Anketa e madhe e emigracionit, e zhvilluar vitin e kaluar nga INSTAT, në rreth 20 mijë familje në të gjithë vendin, ka gjetur se, gjatë periudhës 2011-2019, ka emigruar jashtë 13% e popullsisë ose mbi 360 mijë persona. Tirana, me emigrimin më të madh të familjeve, ndërsa Shkodra, Fieri, Durrësi, me humbjet më të mëdha të popullsisë. Kukësi ka normat më të larta të ikjes së popullsisë, jashtë dhe brenda vendit. 53% e të ikurve janë me arsim të mesëm ose të lartë. Shumica, të rinj. Gati 60% e të ikurve rendisin varfërinë si arsye. hqipëria është duke përjetuar zhvillime alarmante në humbjen e popullsisë, për shkak të emigracionit të lartë. Edhe pas tri dekadash nga ndryshimi i sistemit, flukset emigratore janë të larta, duke e vënë perspektivën e zhvillimit të vendit në një rrugë pa krye.
Shifrat zyrtare tregojnë se gjatë vitit 2011-2019 janë larguar nga vendi mbi 360 mijë persona, ose 13% e popullsisë banuese në vitin 2011. Rezultatet dolën nga anketa e madhe e emigracionit që zhvilloi INSTAT, në bashkëpunim me donatorët në rreth 20 mijë familje vitin e kaluar (prill-korrik 2019). Anketa ka zbuluar një fakt të frikshëm në dekadën e kaluar, pasi fenomeni është zgjeruar në emigrimin e së gjithë familjes. Gjatë 10-vjeçarit të fundit janë larguar nga vendi 6,6% e familjeve, gjithsej 49,500 të tilla, ndërsa në vitet 2001-2011 ishin larguar 4.4% e njësive familjare.
Në totalin e familjeve të larguara jashtë, numrin më të madh e ka Tirana, ku raportohet se janë larguar 10,3% e totalit të qarkut, ndërsa qarqet me humbjet më të mëdha të popullsisë janë Kukësi dhe Tropoja në Veri, Durrësi dhe Elbasani në qendër dhe Fieri në Jug.
Anketa ka zbuluar se kushtet ekonomike, duke përfshirë varfërinë, papunësinë dhe nënpunësimin, të ardhurat e ulëta nga punësimi, kushtet e vështira të jetesës, mbrojtja e kufizuar sociale dhe borxhet janë faktorët kryesorë për emigrantët shqiptarë.
Përveç këtyre faktorëve bazë, një tjetër shtysë është e ardhmja e fëmijëve. Përveç tyre, ka edhe të tjerë faktorë, si mangësitë dhe cilësia e ulët e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, strehimi, konfliktet dhe siguria fizike që shkaktojnë stres të vazhdueshëm psikologjik, përfshi cilësinë e ulët të arsimit. Për disa nëngrupe (p.sh. romët dhe egjiptianët), një faktor shtesë është diskriminimi. Pjesa dërrmuese e personave që emigrojnë janë të rinj, ndërsa 14% e tyre ishin me arsim të lartë. Largimi i burrave ishte 200% më i lartë se ai i grave.
Që në fillim të viteve 1990, migracioni ndërkombëtar dhe ndikimi i tij ekonomik, politik e shoqëror mbeten çështje thelbësore në Shqipëri. Shqipëria është mes vendeve kryesore në botë për shkallën dhe intensitetin e migracionit ndërkombëtar. Ndërkohë, kërkimi i azilit është një dukuri relativisht e re për vendin dhe ka nisur të raportohet në statistikat europiane që prej fillimit të udhëtimit pa viza në zonën e Schengen-it.
Nga viti 2010 deri në shtator të vitit 2019, rreth 193 000 shtetas shqiptarë u regjistruan si azilkërkues për herë të parë në vendet e BE-së. Dukuria arriti pikën kulmore në vitin 2015, kur kërkuan azil rreth 67 000 shtetas shqiptarë, për t’u ulur më tej, si rezultat i procedurave të përshpejtuara të shqyrtimit të kërkesave të azilit, rregullave më rigoroze të migracionit dhe normave më të ulëta të pranimit. Përveç emigracionit jashtë, edhe 200 mijë persona kanë migruar brenda vendit.
Tirana humb 10% të familjeve, Shkodra, Fieri dhe Durrësi, të parat për emigracionin e lartë
Gjeografia e emigracionit në dekadën e fundit ka prekur edhe qarqet me nivelin më të lartë të jetesës siç është Tirana, Fieri dhe Durrësi, ku të ardhurat mesatare të familjeve janë përgjithësisht mbi mesataren kombëtare.
Anketa ka gjetur se, qyteti i Shkodrës pati nivelin më të lartë të emigracionit në raport me popullsinë e qarkut. Gjatë periudhës 2011-2019, ka emigruar 16.7% e popullsisë së qytetit, rreth 36 mijë persona, nga të cilët 15,700 janë emigrime familjare.
Pas Shkodrës, Fieri renditet i dyti për nivelin e lartë të emigracionit në raport me popullsinë. Në dekadën e fundit ka emigruar nga Qarku i Fierit 15,5% e popullsisë, ku 5% e tyre ishin të grupuar në familje. Nga Qarku i Fierit, i cili është dyti për nivelin e lartë të jetesës pas Tiranës, janë larguar mbi 48 mijë persona.
Vendin e tretë e zë Qarku i Durrësit, i cili ka humbur 14.1% të popullsisë në dekadën e kaluar, ku popullsia është pakësuar me mbi 37 mijë persona.
Tirana zë vendin e katërt për nivelin e lartë të emigracionit në total. Popullsia e Qarkut të Tiranës është pakësuar me 13.7%, ose me 102 mijë persona gjatë 2011-2019, por 77 mijë persona kanë migruar të grupuar në familje. Anketa ka zbuluar se Tirana ka emigracionin më të lartë të njësive familjare krahasuar me qarqet e tjera. Gjatë periudhës, 10.3% e familjeve të qarkut kanë emigruar.
Në vend të pestë për emigrim të lartë vjen Elbasani, ku ka emigruar 12.5% e popullsisë banuese e regjistruar më 2011, ku 5.2% e tyre ishin të grupuar në familje.
Në vendin e gjashtë, Qarku i Kukësit i cili ka humbur në emigrim 12.4% të popullsisë gjatë dekadës, më shumë se 10 mijë persona, por ky qark është prekur shumë edhe nga migrimi brenda vendit i popullsisë.
Norma më të ulëta të emigracionit kishin Qarku i Lezhës, Korçës dhe Gjirokastrës, të cilët humbën përkatësisht 7, 9,6 dhe 9.2% të popullsisë. INSTAT gjeti se një numër i përgjithshëm prej 67,535 emigrantësh kishte ikur nga 1 janari 2018 deri më 15 korrik 2019. Më tej, 360 699 persona kanë emigruar që nga viti 2011 dhe përbëjnë numrin total neto të emigrantëve për periudhën 2011-2019, vë në dukje studimi.
Sipas anketës, fluksi emigrator mbizotëronte kryesisht mes familjeve që kanë emigruar tërësisht. Kësisoj, 6,6% e familjeve që emigrojnë në tërësi përbëjnë 6,5% të popullsisë totale të regjistruar më 2011. Ndërsa emigrantët që kanë emigruar veçmas pa familjen zunë 15.5% të emigranteve gjithsej gjatë 2011-2019 dhe shënuan një fluks dalës prej 6,4% të popullsisë. Tirana është rast i veçantë, ku 10,3% e të gjitha familjeve që kanë emigruar tërësisht ose 10,4% e popullsisë, janë larguar nga prefektura. Në të njëjtën kohë, përqindja e emigrantëve nga familje me emigrim të pjesshëm ishte tri herë më e ulët ne Tiranë.
Edhe për dekadën e kaluar, flukset më të mëdha që u vrojtuan ishin drejt Greqisë, Italisë dhe Gjermanisë. Për të gjitha destinacionet, anketa gjeti se, 120,754 persona u larguan për në Itali dhe nuk ishin kthyer deri në vitin 2019. Greqia priti 92,159 emigrantë dhe 40,468 u larguan për në Gjermani. Pjesa tjetër ndahet mes vendesh të tjera.
Shteron forca e punës
Nga të 360 mijë personat që janë larguar nga vendi, shumica e tyre janë në moshë pune. 160 mijë persona ishin në grupmoshën 15-65 vjeç, ndërsa 12 mijë ishin të mitur, nën moshën 15 vjeç. Për 183 mijë emigrantë të tjerë, mosha mbetet e panjohur, por shumica e tyre kanë qenë në moshë pune, duke parë trendin e përgjithshëm. Nga personat që kanë emigruar vetëm dhe jo me familjet, emigracioni ka qenë më i përhapur te grupmosha 20-29 vjeç, pjesa më produktive e popullsisë së re në moshë.
Tek personat që emigruan vetëm dhe jo me familjet, emigracioni i burrave ka qenë shumë më i lartë se ai i femrave. Për grupmoshën 20-29 vjeç, emigrimi i meshkujve ishte tre herë më i lartë se ai i femrave po në këtë grupmoshë. Përgjithësisht, emigracioni është i përqendruar në popullsinë në moshë pune, kryesisht nga 15-65 vjeç dhe flukset më të larta shihen në grupmoshat nga 20 në 40 vjeç. Në të gjitha grupmoshat, meshkujt kanë emigruar më shumë se femrat. Popullsia në moshë pensioni ka pasur një numër më të paktë emigrantësh në raport me totalin.
53% e të ikurve me arsim të mesëm dhe të lartë
Emigracioni i dekadës së fundit ka përfshirë një pjesë të konsiderueshme të shtresës së mesme edhe nga ana e formimit arsimor. Sipas të dhënave të anketës, nga të larguarit, 54% e tyre kishin një diplomë të arsimit të mesëm, profesional ose të përgjithshëm, ose një diplomë të studimeve të larta. Gati 14% e emigrantëve gjatë periudhës 2011-2019 ishin me arsim të lartë.
Nga të dhënat shihet se personat që kanë emigruar vetëm dhe jo me familjet, 24,749 ishin me diploma në arsimin e lartë dhe doktoratura. Ky numër është më i lartë, për shkak se asnjë pjesëtar i familjes që ka emigruar nuk jeton në vendin tonë. Për këtë arsye, INSTAT nuk ka mundur të gjejë profilin e saktë të statusit ekonomik, moshës dhe arsimit tek familjet e emigruara në total, që zënë 50% të të gjithë emigrantëve të larguar gjatë periudhës në analizë.
76% e të ikurve të papunë, ose pjesërisht të punësuar
Pjesa dërrmuese e emigrantëve në dhjetë vitet e fundit ishin të papunë. Nga personat që kanë ikur pa familjen shihet se 76% e tyre ishin të papunë, ose ishin të punësuar me kohë të pjesshme. Më shumë se 45% e të larguarve nuk kishin asnjë punë. Ndërkohë, 8% e të larguarve ishin nxënës dhe studentë, ndërsa emigrimi i pensionistëve përbënte vetëm 1.7% të totalit, teksa pak më shumë se 5% ishin të angazhuar me punë shtëpie. Për çdo 100 persona të ikur, 81,3 prej tyre ishin aktivë në tregun e punës dhe 18,6, joaktivë.
Varfëria, arsye kryesore për emigrim
Për tri grupet e popullsisë në lëvizje (migrantëve, emigrantë, të kthyer dhe migrantë të brendshëm) u përgatit një vlerësim i motiveve për lëvizjen e tyre. Arsye kryesore e largimit nga vendi ishin problemet financiare dhe kushtet e jetesës, ndërsa për kthimin, arsyet familjare.
Anketa nuk ofroi informacion lidhur me motivet e familjeve që kanë lëvizur tërësisht apo planet e tyre për të ardhmen. 55-60% e emigrantëve brenda dhe jashtë vendit rendisin arsyet financiare dhe përmirësimin e standardeve për zhvendosjen nga vendbanimi, ndërkohë që arsye të tjera familjare dhe arsimi më i mirë kanë shtyrë 30% të emigrantëve të ikin.
Anketa zbuloi se mbi 223 mijë persona kanë ndryshuar vendbanimin brenda përbrenda Shqipërisë gjatë periudhës 2011-2019. Ndërsa gjatë viteve të censit 2001-2011, lëvizjet e popullsisë brenda vendit arritën shifrën mbi 200,000 njerëz. Edhe brenda vendit shihet se kanë lëvizur me gjithë familjet mbi 170 mijë persona.
Nga grupi i familjeve shqiptare, kryefamiljari i të cilave ishte banor në vitin 2011, 4,7% kanë ndryshuar vendbanimin në tërësi, ndërsa 9,4% e kanë bërë pjesërisht. Është vlerësuar se nga totali prej 14% i familjeve, 8% e popullsisë kanë ndryshuar vendbanimin e mëparshëm. Kukësi duket se është prefektura me përqindjen më të lartë të popullsisë, që ndryshon vendbanimin brenda vendit, me 16,1% të popullsisë së përgjithshme banuese në vitin 2011.
Në të njëjtën kohë, sa i takon strukturës së familjes, kjo prefekturë kishte përqindjen më të lartë të familjeve që migrojnë së brendshmi me migracion të pjesshëm, me 33,9%. Nga ana tjetër, përqindja e familjeve të tëra që kanë lëvizur brenda vendit dhe e popullsisë së përgjithshme që migron së brendshmi është e lartë në Dibër, Durrës, Fier, Gjirokastër, Elbasan dhe Korçë. Në këtë hark të shkurtër kohor mund të shohim dy dinamika të ndryshme të fluksit të brendshëm migrator: një në periudhën 2011-2013 dhe tjetra nga viti 2014, kur fluksi vjetor i migracionit të brendshëm duket se është dy herë më i lartë për individët.
Në të njëjtën kohë, është mundur të zhvillohet një analizë e ngjashme nga këndvështrimi i vendbanimit të ri (prefektura e destinacionit). Popullsia që ndryshon vendbanimin brenda vendit, por jo brenda prefekturës, përbënte 61,6% e të gjithë migrantëve të brendshëm. Shumica dërrmuese e personave që lëvizin nga Tirana (93,8%) mbeten në të njëjtën prefekturë.
Ky “fluks hyrës” specifik shihet si diferenca midis atyre që ndryshuan vendbanimin brenda prefekturës dhe atyre që shkuan në një prefekturë tjetër. Në të njëjtën kohë, më shumë sesa gjysma e personave të vendosur në prefekturën e Tiranës vijnë nga prefektura të tjera (54,4%). Lëvizja e migrantëve në zona të tjera në Shqipëri karakterizohej nga shkallë të ndryshme përqendrimi, në varësi të faktit nëse ishte migracion familjar i pjesshëm ose i plotë.
Anketa e INSTAT për emigracionin, si u realizua dhe çfarë mati
INSTAT-i, në bashkëpunim me IOM-in, përgatiti një anketë (Anketa e zgjeruar e migracionit në familje), gjetjet e së cilës synojnë të tregojnë ndryshimet që kanë ndodhur gjatë viteve të fundit në shoqërinë shqiptare. Duke qenë se është zhvilluar vetëm një herë, AMF (Anketa Kombëtare e Emigracionit në Familje), për anketën u përdor metoda CAPI (Intervistë Personale nëpërmjet Kompjuterit). Pyetësori u përgatit nga INSTAT-i, duke u këshilluar me eksperten ndërkombëtare të rekrutuar nga IOM-i në kuadrin e projektit që ofron mbështetje për institutin lidhur me statistikat e migracionit.
Për hartimin e pyetësorëve, u mor mbështetje e mëtejshme edhe nga Zyra Rajonale e IOM-it në Vjenë dhe Zyra Qendrore e IOM-it në Gjenevë. Puna në terren u zhvillua në periudhën 17 prill deri më 15 korrik 2019. Hipoteza e AMF-së ishte se pyetjeve do t’u përgjigjeshin kryefamiljarët. AMF-ja ishte anketë, e cila bazohet në vullnetin e lirë të familjeve për të marrë pjesë në anketë.
Në shumicën e vendeve, kjo lloj ankete, sidomos kur mbulon familjet, ka një normë përgjigjeje prej 30%. Shqipëria përbën një rast përjashtimor, pasi AMF 2019 shënoi një normë përgjigjesh prej 80%. Refuzimi për të marrë pjesë në anketë dhe mungesa e kontaktit me NjEF-të e përzgjedhura në mënyrë rastësore ishin relativisht të rralla, me pak më shumë sesa 20%.
Qëndrimi i favorshëm i të intervistuarve ishte i mjaftueshëm për të justifikuar përdorimin e kampionëve përfaqësues në anketat sociale në Shqipëri. Përjashtimisht, ndryshe nga të gjitha praktikat e mëparshme të INSTAT-it, AMF bën të mundur që në rast se të gjithë anëtarët e familjes nuk ishin të pranishëm, të përgjigjeshin fqinjët e tyre më të afërt. Avantazhi kryesor i kësaj zgjidhjeje ishte ulja e normës së mosmbulimit të popullsisë. Madhësia e kampionit të arritur (numri i njësive të vrojtuara të kampionit për familje dhe individë me intervistë të pranuar) është i barabartë me 19 821 për familjet dhe 71 538 për individët.
Rezultatet e anketës përqendrohen në tiparet kryesore demografike të NjEF-ve dhe popullsisë që kanë ndryshuar vendbanimin krahasuar me vitin 2011 (Censi i fundit i Popullsisë dhe Banesave të Shqipërisë). Ajo çka ishte më e rëndësishme dhe novatore në zbërthimin e vlerave të përllogaritura në këtë anketë ishte dallimi i profileve të migracionit të familjeve. /Monitor
g.kosovari