Ka nisur nga puna komisioni hetimor për shkarkimin e Presidentit. Mbledhja e parë, një ditë pasi Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektvendimin për ngritjen e tij bazuar në kërkesën e një grupi deputetësh për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës.
Deputeti Myslim Murrizi propozoi t’i kërkohet informacion agjencive të zbulimit se si kanë ndikuar deklaratat e Presidentit.
“Tek hapat procedurale që do të ndiqen nga komisioni. Do doja që në emër të komisionit, t’i kërkohej informacion zyrtarisht agjencive ligjzbatuese, SHISH etj për t’u njoftuar si komision se çfarë informacionesh kanë pasur gjatë 30 ditëve fushate. Çfarë ndikimi kanë pasur në kontingjente deklaratat e presidentit për nxitje dhune. Si e kanë parë ata situatën në underground?”, deklaroi Murrizi.
Ngritja e komisionit hetimor u votua me 97 vota pro dhe 6 kundër. 49 deputetë të mazhorancës iu drejtuan më herët Kuvendit të Shqipërisë me kërkesën për shkarkimin e Presidentit të Republikës.
Afati i punës së Komisionit Hetimor pritet që të jetë një muaj, përgjatë të cilit do të shqyrtohen të gjitha argumentet e ngritura nga Partia Socialiste për shkarkimin e Presidentit. Vendimi i shkarkimit të Presidentit duhet të mbështetet nga të paktën 2/3 e anëtarëve të Parlamentit.
/a.r











