund të pranohet hapur se është në krizë serioze, aq sa rrezikohet seriozisht rënia një kategori më poshtë. Tirana nuk ka autoritetin e saj që e karakterizon këtë klub e këtë fanellë ndër dekada. Ka humbur stilin e saj klasik të lojës dhe kjo jo për shkak të trajnerit, por paqëndrueshmërisë së grupit, i cili duket totalisht i shpartalluar, me gabime të rënda në lojë dhe për rrjedhojë me pasoja fatale në rezultate. Janë pikërisht rezultatet që e bëjnë Tiranën një skuadër në rrezik serioz dhe humbja e fundit në derbi me Partizanin ka ndikuar negativisht në aspektin psikologjik.
Kjo skuadër ka shumë vite që nuk fiton një derbi me të kuqtë, duke pësuar statistika të rënda ndaj rivalit kryesor kryeqytetas dhe kundërshtarit historik të saj. Tirana e nisi dhe po e mbyll sezonin pa vizion dhe fajtorët nuk duhen gjetur vetëm tek stafi teknik, por edhe drejtues. Emrat e lojtarëve nuk janë të “këqinj”, por skuadrës i mungon totalisht fryma e grupit. Dhe nëse llogarisim këtë element, ishte pikërisht fryma e grupit që nxori Partizanin kampion këtë edicion.
Trajneri Ardian Mema prej kur mori drejtimin e bardhebluve vuri në pah mangësitë thelbësore të lojtarëve, që nuk ishin aspak të disiplinuar taktikisht, kishin mangësi në formimin si lojtar, nisur nga konceptet bazë të stërvitjes dhe përshtatjes me skemat taktike të trajnerit. Edhe pse Tirana ka një mundësi që të luajë në Europa League sezonin e ardhshëm, nëse mund në finalen e Kupës së Shqipërisë skuadrën e Kukësit, që ajo ta mbyll me sukses edicionin duhet së pari të sigurojë mbijetesën.
Dhe që të ndodhë kjo duhet të mundë këtë fundjavë rivalin direkt në luftën për të qëndruar në kategori, Kastriotin, i cili është vetëm 3 pikë larg. por statistikat tregojnë një Tiranë të dështuar,e e cila është “kyçur” në këtë fundkampionati, nga frika dhe pasiguria që ka në radhët e saj. Ndeshja me krutanët do të luhet në kryeqytet, në “Selman Stërmasi”, por pikërisht në këtë stadium Tirana e këtij sezoni ka dhe rezultatet më të dobëta të saj. Janë statistikat më të dobëta nga të gjitha skuadrat e Superligës, me përjashtim të Kamzës që siç dihet është përjashtuar dhe i humbet ndeshjet e saj me shifrat 3-0 në tavolinë. Ndërkohë, shifrat e këtij sezoni tregojnë se ekipi i drejtuar fillimisht nga Ze Maria e më pas nga Mema, pra Tirana, ka koleksionuar shumë pak pikë në fushën e vet në krahasim me të gjithë skuadrat e tjera. Bardheblutë kanë 22 pikë në 16 ndeshje të luajtura në fushën e tyre dhe në momentin që flasim, lënë pas vetëm Kamzën në këtë renditje. Po ashtu, ekipi shënon shumë pak në “Selman Stërmasi” dhe kjo shihet nga fakti se në kryeqytet, bardheblutë kanë realizuar 17 gola si pritës, duke qenë përsëri të fundit bashkë me Teutën në këtë renditje.
Natyrisht, këto sifra nuk përfshijnë Kamzën, e cila është përjashtuar tashmë dhe dihet që statistikat e saj janë tërësisht negative, pasi humbet çdo ndeshje në tavolinë me shifrat 3-0. Pra, duke iu kthyer skuadrës së Tiranës, shifrat janë të tilla që të lënë të kuptosh krizën e thellë të klubit bardheblu i cili në transfertë çuditërisht është mes ekipeve mesatare në sigurimin e pikëve jashtë fushës së vet, duke marrë më shumë se skuadra si Flamurtari apo Skënderbeu të cilat luftojnë për Europën. Ngushëllimi i vetëm për bardheblutë mund të jetë se ndonëse “Selman Stërmasi” nuk mund të cilësohet një strehë e sigurt për ta, nuk kanë përballë një ekip mbizotërues në transferta.
Në 16 ndeshjet e luajtura deri tani, Kastrioti ka siguruar vetëm 11 pikë jashtë, duke qenë ekipi më i dobët në këtë statistikë. Pra Tirana është në krizë dhe dueli vendimtar me Kastriotin do të shënojë ose “shpëtimin” e saj, pra mbijetesën në Superiore, ose rënien e paralajmëruar të bardhebluve, nisur nga rënia e pashpjegueshme eekipit në javët e fundit.
/a.rada