Shqipëria po mirëpret për herë të parë zhvillimin e takimeve të Grupeve të Punës të Shoqatës Evropiane të Regjistrave të Biznesit (EBRA), një aktivitet i rëndësishëm evropian që mbledh ekspertë dhe drejtues të regjistrave të biznesit nga e gjithë Evropa.
Takimet zhvillohen në datat 24–25 mars në Tiranë dhe organizohen nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB).
Ky aktivitet përfshin grupet e punës për të drejtën e shoqërive tregtare, të dhënat e hapura dhe pronarët përfitues, duke trajtuar çështje kyçe që lidhen me transparencën, digjitalizimin dhe ndërveprueshmërinë e sistemeve të regjistrimit të biznesit në Evropë.
Në fjalën e saj, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj u ndal te progresi i bërë nga Shqipëria sa i përket regjistrimit dhe shërbimeve për bizneset.
“Sot, Shqipëria ofron një sistem tërësisht të digjitalizuar për regjistrimin dhe shërbimet e biznesit. Aplikimet kryhen online, proceset janë të shpejta dhe të standardizuara, ndërsa regjistrimi realizohet brenda 24 orëve.
Ky transformim ka rritur efikasitetin, ka ulur kostot për sipërmarrjen dhe ka forcuar besimin te institucionet. Në të njëjtën kohë, kemi avancuar me reforma të rëndësishme ligjore, në funksion të përafrimit me acquis të Bashkimit Europian.
Punojmë për përmirësimin e kuadrit për pronësinë përfitues, për rritjen e transparencës dhe për garantimin e aksesit në të dhëna të sakta dhe të besueshme. Rezultatet janë konkrete. Shqipëria vlerësohet pozitivisht në indekset ndërkombëtare për efikasitetin administrativ dhe për lehtësinë e të bërit biznes, duke u pozicionuar ndër vendet më të avancuara në rajon në këtë drejtim”, tha znj. Ibrahimaj.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i QKB-së,z. Etugert Llazi vlerësoi rëndësinë e këtij eventi për institucionin dhe vendin.
“Fakti që ky takim zhvillohet për herë të parë në Shqipëri përbën një moment të rëndësishëm dhe një vlerësim konkret për progresin e arritur në zhvillimin e regjistrave të biznesit. Digjitalizimi i proceseve dhe përmirësimi i cilësisë së të dhënave kanë qenë në qendër të transformimit të QKB-së, duke rritur transparencën dhe efikasitetin e shërbimeve për biznesin.”
Ai theksoi se QKB do të modernizojë më tej kuadrin ligjor, duke e përafruar me acquis të BE-së, si edhe do të mbajë një komunikim të hapur me biznesin për të përmirësuar më tej shërbimet dhe për të reduktuar barrën administrative për sipërmarrjen.
Në fokus të diskutimeve gjatë dy ditëve janë temat më të avancuara të zhvillimeve evropiane, përfshirë ndërlidhjen me sistemin BRIS, iniciativat për Portofolin Evropian të Biznesit, si dhe zbatimin e parimit “vetëm njëherë”, që synon reduktimin e burokracisë për bizneset.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet gjithashtu Regjistrit të Pronarëve Përfitues, si një instrument kyç për rritjen e transparencës dhe luftën kundër pastrimit të parave, si dhe për përputhjen me standardet e Bashkimit Evropian.
Ky aktivitet përfaqëson një mundësi të rëndësishme për Shqipërinë për të prezantuar arritjet në reformimin e regjistrave të biznesit, për të shkëmbyer përvoja me partnerët evropianë dhe për të forcuar më tej bashkëpunimin institucional në funksion të integrimit evropian.
Takimet e EBRA-s pritet të kontribuojnë në avancimin e mëtejshëm të standardeve të transparencës, cilësisë së të dhënave dhe shërbimeve ndaj biznesit, duke e pozicionuar Shqipërinë si një aktor aktiv në rrjetin evropian të regjistrave të biznesit.











